Dobitë e namazit
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut xhele shanuhu, salavatet qofshin mbi të dërguarin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), familjen e tij, shokët e tij dhe gjithë muslimanët që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.Nuk ka dyshim se falja e namazit ka dobi të shumta dhe mirësi, do t’i cekim inshallah disa prej tyre:
1. Namazi të largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat.
Allahu xhele shanuhu thotë: “Vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve); Allahu e di ç’punoni ju.”2. Namazi është vepra më e mirë pas shehadetit (fjalës ‘La ilahe il Allah’)
Transmetohet se Abdullah ibn Mesudi (radijallahu anhu) ka thënë:
“E kam pyetur pejgamberin (salallahu alejhi ue selem) për veprat më të mira, më tha: ´Namazi në kohën e tij.´” Buhariu dhe Muslimi.
3. Me namaz Allahu xhele shanuhu e ngre robin e Tij dhe ia shlyen mëkatet.
Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë:
“Shpeshtoni sexhdet, se me të vërtetë çdo sexhde që e bën, Allahu xhele shanuhu do të të ngrejë një shkallë dhe do ta shlyej një mëkat” . Muslimi.
4. Namazi është ndriçim për të, në dynja dhe ahiret (në këtë botë dhe botën tjetër).
Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë:
“Përgëzoni ata që shkojnë nëpër errësirë në xhami, sepse ata do të kenë ndriçim të plotë në Ditën e Gjykimit.” Tirmidhiu – shejh Albani ka thënë se hadithi është shih.
5. Namazi i shlyen gabimet dhe mëkatet.
Ka thënë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem): “A e shihni, sikur të kalonte ndonjë lum pranë shtëpive të juaja, dhe sikur ju të laheshit pesë herë në ditë, a thua do t´ju kishte mbetur ndonjë papastërti?” Thanë të pranishmit: “Nuk ka mundësi të mbetet ndonjë papastërti,” Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) tha: “Kështu është çështja e faljes së pesë kohëve të namazit, Allahu xhele shanuhu i shlyen me to mëkatet.” Muslimi.
6. Allahu xhele shanuhu i fal mëkatet që bëhen në mes dy namazeve.
Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë:
“Çdo person që merr abdes ashtu si duhet dhe e fal namazin, Allahu xhele shanuhu do t’ia falë mëkatet që i bën mes këtij namazi dhe namazit që vjen pas tij.” Muslimi.
7. Allahu xhele shanuhu do t’i përgatisë falësit të namazit gosti në xhenet sa herë që shkon për sabah dhe mbrëmje.
Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë:
“Ai i cili shkon në namazin e mëngjesit apo të mbrëmjes, Allahu xhele shanuhu do t’i përgatisë atij gosti në xhenet sa herë që shkon në mëngjes dhe mbrëmje”.. Buhariu dhe Muslimi. (Gosti ka për qëllim atë çka përgatit pronari i shtëpisë për mysafirët e tij.)
8. Ai i cili shkon për ta falur ndonjë namaz në xhami, ai e ka shpërblimin sikur të jetë në namaz derisa të kthehet.
Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem)thotë:
“Çdo person i cili merr abdes ashtu si duhet dhe shkon në xhami, ai është në namaz derisa të kthehet.” Hakimi – shejh Albani ka thënë se ky hadith është shih.
9. Engjëjt luten për falësin e namazit sa të qëndrojë ai në vendin ku është falur.
Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë:
“Engjëjt luten për falësin e namazit sa të qëndrojë ai në vendin ku është falur, duke thënë: ‘O Allah, mëshiroje atë! O Allah, falja mëkatet! O Allah, pranoja pendimin, dhe kështu luten derisa të ngrihet apo të flasë.” Buhariu dhe Muslimi.
10. Namazi i shlyen mëkatet.
Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë:
“Falja e pesë kohëve të namazit, xhumaja deri në xhuma, ramazani deri në ramazanin tjetër, janë shkaktarë për shlyerjen e mëkateve që bëhen mes tyre, nëse i largohemi mëkateve të mëdha.” Muslimi.
Së fundi, e lusim Allahun subhanehu ue teala që të na bëj prej atyre që i kushtojnë kujdes namazit dhe e falin atë në kohën e vet, sepse me të vërtetë vdekja është shumë afër dhe gjëja e parë për të cilën do të japim përgjegjësi para Allahut, do të jetë namazi, e nëse namazin nuk e kemi kryer, atëherë do të jemi në një humbje të madhe.
E lusim Allahun xhele shanuhu të na i falë mëkatet tona, të prindërve tanë dhe të gjithë muslimanëve.
Përgatiti: Eroll Nesimi