Disa thënie të selefu salih rreth gibetit13 min read

0
498

Disa thënie të selefu salih rreth gibetit

إنَّ الحْمدَ ِللهِ نَحْمَدُهُ وَنَسْتَعِينُهُ وَنَسْتَغْفِرُهُ وَنَعُوذُ بِاللهِ مِنْ شُرُورِ أَنْفُسِنَا وَ سَيِّئَاتِ أَعْمَالِنَا مَنْ يَهْدِهِ الله ُفَلاَ مُضِلَّ لَهُ وَ مَنْ يُضْلِل فَلاَ هَادِيَ لَهُ وَأشهَدُ أَنْ لاَ اِلَهَ اِلاَّ الله وَحْدَهُ لاَ شَرِيكَ لَهُ وَأشْهَدُ أَنَّ محمدا عَبْدُهُ وَرَسُولُهُ

Lavdërimet dhe falënderimet i takojnë Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej veseve dhe veprave tona të këqija. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush që e humb dhe atë që e humb Allahu nuk ka kush që e udhëzon. Dëshmoj se askush nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, i Vetmi që nuk ka shok, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

Kjo është një përmbledhje e shkurtër në të cilën kemi përmendur disa thënie të selefu salih (të parëve tanë të mirë) rreth gibetit, mirëpo në fillim po i cekim disa argumente nga Kurani dhe Suneti për tërheqjen e vërejtjes dhe ndalimin e gibetit dhe për ta kuptuar se ç’është gibeti.

Ajo që më ka shtyrë në realizimin e kësaj përmbledhjeje është thjesht këshillimi i vetes dhe i gjithë muslimanëve sepse ka thënë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue selem): “Feja është këshillë.”

E lus Allahun e Lartmadhëruar që ta pranojë këtë punë si të sinqertë për hir të Tij dhe që të kenë prej saj dobi vëllezërit tanë muslimanë. Selamet dhe përshëndetjet tona ia dërgojmë Pejgamberit tonë Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue selem,), familjes dhe shokëve të tij.

Ka thënë Allahu subhanehu ue teala:

…“ وَلَا يَغْتَب بَّعْضُكُم بَعْضاً أَيُحِبُّ أَحَدُكُمْ أَن يَأْكُلَ لَحْمَ أَخِيهِ مَيْتاً فَكَرِهْتُمُوهُ وَاتَّقُوا اللَّه إِنَّ اللَّهَ

تَوَّابٌ رَّحِيمٌ . “{۱۲}

“…dhe mos përgojoni njëri tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron ta hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut, e Allahu është Mëshirues, Ai pranon shumë pendimin.” (Suretu el Huxhuratë: 12)

Në hadithin të cilin e ka transmetuar Ebu Davudi nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu), kur është pyetur i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue selem) për gibetin ka thënë: “Gibeti është t’i përmendësh vëllait tënd atë që e urren.” Iu tha: “E nëse ajo që e them gjendet te vëllai im?” Atëherë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue selem) tha: “Nëse ajo që e thua gjendet te vëllai yt, atëherë i ke bërë gibet (e ke përgojuar), e nëse nuk gjendet tek ai ajo që ti e thua, atëherë i ke shpifur.” Transmeton Muslimi.

Ibn Abasi ka thënë: “Kaloi Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue selem) pranë dy varrezave dhe tha: “Me të vërtetë këta dy janë duke u dënuar, e nuk janë duke u dënuar për ndonjë mëkat të madh (sipas tyre, e që në të vërtetë tek Allahu është i madh); njëri prej tyre nuk kishte kujdes gjatë kryerjes së urinës (nga të stërpikurit), kurse tjetri ka bartur fjalë”. Pastaj kërkoi një degë hurme të njomë, e ndau në dy pjesë dhe e nguli te çdonjëri prej tyre nga një dhe tha: “Ndoshta do t’u lehtësohet përderisa nuk thahen këto të dyja.”

Ka transmetuar Ebu Davudi nga Enes ibn Maliku se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kur u ngrita në mi’raxh (ngritja e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue selem në qiell) kam kaluar pranë një populli që kishin thonj prej bakri, me të cilët gërvishtnin fytyrat dhe gjokset e tyre dhe thashë: -Kush janë këta o Xhibril? Ai tha: “Janë ata që hanë mishrat e njerëzve dhe e cenojnë nderin e tyre.”

Transmetohet se Omer ibn Hatabi (radijAllahu anhu) ka hyrë tek Ebu Bekri (radijAllahu anhu), i cili e tërhiqte gjuhën e tij dhe i tha: “Ngadalë, Allahu të faltë!” Atëherë Ebu Bekri radijAllahu anhu tha: “Kjo më ka shpënë në punë të këqija.”

Gjithashtu ka thënë Omeri (RadijAllahu anhu): “Ju porosis me përmendjen e Allahut subhanehu ve teala sepse përmendja e Allahut subhanehu ve teala është shërim dhe kujdes nga përmendja e njerëzve sepse përmendja e njerëzve është sëmundje”.

Ka thënë Katadeja, Allahu e mëshiroftë: “Na është thënë se dënimi i varrit është tri pjesë: një pjesë për gibetin, një pjesë për urinën dhe një pjesë për nemimen.” Marrë nga ez-Zevaxhir.

Ka transmetuar Kurtubiu ixhmanë (unanimitetin) e dijetarëve se gibeti është prej mëkateve të mëdha, siç janë: zinaja, pirja e alkoolit, vjedhja, ndërprerja e lidhjeve familjare, mosrespektimi i prindërve e të ngjashme. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu subhanehu ve teala nga e kota dhe vazhdimësia në të.

Është thënë: Ka kaluar një grup njerëzish pranë një murgu në qelinë e tij askete dhe i thanë: Si e ke emrin? Ai tha: Gardian (rojtar burgu). Ata thanë: Përse kështu? Tha: E burgos gjuhën time që të mos i plagosë njerëzit.

Ka thënë Hasan el-Basriu: “Kur ta shohësh ndonjë njeri që merret me të metat e të tjerëve dhe i lë të metat e veta, dije se është mashtruar me atë gjë.” Nga el-Bidajetu ve en-Nihajetu.

Gjithashtu ka thënë: “Për Zotin, gibeti e shkatërron fenë e robit më shpejt sesa el-akiletu (sëmundje e cila shkatërron trupin).”

Ka thënë Ibn Asakir: “Atë që e ka sprovuar Allahu me gibet ndaj dijetarëve vetëm se e ka sprovuar me vdekjen e zemrës.” Kërkojmë mbrojtje nga Allahu Fuqiplotë prej vdekjes së zemrës.

Ka thënë Ibn Tejmije: “Është çudi me njeriun, i vjen lehtë të ruhet nga ushqimi me haram, nga padrejtësia, vjedhja, pirja e alkoolit, nga shikimi në haram e shumë të tjera, ndërsa e ka vështirë të ruajë lëvizjen e gjuhës së tij, derisa e sheh atë njeri nga i cili bëhet me gisht si fetar, asket dhe i devotshëm dhe flet fjalë me të cilat e hidhëron Allahun, duke cenuar nderin e të gjallëve dhe të vdekurve pa e pasur dert.”

Ka thënë Ibnu el Kajimi: “I përket çdo gjymtyre të trupit dënimi, varësisht prej asaj se çfarë ka bërë ajo gjymtyrë. Prandaj do të shqyhen (prehen) me gërshërë nga zjarri buzët e gibetxhinjve, të cilët shqyejnë mishrat e njerëzve dhe cenojnë nderin e tyre.” Nga Tuhvetul vedud.

Transmetohet nga një njeri i urtë, i cili e pa një njeri i cili fliste shumë e heshtte pak dhe i tha: “Vërtet Allahu t’i ka dhënë dy vesh e një gjuhë, që të jetë ajo që dëgjon dy herë më shumë se ajo që flet.”

Transmeton Rrebi bin Subejh se një njeri i tha Hasen el-Basriut: -O Eba Seid, unë po shoh një gjë të cilën e urrej. I tha: -Çfarë është ajo o biri i vëllait tim? Tha: -Shoh njerëz që prezantojnë në mexhlisin tënd dhe marrin nga ti vetëm gabimet që bën ti, pastaj i shpërndajnë ato me qëllim që të mveshin ty të meta. I tha: -O biri i vëllait tim, mos të të duket kjo gjë shumë e madhe. Të tregoj diçka që është më e çuditshme se kjo. Kam nënshtruar nefsin tim ndaj Mëshiruesit dhe kërkimit të xhenetit dhe shpëtimit nga zjarri dhe shoqërimit me Pejgamber e nuk jam dhënë pas dëgjimit të fjalëve të njerëzve për arsye se po të kish shpëtuar dikush prej fjalëve të njerëzve, do të kish shpëtuar Krijuesi i tyre. Pra, nëse Ai që i ka krijuar nuk ka shpëtuar nga fjalët e tyre, nuk është çudi që krijesa të mos shpëtojë.

Thotë Hatim el-Asam: “Sikur një njeri i mirë do të ishte ulur tek ti do të ruhesh se çfarë po flet para teje, ndërsa e gjithë ajo që flet do të paraqitet tek Allahu e nuk ruhesh prej Tij?!”

Transmetohet se Ma’ruf el-Kerhij, Allahu e mëshiroftë, nëse dikush bënte gibet ndaj dikujt në prani të tij, e qortonte dhe i thoshte: “Kujtoje pambukun dhe kujtoje qefinin, që kur të vdesësh do ta vendosin sipër.” Nga el-Hiljetu.

Një njeri i tha Amru bin Ubejdit: -Vërtet El-Esvari ende vazhdon të të përmendë në tubimet e tij për të keq. I tha Amri: -O ti, nuk ia ke dhanë hakun uljes me atë njeri pasi ke bartur fjalët e tij tek unë. Gjithashtu nuk ia ke dhënë hakun uljes me mua pasi më tregove për vëllanë tim diçka që e urrej. Mirëpo tregoji atij se vdekja do të na përfshijë të gjithëve dhe po ashtu varri do të na mbulojë dhe kiameti do të na bashkojë. E Allahu do të gjykojë mes nesh, e Ai është më i miri gjykatës.”

Thotë Umer bin Abdulazizi: “Kush e ka kuptuar se fjalët e tij janë prej veprave të tij, nuk do të fliste përveç asaj që është në dobinë e tij.”

Abdullah el-Hajar thoshte në mexhliset e tij: “O Allah, shpëtona ne dhe shpëtoji besimtarët nga ne!”

Kanë thënë disa nga selefi: “Do t’i paraqiten birit të Ademit kohët e jetës së tij dhe çdo kohë në të cilën nuk e ka përmendur Allahun, do t’i copëtohet shpirti dhe do të jetë dëshpërim për të.”

Ka thënë El-Hasen ibn Beshari: “Qysh prej tridhjetë vitesh nuk kam folur fjalë që kam nevojë të tërhiqem dhe pendohem prej saj.”

Thotë Bishër bin Mensuri: “Ishim te Ejub es-Sehtijani dhe e tepruam në të folur, e na tha mjaft… sikur të doja t’ju tregoja gjithë atë që kam folur sot do të kisha mundësi.”

Një njeri i tha Fudajl bin Ajadit: “Filani po më përgojon mua.” I tha: “Vërtet ai t’i ka dhënë të mirat e tij.”

Thotë Abdu Rrahmen bin Mehdij: “Po të mos e urreja që t’i bëhet mëkat Allahut do të dëshiroja që të mos mbeste asnjë njeri në këtë kohë përveçse të më ketë përgojuar. A ka më lehtë sesa të mirat që gjen njeriu në librin e tij Ditën e Kiametit pa i punuar dhe pa i ditur fare?!”

Një njeri i tha Bekër bin Muhamedit: “Kam dëgjuar se ti po më përgojon mua.” I tha: “Atëherë pra ti qenke më i dashur dhe më i ndershëm tek unë sesa vetja ime!”

