DHJETË METODA PËR TË VAZHDUAR NË TË MBARA PAS RAMAZANIT
Shejh Abdullah Abdurrahman El Xhibrini
Çka pas Ramazanit?
Në Ramazan isha i drejtuar kah Allahu i madhëruar. Shpeshtoja nafilet (namazet vullnetare), ndieja kënaqësinë e ibadetit, lexoja Kur’anin shumë, nuk mungoja në namaz me xhemat, nuk shikoja në gjëra të ndaluara, thjesht i përmbahesha rreptë udhëzimeve. Por, pas Ramazanit humba kënaqësinë e ibadetit, të cilën e ndieja në ramazan dhe tani nuk gjej shtytës për ibadet. Shumë shpesh më kalojnë namazet me xhemat ndërsa namazet nafilet dhe leximin e Kur’anit pothuajse i kam ndërprerë tërësisht.
A ka zgjidhje për këtë problem?
Si t’ia dalë që t’i kthehem atmosferës shpirtërore të Ramazanit?
Vëllai im!
Ekzistojnë mënyra dhe mundësi të shumta me të cilat mund të rikthehesh atje ku dëshiron. Në vazhdim, ne do të përshkruajmë dhjetë sosh prej tyre:
- Fillimisht dhe para çdo gjëje: Kërkimi i ndihmës prej Allahut të madhëruar për udhëzim dhe përforcim në fe. Allahu i madhëruar e lavdëroi duanë e dijetarëve: “Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh.” [Ali Imran: 8]
- Të qëndruarit e shumtë dhe të shpeshtë me njerëzit e mirë dhe kureshtja për marrë pjesë në takime me karakter fetar, si: ligjërata, vizita tek hoxhallarët, etj.
- Të njoftuarit me biografitë dhe veprimtaritë burrave të mëdhenj, në veçanti duhet të interesohemi për jetën e Sahabeve r.a., shokëve të Pejgamberit ﷺ, sepse kështu forcohet shpirti dhe motivohet për punë të mira.
- Dëgjimi i ligjëratave islame nga dijetarë dhe thirrës të vlerësuar.
- Gatishmëria për t’i kryer farzet, qofshin ato namaze të obliguara apo kompensimi i asaj që na ka kaluar nga Ramazani pa e agjëruar, sepse në farze ka dobi të madhe.
- Gatishmëria për namaze vullnetare (nafile) edhe nëse janë pak, sepse: «Veprat më të mira tek Allahu janë ato që janë në rrjedhë e sipër edhe nëse janë pak.» do të thoshte Pejgamberi Muhammed ﷺ.
- Të filluarit me nxënien e Kur’anit përmendësh dhe të mos i ndahesh leximit të tij asnjëherë. Më së miri është që pjesët e memorizuara t’i përsëritësh në namaze vullnetare.
- Shpeshtimi i përkujtimit të Allahut të madhëruar -dhikrit, dhe kërkimit falje –istigfarit, sepse, edhe nëse duken të thjeshta, kanë dobi të madhe, shtojnë imanin dhe forcojnë zemrën.
- Largimi nga njerëzit dhe gjërat që sëmurin ose prishin zemrën, mjetet, si: shoqëria e keqe, dëgjimi i këngëve, shikimi në gjëra të ndaluara, etj.
- Të porosis të përshpejtosh me pendim, me pendim të sinqertë, duke vendosur se më kurrë nuk do t’i kthehesh mëkateve. Mos harro, Zoti të pret me gëzim. Atë e gëzon pendimi ynë.
Vëlla i nderuar!
Të porosis të mos jesh prej atyre njerëzve që Allahun e madhëruar e njohin vetëm në ramazan. Selefi (të parët tanë) për të tillët thoshin: Njerëz të këqij janë ata që Allahun e njohin vetëm në Ramazan!
Këtu ndahemi unë dhe ti, vëlla i nderuar, për t’u takuar me lejen e Allahut në Ramazanin e ardhshëm, duke të dëshiruar ty shëndet, lumturi dhe stabilitet në fe! Këto këshilla janë të mira dhe të dobishme për atë që i lexon dhe punon sipas tyre! Porosisim çdo lexues që t’i zbatojë dhe t’i përhapë ato me shpresë se do të përfitojë dhe ndiejë kënaqësi në adhurimin e vet.
Burimi: www.twbh.com
Përshtati në shqip: Sedat Gani islami
Versioni online: www.sedatislami.tk
15.11.2004
UBD, Brunei Darussalam