ÇFARË PËRFITOJMË PREJ FJALËS “MALIKI JEUMID-DIN” – SUNDUESI I DITËS SË GJYKIMIT
Besimtarët duhet të jetojë mes frikës dhe shpresës. Por cilës duhet dhënë përparësi më shumë? Përgjatë jetës, në kohën e forcës dhe rinisë, i jepet më shumë përparësi ndjenjës së frikës ndaj Allahut të madhëruar. Ndërsa në kohën e pleqërisë kur njeriu nuk ka shumë epshe dhe prirje për shfrenim, i duhet dhënë më shumë përparësi shpresës ndaj Allahut të lartësuar. Ndërsa kur bëhet fjalë për dikë që është duke vdekur, i ri apo i vjetër qoftë, duhet të sjellë më shumë në mendje shpresën, sepse Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Askush prej jush të mos vdesë ndryshe por veçse duke pasur mendim të mirë për Zotin e tij!” Umeri ka thënë: “Nëse dikush nga qielli thotë: -O banorë të dynjasë! Të gjithë ju jeni në zjarr, përveç njërit, do të shpresoja se unë jam ai që do të hyjë në xhennet. Nëse dikush nga qielli thotë: -O banorë të dynjasë! Të gjithë ju jeni në xhennet, përveç njërit, do të frikësohesha se unë jam ai që do të privohet nga xhenneti.” Ndërsa Ebu Bekri ka thënë: “Sikur njëra këmbë e imja të ishte brenda në xhennet ndërsa tjera jashtë, nuk do të isha i sigurt nga ndëshkimi i Zotit.”
Një ditë Profeti (alejhi selam) shkoi të vizitojë një djalosh që ishte në sëmundjen e vdekjes dhe i tha: “Si e ndien veten? Ai tha: “Unë shpresoj dhe kam frikë” Atëherë Profeti (alejhi selam) i tha: “Uallahi! Nuk bashkohen këto të dyja (frika dhe shpresa) veçse në zemrën e një robi besimtar.” Allahu i madhëruar thotë: “Njoftoi robërit e Mi se vërtet Unë jam Ai që fal shumë dhe mëshirues i madh.
Po edhe dënimi Im është një dënim i dhembshëm.” El hixhr 49, 50 Dhe thotë gjithashtu: “Shpallja e Librit është prej Allahut, Krenarit, të Gjithëdijshmit, Falësit të gjynaheve dhe Pranuesit të pendimit, që ndëshkon ashpër, ….” El Gafir 3. Dhe thotë: “Ty nuk po të thuhet gjë tjetër, veç asaj që u është thënë të dërguarve para teje. Vërtet, Zoti yt është Falës i madh, por edhe ndëshkimin e ka të dhimbshëm.” Fusilet, 43.
Pra ajete dhe hadithe të shumta tregojnë që gjendja e robit mund të rregullohet veçse duke i pasur këto ndjenja si bashkudhëtare me të në çdo çast. Prandaj Profeti (alejhi selam) na ka urdhëruar që ta lexojmë Fatihanë në çdo rekat që e falim për Allahun e madhëruar. Ne duhet ta ushqejmë zemrën tonë vazhdimisht me këto ndjenja të fuqishme dhe rregulluese të gjendjes tonë. Ai i cili e lexon Fatihanë dhe nuk e kupton e as jeton me të do të bjerë në gjynahe.
Nëse arrin ta kuptosh mirë këtë çështje, atëherë mos u çudit kur të shohësh, musliman që falet dhe ha fajdenë, ose dëshmon rrejshëm ose kryen krime e poshtërsi që bien ndesh me Fatihanë dhe me besimin e vërtetë. Ja kështu ndodh nëse zemra e robit nuk ushqehet me këto ndjenja të rëndësishme. Ai që e adhuron Allahun, vetëm me dashuri (siç pretendon), ai në fakt është zindik, pra prishës i besimit dhe tjetërsues i tij. Ai që e adhuron Allahun vetëm me shpresë, ai është murxhi’e, pra nga ata të cilët thonë se imani është thjesht tasdiku; pra, pranimi me zemër i imanit dhe çështjeve të tij. Ata pretendojnë se punët e robit dhe adhurimet nuk kanë lidhje me forcimin apo dobësimin e imanit. Pra imani i melaikeve dhe imani i imoralit e gjynahqarit janë njëlloj, sipas tyre. Ndërsa ehlu sunneh thonë se punët e këqija dhe gjynahet janë pararendëse të kufrit, mohimit të Zotit dhe daljes nga Islami.
