Dhjetëditëshi i parë i Dhulhixhes
Ka mundësi që të jetë i fundit që po e arrin në jetë
Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë në komentimin e ajeteve: “Pasha agimin! Pasha dhjetë netët!” Fexhër, 1-2, thotë:
“Dhjetë netët e përmendura janë për qëllim dhjetë të dhulhixhes, ashtu si thotë Ibën Abasi, Ibën Zubejri, Muxhahidi dhe shumë të tjerë nga të parët tanë (selefi) dhe të tjerët që kanë ardhur pas tyre (halefi).”
Eksistojnë thënie se është fjala për dhjetë ditët e para e muajit Muharrem. Këtë e thotë Ebu Xhafer ibën Xheriri, por këtë mendim nuk ia atribuon askujt (nga sahabët).
Kurse Ebu Kudejne transmeton nga Kabus Ibën ebi Dhebjani, ky i fundit nga babai i tij se Ibën Abasi ka thënë: “Pasha dhjetë netët është për qëllim dhjetë netët e fundit të Ramazanit.”
Në fund Ibën Kethiri thekson: “E sakta nga këto është thënia e parë (se është fjala për dhjetëditëshin e parë të dhulhixhes.”
Imam Ahmedi dhe Nesaiu transmetojnë se Resulullahu (salallahu aljhi ue selem) rreth ajeteve: “Pasha dhjetë netët! Pasha çiftin dhe pasha tekun!” Fexhër, 2-3, ka thënë: “Dhjetëshi është për qëllim dhjetëditëshi i Kurban Bajramit, teku është për qëllim dita e Arefatit, kurse çifti është dita e prerjes së Kurbanit (dita e parë e Bajramit).”
Cilat ditë janë më me vlerë
Dijetarët kanë mendime rreth asaj se cila është më me vlerë; dhjetë netët e fundit të Ramazanit apo dhejetë ditët e dhulhixhes?
Ky mospajtim fillimisht na vërteton vlerën e këtyre ditëve dhe si njerëzit janë të pavëmendshëm në këtë. Ibën Kajimi në librin “Zadu Mead” në nëntitullin “Vlerësimi apo favorizimi ndërmjet kohëve” thotë:
“Sa i përket pyetjes së parë e saktë është të thuhet se dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë më me vlerë se dhjetë netët e dhulhixhes, kurse dhjetë ditët e dhulhixhes janë më me vlerë se dhjetë ditët e Ramazanit. Me këtë sqarim largohet paqartësia dhe kuptojmë se netët e Ramazanit janë me vlerë, pasi në ato netë gjendet nata e Kadrit, kurse ditët e dhulhixhes janë shquar pasi në këto ditë gjendet dita e prerjes së Kurbanit, dita e Arefatit dhe dita e tetë e Dhuldixhes (e tervijes).”
Për këto ditë Ibën Abasi transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk ka asnjë ditë ku veprat e mira janë më të dashura tek Allahu se këto dhjetë ditë.” E pyetën atë: “Edhe nga xhihadi në rrugën e Allahut?” Ai u përgjigj e tha: “Edhe nga xhihadi në rrugën e Allahut përveç njeriut i cilit del (në xhihad) me veten e tij dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehen nga këto asgjë.”
Taberaniu me send hasen përcjell nga Ibën Abasi se Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk ka ditë që janë më të mëdha tek Allahu dhe që veprat janë më të dashura (të kryhen) se dhjetë ditët e dhulhixhes, prandaj shpeshton në të tekbirin, tehlilin dhe tahminin.”
Brenda këtyre ditëve ndodhet dita e Arefatit
Muslimi shënon nga Aishja se ka thënë i Dërguari (salallahu alejhi ue selem): “Nuk ka asnjë ditë ku Allahu më së shumti shpëton njerëz nga zjarri se dita Arefatit. Ai u afrohet atyre (gjatë qëndrimit të haxhinjve në Arefat) dhe mburret me ta para enjgjëjve duke u thënë: Çfarë dëshiruan ata’ .”
Imam Neveviu thotë: “Ky hadith qartë aludon për vlerën e ditës së Arefatit dhe kjo është ashtu.”
Buhariu shënon nga Tarik ibën Shihabi se ka thënë se një njeri nga çifutët i thotë Umerit: “O prijës i myslimanëve! Po të na kishte zbritur neve ky ajet: ‘Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe’. Maide, 3. Do ta konsideronim atë ditë festë. Umeri i përgjigjet: “Vërtet unë jam në dije në cilën ditë ka zbritur ky ajet. Ka zbritur ditën e Arefatit dhe ditën e premte.”
Në këtë ditë Allahu i Lartësuar e përsosi fenë e Tij dhe i plotësoi begatitë. Nga ne është e kërkuar ta falënderojmë Allahun e Lartësuar për përmbushjen e begative ndaj neve dhe t`i afrohemi atij me kryerjen e obligimeve në formën se si kanë ardhur në Kuran dhe Sunet.
Haxhi dhe umra
Transmeton Abdullah Ibën Mesudi se Resulullahu (Bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) ka thënë: “Përsëritni haxhin dhe umren (njërin pas tjetrit kohë pas kohe). Vërtet këto dyja e largojnë varfërinë dhe mëkatet, ashtu si largon gjyryku (i farkëtarit) hekurin e keq nga ari dhe argjendi. Kurse haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër vetëm se xhenetin.”
