CILI ËSHTË FATI I ATIJ QË VDES NË SIPËRFAQEN E HËNËS?
Ekzistojnë pyetje që bëhen shpesh rreth fatit të atyre që vdesin në udhëtime në kozmos:
Cili është fati i atyre që vdesin në hapësirë?
Si do të ringjallen ata që vdesin në sipërfaqen e hënës apo të ndonjë planeti tjetër?
Ky artikull mëton t’iu jep përgjigje shkencore këtyre pyetjeve. Kjo përgjigje sillet rreth domethënies së disa ajeteve kur’anore, të cilat na shpijnë në përfundime të rëndësishme. Thotë Allahu: Prej asaj (tokës) Ne u krijuam ju, e ju do t’ju kthejmë përsëri në të, e prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë.“ (Taha, 55)
Ky ajet vërteton se Allahu i Madhëruar e ka krijuar njeriun nga dheu i tokës, se në të do ta kthejë prapë dhe se prej tij do të nxjerrë për ta llogaritur.
Nxjerrja e njerëzve nga toka – ringjallja vërtetohet edhe në këtë ajet tjetër kur’anor: Nga argumentet e Tij është që me fuqinë e Tij bëri të qëndrojë (pa shtyllë) qielli e Toka, mandej kur t’ju thërret juve me një të thirrme prej tokës, ju menjëherë dilni.“ (err-Rrum, 25)
Ekziston dhe një ajet tjetër kur’anor, me një domethënie madhështore, i cili aludon në atë se njeriu patjetër duhet të vdes në tokë. në lidhje me Ademin [alejhiselam], Allahu i Lartëmadhëruar thotë: (All-llahu) Tha: “Zbritni, jeni armik i njëri-tjetrit. Në tokë ju e keni vendqëndrimin (vendbanimin) dhe përjetim deri në një kohë. 25. Tha: “Në të (në tokë) do të jetoni (do të gjallëroni), në të do të vdisni (do të varroseni) dhe prej saj do të nxirreni (do të ringjalleni).“ (el-A’rafë, 24-25)
Ky ajeti i fundit provon (dëshmon) tri të vërteta:
Jeta e njeriut është vetëm në tokë
Njeriu patjetër duhet të vdesë në tokë
Njerëzit do të ringjallen nga toka.
Por, dikush mund të parashtrojë pyetjen: Atëherë, si do të ndodhë me ata që vdesin në hapësirë – gjithësi? Si do të kthehet trupi i tyre në tokë?
Si përgjigje ndaj këtyre pyetjeve themi: Hapësira kozmike përmban miliarda gurë, pluhur dhe tym dhe gjëra tjera, të cilat kur të afrohen afër tokës, depërtojnë nëpërmjet atmosferës, por, falë mëshirës së Allahut ndaj nesh, ato para se të arrijnë tek ne shkatërrohen dhe asgjësohen dhe se nuk mbetet vetëm se pak nga ajo që depërton.
Shkencëtarë kanë vërtetuar se kur njeriu vdes dhe shpërbëhet trupi i tij, atëherë një pjesë e trupit të tij, respektivisht kërbishti (mjek. coccyx) ose kocka e fundit në fund të kurrizit të njeriut, ngelë e paprishur, pavarësisht rrethanave. Një shkencëtarë ka bërë një eksperiment duke ekspozuar molekulat organike, që janë bazë e jetës, ndaj temperaturave të larta, të cilat, megjithatë nuk kanë ndryshuar dhe nuk janë shpërbërë. Këto lëndë barten në tokë nëpërmjet meteorëve. Shkencëtarë kanë zbuluar në meteorët e rënë lëndë të gjalla organike, të cilat nuk janë shpërbërë përgjatë fërkimit me atmosferën me gjithë temperaturën e madhe. Kësisoj, themi se mbetjet mortore të njeriut sillen rreth tokës ndërsa do të hyjnë në atmosferë dhe do të kthehen në tokë patjetër. Kështu, Allahu do ta ringjallë atë përsëri. Pjesa e mbetur e tij, kërbishti, mjafton që ai të ringjallet, ngase, siç ka thënë Muhammedi [alejhis salatu ves selam], prej tij është krijuar dhe prej tij ringjallet.
Autor: Abdudaim el-Kehil
Burimi: www.kaheel7.com
Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI