BallinaAKTUALEOpinioneDredhia e ardhshme e gruevskianëve

Dredhia e ardhshme e gruevskianëve

 

Dredhia e ardhshme e gruevskianëve

Shkruan: Dren Ajeti

Maqedonia ka stagnuar. Qeveria Gruevski nuk arrin dot ta fus Maqedoninë në NATO; bisedimet me BE-në kanë mbetur në gjysmë; Qeveria harxhon mbi 200 milionë euro për statuja e përkujtimore me qëllim që të krijojë një histori (artificiale) maqedonase, që edhe maqedonasit të kenë me çfarë të krenohen.

Ekonomia nuk zhvillohet ashtu siç premtuan gruevskianët, e mbi të gjitha detyrohen ta ndryshojnë emrin e shtetit në dobi të fqinjit jugor. Andaj, kjo Qeveri ka nevojë ta largojë vëmendjen nga këto dështime dhe siç ndodhi në 20 vitet e fundit, janë shqiptaret ata që duhet luajtur rolin e kurbanit.

Ndodhi vrasja e pesëfishtë (indirekt e paralajmëruar nga një deputet serb në Parlamentin maqedonas një muaj para ngjarjes) dhe duke qenë kufomat ende të nxehta, sulmohen lagjet shqiptare të Shkupit se kinse ata janë fajtor – duke detyruar dhjetëra familje shqiptare të largohen nga shtëpitë e etërve të tyre dhe të vendosen “përkohësisht” nëpër shtëpitë e kushërinjve dhe të shokëve. Doli ministrja e punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, që deklaron se hetimet janë duke vazhduar dhe se vrasjet nuk kanë prapavijë etnike. Kolegu i saj serb, Ivica Daçiq, ofroi ndihmë në zbardhjen e rastit. Mediat serbe fajësuan shqiptarët (thuajse janë më të shpejtë në zbardhjen e rastit se policia maqedonase). Dhe në fund çfarë ndodhi në? Iu kthyen lojës së vjetër që gjithmonë e “ha pazari”: fajtorë janë “radikalët islamikë shqiptarë”.

Arrestojnë në pikë të natës njerëz gjysmë të zhveshur, e harrojnë se radikalët islamikë e kanë “haram” t`i tregojnë kofshët e tyre dikujt tjetër; se e kanë “haram” të mbajnë piktura nëpër mure (por ja që në video shihen aso lloj pikturash), se “mbajnë mjekra” (por, ja që nuk kishin). A mos vallë na qenkan “radikalë ekstremistë modernë” që ecin me hapin e kohës?

S`ka dert, do të shpiket ndonjë term adekuat nga Qeveria dhe policia gruevskiane! Arrestojnë një të moshuar në pension të moshës 60 vjeçare dhe një grua të moshës 64 vjeçare që jetojnë prej vitesh në vetmi, pasi që djemtë e saj jetonin dhe punonin në Norvegji e Zvicër (thuajse s`ka punë më të mençur për të bërë sesa për të vrarë peshkatar).

E më e keqja, arrestuan një ish-ushtar të UÇK-së dhe polici krenohej në video derisa tregonte fotot e të arrestuarit në uniformë. Në fillim u deklarua se bëhet fjalë për tre persona që kanë gjuajtur nga drejtime të ndryshme, e tani na u arrestuan një autobus me “shqiptarë permanent të rrezikshëm”

Shqiptarë, kemi nevojë më shumë se kurrë të jemi të bashkuar kundër dredhive të fqinjëve tanë sllavë që s`na kanë dashur e s`kanë për t`na dashur kurrë. Besimin e shumicës së popullit tonë do ta ndërlidhin vazhdimisht me akte terroriste që kryhen dhjetëra-mijëra kilometra larg vendit tonë, duke nxjerrë paralele prej Bin Ladenit dhe klikës së tij me shqiptarët e duke brohoritur se vetëm shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë.

Nuk kemi nevojë të turpërohemi për historinë dhe besimet tona, se historia dhe besimet tona nuk janë të zhytura në gjak siç është historia e tyre, ku priftërinj ortodoks në vitet `98-`99 dilnin përpara ushtarëve dhe mercenarëve serbë duke bekuar armët e tyre që të vrisnin sa më shumë shqiptarë.

Kemi politikanë të papjekur, egoistë dhe të korruptuar, por si popull qëndrojmë krenarë dhe të pastër pa asnjë brejtje të ndërgjegjes se i kemi bërë dikujt keq siç na siç na është bërë dhe po na bëhet.

 

Opinionet e autorëve nuk paraqesin doemos edhe opinionin e redaksisë së Iniciativës “ISLAMI, feja e Vërtetë”

Must Read