DËSHMIA “LA ILAHE IL-LALL-LLAH”
Dëshmia “La ilahe il-lAll-llah Muhamedun resulullah” është obligimi parësor për çdo njeri. “La ilahe il lAllah” është fjala e teuhidit. Ajo është e rëndë në peshoren e atij që e thotë, ia rrit vlerën atij që beson në të dhe në ato që ajo aludon.
La ilahe il-lAllah nënkupton: nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut. Nëse adhurohet diçka tjetër përveç Tij, ai adhurim është i pavlefshëm. Allahu i Madhëruar thotë: “Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta (i vetmi që meriton të adhurohet), kurse gjithçka që adhurohet përveç Tij, është e pavërteta. Dhe, pa dyshim, Allahu është më i Lartësuari dhe i Madhërishmi.” El Haxh, 62
Allahu i Madhëruar thotë:“Dije, se nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut…” Muhamed 19
A është për qëllim me këtë fjalë që njeriu ta shprehë vetëm me gjuhën e tij duke mos ia ditur kuptimin dhe duke mos punuar me kushtet e saj?
Përgjigja: “Jo. Edhe munafikët thonë: “La ilahe il-lAll-llah”, por kjo nuk u bën dobi atyre, ngase ata nuk e kuptojnë domethënien e saj dhe nuk punojnë me kushtet e saj.
Madje jobesimtarët e kohës së Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e dinin kuptimin e kësaj fjale, prandaj dhe refuzuan që ta thoshin. “Kur atyre u thuhej “La ilahe il lAllahu” hiqeshin mendjemëdhenj.”
Fjala la ilahe il-lAll-llah ka dy shtylla: mohim dhe pohim. “La ilahe” është mohim i çdo gjëje që adhurohet përveç Allahut, qoftë engjëll, profet, pemë, varrë etj., dhe “il-lAll-llah” është pohim i adhurimit vetëm për Allahun, Një e të vetëm.
Përgatiti: Unejs Sheme
Burimi Jetes