BallinaAKIDEDëshmia - Nuk ka Zot tjetër i cili meriton adhurimin përveç Allahut

Dëshmia – Nuk ka Zot tjetër i cili meriton adhurimin përveç Allahut

Dëshmia

Fjalët që shqiptohen kur një njeri bëhet musliman janë jo pak, por shumë domethënëse. Me shprehjen e këtyre fjalëve një njeri e pranon Allahun si Krijues dhe Zotërues (Mbajtës) të çdo gjëje si dhe pranon pejgamberinë e të Dërguarit të Tij, paqja qoftë mbi të. Me këto fjalë, të cilat dalin nga zemra, një njeri kalon nga mosbesimi dhe injoranca në dituri, dritë dhe udhëzim. Një njeri mund të arrijë këtë gjendje me mëshirën dhe udhëzimin e Allahut të Madhëruar.

Nuk ka Zot tjetër i cili meriton adhurimin përveç Allahut
dhe Muhamedi, paqja qoftë mbi të, është i Dërguari i Tij

Këto janë fjalët që thotë një njeri për të hyrë në rrethin (brendinë) e Islamit. Dëshmia e besimit, ose shehadeti, është një marrëveshje që një njeri bën me Allahun, që ai/ajo do të vazhdojë t’i nënshtrohet Allahut dhe se do të ecë gjurmëve të të Dërguarit tonë të shenjtë, paqja qoftë mbi të. Ky është hapi i parë për të plotësuar nënshtrimin ndaj Zotit të çdo gjëje.
Nga çasti i thënies së shehadetit njeriu trajtohet dhe respektohet si musliman nga të gjithë muslimanët, qoftë edhe nëse ai/ajo në të kaluarën ka qenë armik i Islamit. Ka shumë shembuj të kësaj natyre në historinë e të Dërguarit, paqja qoftë mbi të.
Lidhja e besimit është më e fortë se lidhja e gjakut. Kur njeriu bëhet musliman hyn në komunitetin e muslimanëve, pa marrë parasysh racën e tyre apo formimin kulturor. Një ndjenjë e dashurisë dhe e harmonisë lidhet midis njerëzve të cilët sinqerisht përpiqen për të praktikuar Islamin në pajtim me Kuranin dhe Sunetin. Njerëzit e tillë garojnë për të bërë vepra të mira dhe që të bëhen prej atyre me të cilët Allahu është i kënaqur.
Domethënia e shehadetit është e ndriçuar më tepër kur ne mendojmë mbi faktin që ne e përsërisim atë çdo herë që falemi. Sa prej nesh me të vërtetë mendojmë rreth saj gjatë faljes së namazit? Ajo bëhet diçka e zakonshme dhe ndoshta ndonjëherë i themi fjalët pa medituar rreth kuptimit të tyre.
Kur themi se nuk ka zot tjetër i cili meriton adhurimin përveç Allahut, kjo nënkupton që ne refuzojmë nënshtrimin dhe robërimin ndaj dikujt tjetër përveç Allahut. Nënkupton që nuk i frikësohemi askujt tjetër përveç Allahut, që ndjenjat tona më madhështore të dashurisë dhe të mirënjohjes janë për Allahun, sepse e dimë se Ai është furnizuesi i vërtetë i çdo gjëje që ne posedojmë. Nënkupton që ne nuk kërkojmë kënaqësinë apo miratimin e dikujt tjetër përveç Allahut. Kjo nënkupton që muslimanët bëhen të fortë dhe të pavarur. Tallja, përbuzja, thumbimi dhe ofendimi i njerëzve spekulatorë nuk është i rëndësishëm. Muslimanët qëndrojnë të qetë dhe të sigurt në kohët e frikës, sepse ata e dinë se nuk ka ndihmë përveç nga Allahu. Në kohët e vuajtjes dhe të pikëllimit muslimanët qëndrojnë guximtarë dhe të palëkundur, duke e ditur se fatkeqësia mund të ndodhë vetëm me lejen e Allahut dhe se Ai me mëshirën e Tij ka premtuar se nuk do të ngarkojë një shpirt të sinqertë me më shumë seç mund të mbartë ai.
Kur themi se Muhamedi është i Dërguar i Allahut, ne pranojmë të drejtën e tij për t’u respektuar, bindur dhe nderuar. Ne i ndjekim gjurmët e tij, duke e ditur që ai ishte krijesa më e mirë dhe shpresojmë të arrijmë xhenetin dhe të jemi pranë tij dhe të Dërguarve të tjerë, nëse do Allahu.
Me të vërtetë shehadeti nuk është një thënie boshe, nuk është vetëm disa fjalë të thëna, por është i shoqëruar nga sinqeriteti i qëllimit dhe përcaktimi për të luftuar, orvatur dhe sakrifikuar përgjatë rrugës së drejtë.
“Feja e vetme e pranueshme tek All-llahu është Islami.” (Kuran 3:19)
“E, kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit.” (Kuran 3:85)

Marrë nga islamway.com
Përktheu dhe përshtati: Besnik Abrashi

Must Read