Gjithashtu thotë: “Kush e bën haxhin duke mos fyer dhe bërë mëkate del (nga haxhi) sikurse ditën kur e ka lindur nëna e tij.”
Agjërimi i ditës së Arefatit
Ajo që preferohet ditën e Arafatit është çfarë shënon Muslimi se Profeti (Bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) kur është pyetur për agjërimin në këtë ditë ka thënë: “I fal mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm.”
Shpeshtimi i lutjes
Pasi është dita në të cilën më së shumti njerëzit shpëtojnë nga zjarri i xhehenemit, atëherë kërkohet t`i shpeshtojmë duatë (lutjet). Muslimi shënon nga Aishja se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk ka asnjë ditë ku Allahu më së shumti shpëton njerëz nga zjarri se dita e Arafatit. Ai u afrohet atyre dhe mburret me ta para engjëjve duke u thënë: Çfarë dëshiruan ata.”
Kurse Tirmidhiu shënon se Profeti (Bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) ka thënë: “Lutja më e mirë është lutja (që bëhet ditën) e Arafatit. Dhe fjala më e mirë që e kam thënë unë dhe pejgamberët para meje është: “La ilahe ilallahu uahdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul hamdu ue huue ala kuli shejin kadir.”
“Askush tjetër dhe asgjë tjetër nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, të Vetëm e të Pashoq. Ai është Zotëruesi i gjithçkaje (në qiej e tokë); vetëm Atij i përket falënderimi (ynë); Ai është i Plotfuqishëm mbi gjithçka.”
Leximi i Kuranit, shpeshtimi i faljeve (nafile), agjërimit (nafile) dhe sadakasë
Kryerja e këtyre veprave në këto ditë merret nga hadithi i Ibën Abasit i sipërpërmendur dhe nga argumentet e tjera që flasin për vlerën e këtyre ditëve.
Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Në agjërimin e këtyre nëntë ditëve (të dhulhixhes) nuk ka urrejtje (mekruh) të madhe, por përkundrazi kjo preferohet shumë.”
Ibën Haxheri thotë: “Ajo që mund të nënkuptohet se shkaku i veçimit të këtyre dhjetë ditëve të dhulhixhes me këto specifika është se kemi mundësinë t`i përmbledhim adhurimet esenciale gjatë këtyre ditëve, ato janë: namazi, agjërimi, sadakaja, haxhi dhe adhurimet e tjera. Kurse kjo nuk është e mundur në ndonjë kohë tjetër.”
Thënia e tekbireve
Kjo tani është një sunet i braktisur edhe pse është simbol i këtyre ditëve dhe thënia e tyre është e preferuar në çdo kohë. Forma e tekbireve të transmetuara është kështu:
“Allahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe ilallahu vallahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekber ue lilahul hamd.”
Buhariu (Allahu e mëshiroftë!) përmend nga Ibën Umeri dhe Ebu Hurejre se gjatë këtyre dhjetë ditëve thoshin: “Allahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe ilallahu uallahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekber ue lilahul hamd.”
Tebiret të thuhen gjatë këtyre ditëve në çdo kohë është e preferuar, kurse krahas kësaj është sunet që nga sabahu i ditës së parë të Bajramit deri në ikindinë e ditës së katërt pas çdo namazi farz (pas selamit) të thuhen këto tekbire.
Therja e Kurbanit
Është një traditë fisnike të cilën na e vendosi Profeti (salallahu alejhi ue selem) gjatë këtyre ditëve. Dhe kjo është ringjallje e traditës së Ibrahimit (alejhi selam), prijësit të atyre që e njësojnë Allahun në adhurim.
Allahu i Lartësuar thotë: “Falu për hir të Zotit tënd dhe bëj Kurban për hir të Tij.” Keuther, 2.
Në një hadith thuhet se Profeti (alejhi selam) kur ka therur kurbanin ka thënë:
“O Allah e bëj këtë Kurban për Ty dhe e paraqes për veten time dhe për të gjithë ata që nuk bëjnë kurban nga umeti im.”
Së pari kryerja e obligimeve
Ajo që kërkohet fillimisht nga muslimani gjatë këtyre ditëve është kryerja e farzeve, kështu që ai duhet të përpiqet që sa më mirë që është e mundur t`i bëj ato. Pastaj të mundohet të shtojë nga veprat e preferuara. Transmetohet nga Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) se Allahu i Lartësuar thotë: “Kush do të tregoj armiqësi ndaj mikut tim (njeri i dashur tek Allahu-ueli), do t’i shpall luftë. Me asgjë më të dashur nuk do të mund të më afrohet robi Im, përveç atë që ia kam obliguar (ia kam bërë farz) atij. Vazhdimisht robi Im më afrohet Mua me vepra të preferuara, derisa ta dua atë. E kur ta dua atë, atëherë bëhem të dëgjuarit e tij me të cilin dëgjon, syri i tij me të cilin shikon, dora e tij të cilën e shtrin, këmba e tij me të cilën ecën dhe nëse kërkon nga Unë (bën dua), gjithsesi do t`i jap dhe nëse kërkon mbrojtje prej meje, unë gjithsesi do ta mbroj.”
Përktheu: Alaudin Abazi