Ai që zhytet në poshtërsi dëmton dhe cenon imanin e tij në varësi të gjynaheve të tij dhe është vetëm çështje kohe që të bjerë në kufër; pra të dalë nga Islami. Kështu pra poshtërsitë ndikojnë në imanin e robit dhe imani shtohet dhe pakësohet. Shtohet me adhurime e punë të mira në bindje ndaj Zotit dhe pakësohet me gjynahe e mosbindje ndaj Zotit.
Ai që e adhuron Allahun vetëm me frikë, ai u përngjan khauarixh-ëve. Këta i konsiderojnë muslimanët që bëjnë gjynahe, si mohues që do të jenë përjetë në zjarrin e xhehenemit. Këta nuk e shpresojnë si duhet Allahun e madhëruar. Ne nuk duhet të jemi si këta të humbur dhe të larguar nga besimi i drejtë. Ne e adhurojmë Zotin tonë me dashuri, me frikë dhe me shpresë.
Nëse ndjenja më e fuqishme që e shtyn dhe motivon robin për të bërë adhurime, është dashuria, ai nuk ka për tu lodhur, dobësuar dhe ngadalësuar në adhurimet e tij. Por sidoqoftë frika dhe shpresa duhet të jetë shoqëruese e pandashme e jona. Ed-din do të thotë llogari dhe shpërblim. Pra maliki jeumid-din do të thotë sunduesi i ditës së gjykimit, llogarisë dhe shpërblimit.
Një ditë, një beduin pa një zullumqar që vdiq, por që nuk e pati marrë shpagimin e merituar dhe tha: “Patjetër duhet të jetë një ditë që këtij zullumqari t’i jepet ndëshkimi që meriton.” Pra kjo është drejtësia që çdokush e dëshiron dhe e beson se do të vihet në vend. Profeti (alejhi selam) na ka njoftuar se mëshira e Allahut e ka tejkaluar zemërimin e Tij dhe këtë Ai e ka shkruar dhe vendosur mbi Arshin e Tij. Mendohu pak me kujdes! Kur dëshiroi të nxisë dhe forcojë shpresën tek ne përmendi dy nga emrat e Tij të mrekullueshëm, Er-rahmani Er-rahim – të Gjithmëshirshmin Mëshirëplotin! Ndërsa kur nxiti frikën tonë nuk tha ndëshkues i rreptë, etj., emra të tilla që nxisin frikën, por tha: Maliki jeumid-din – Sunduesi i Ditës së Gjykimit. Pra, i bëri robërit që të kujtojnë faktin se e gjithë çështja do të kthehet tek Ai në ditën e gjykimit. Kështu ata do të kuptojnë se rregullimi i çështjeve dhe siguria nga çdo frikë arrihet veçse duke u kthyer tek Ai me bindje e nënshtrim. Njeriu kur i frikësohet diçkaje, ikën me të shpejtë e largohet prej saj, ndërsa e kundërta ndodh me frikën ndaj Allahut. Pra kur i frikësohesh Allahut vrapon të kthehesh drejt Tij i penduar e i nënshtruar. Sikurse thotë i madhëruari: “Atëherë, nxitoni për tek Allahu! Unë vij tek ju si paralajmërues i qartë prej Tij. Mos adhuroni veç Allahut ndonjë zot tjetër! Unë vij tek ju si paralajmërues i qartë prej Tij.” Edh-Dharijat 51, 52.
Burimi:
Përktheu: Uthman Agolli
burimijetes.info