Thotë Abdullah bin Muhamed bin Zijad: “Isha te imam Ahmed bin Hambeli dhe një njeri i tha: -O babai i Abdullahut, unë të kam përgojuar, ma bëj hallall.” I tha: -Të qoftë hallall nëse nuk e përsërit. I tha ibën Zijadi: -Apo ia bën hallall e ai të ka përgojuar? I tha: -A nuk më pe se ia kushtëzova atij?

Erdhën disa njerëz te ibni Sirini dhe i thanë: -Ne të kemi përgojuar ty e na e bëj hallall. Ai tha: -Nuk e bëj hallall një gjë të cilën Allahu e ka bërë haram.

Dhe sikur u dha shenjë që të kërkojnë falje tek Allahu dhe të pendohen duke ua bërë hallall atyre.

Një njeri i tha Hasen el-Basriut: -Vërtet filani të ka përgojuar. Ai ia dërgoi një tabaka me hurma dhe i tha: -Kam dëgjuar se më ke dhuruar të mirat e tua e desha që sadopak ta shpaguaj, mirëpo ma bëj hallall se nuk kam pasur mundësi që ta shpaguaj saktësisht.

Transmetohet nga Ebi Umame El-Bahilij (radijAllahu anhu) se ka thënë: “Vërtet robit do t’i jepet libri i tij Ditën e Kiametit dhe sheh në të punë të mira të cilat nuk i kishte punuar dhe thotë: -O Zot, prej nga këto të mira? Dhe i thotë: -Këto janë nga përgojimet që t’i kanë bërë njerëzit pa e vërejtur ti fare.

U është thënë disa njerëzve të urtë: -Ku është urtësia që era e gibetit (përgojimit) dallohej dhe ishte e qartë në kohën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue selem ndërsa sot nuk dallohet?

Thanë: -Për arsye se përgojimi në kohën tonë është shtuar dhe janë mbushur hundët me erën e saj dhe nuk mund ta dallojnë dhe veçojnë erën e gibetit.

Thotë Abdullah Ibnu Mubareku: -I thashë Sufjan eth-Theuriut: -Çka e ka larguar Ebu Hanifen nga përgojimi, nuk e kam dëgjuar kurrë duke e përgojuar as kundërshtarin e tij? I tha: -Ai është më i mençur sesa ta lë përgjegjës për të mirat e tij at që ia humb ato.

Një njeri i tha Abdullah bin Umerit në atë kohë kur ishte emir: -Kam dëgjuar se filani të ka thënë se unë të kam përmendur për të keq. I tha: -Po, është e vërtetë. I tha njeriu: -Më trego çfarë ka thënë, në mënyrë që ta sqaroj gënjeshtrën e tij para teje. Abdullahu i tha: -Nuk dua që ta fyej veten time me gjuhën time dhe mjafton që nuk i kam besuar për atë që ka thënë dhe gjithashtu nuk i ndërpres lidhjet me ty.

Dijeni o vëllezër, Allahu na ruajttë ne dhe ju, se shëmbëlltyra më e mirë është Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue selem), pastaj hulefau err-rrashidunë (katër udhëheqësit e muslimanëve pas Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue selem), pastaj sahabët e tjerë, pastaj ata që i pasojnë ata në të mirë.

Ndërsa nga ai që nuk e njeh Sunetin apo e njeh por nuk punon me të përveç asaj që përputhet me dëshirat e tij, duhet që çdo i mençur të largohet shumë larg tij dhe mos të shoqërohet me të sepse Suneti është ashtu siç e kanë krahasuar dijetarët me anijen e Nuhit alejhi selam, kush hip në të shpëton e kush nuk hip fundoset.

Ki frikë Allahun o rob i Allahut dhe largohu nga ky ves i çoroditur dhe ki kujdes nga gibeti i njerëzve. Mos lakmo atë që është mashtruar me këtë ves e ai nuk e di. Mos ia ndaj të mirat e tua të tjerëve e të mbesësh i varfër Ditën e Kiametit. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej dështimit dhe dobësisë së mendjes.

Dhe së fundi, e lusim Allahun që t’i udhëzojë të gjithë muslimanët!

Paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e fundit Muhamedin (sal-lAllahu alejhi ue selem) dhe mbi shokët e tij në përgjithësi!

Përktheu: Hasim Krasniqi