EDUKATA ME KURANIN
Kurani është fjala e Allahut e zbritur mbi Muhamedin alejhi selam. Ai është i paarritshëm në të shprehurit. Ne adhurojmë Allahun me leximin e tij. Është transmetua tek ne në mënyrën tevatur[1]. Fillon me suren El fatia dhe mbaron me suren En Nas. Ky përkufizim vë në dukje vendin e madh që zë Kurani në zemrat e muslimanëve. Ai është origjina e besimit, ligjeve, krenarisë dhe lumturisë së tyre në dynja dhe në ahiret. I Dërguari i Allahut alejhi selam e kishte kuptuar Kuranin dhe e kishte lexuar atë tek Xhibrili, pastaj shokët e Profetit alejhi selam e lexuan atë tek ai dhe u edukuan me moralin e lartë që buronte nga madhërimi që kishin për Kuranin. Allahu i madhërishëm thotë: “Kështu pra është dhe kushdo që madhëron simbolet e Allahut, atëherë kjo është nga devotshmëria e zemrës.”[2]
Disa nga rregullat që duhen pasur parasysh, kur personi dëshiron të lexojë Kuran, janë: të marrë abdes, të gjejë një vend të përshtatshëm për të lexuar e të drejtohet nga kibla sa të ketë mundësi. Allahu thotë: “Me të vërtetë ai është Kurani i nderuar. Një libër i ruajtur mirë. Atë nuk e prekin vetëm se të pastrit.”[3]
Kur myslimani dëshiron të lexojë Kuran, e ka për detyrë të thotë: “Eudhu bil lahi minesh shejtani rraxhijm” sikurse është synet të thuash: “Bismilahi Rrahmani Rrahim” në fillimin e çdo sureje përveç sures Berae, sepse Kurani është rruga e udhëzimeve, kurse shejtani do t’i pengojë besimtarët nga çdo udhëzim. Allahu thotë: “Kur të lexosh Kuran kërko mbrojtjen e Allahut nga djalli i mallkuar”[4].
Pasi thua: “Eudhu bil lahi minesh shejtani rraxhijm. Bismilahi Rrahmani Rrahim” lexon me vëmendje e përkushtim duke medituar në kuptimin e tij. Allahu thotë: “A nuk po e studiojnë me vëmendje Kuranin apo zemrat e tyre janë të kyçura”[5]. Nuk duhet që Kurani të lexohet me nxitim sepse Allahu thotë: “Dhe këndo Kuran me zë të ngadaltë, bukur e qartë”[6]. Kurse në një ajet tjetër thotë: “Mos e lëviz gjuhën kur e këndon atë, që të nxitosh me të. Ne e kemi për detyrë tubimin dhe këndimin e tij”[7].
Kurani këndohet duke e zbukuruar zërin pa e nxjerrë atë nga origjinaliteti i tij. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Gjëja që më ka toleruar më shumë Allahu është zbukurimi dhe ngritja e zërit në këndimin e Kuranit”. Në qoftë se nuk ke mundësi ta lexosh Kuranin bukur, atëherë mundohu që ta shqiptosh atë saktë, sepse Allahu t’i shumëfishon sevapet për shkak të vështirësisë që has në mësimin e tij, si dhe përpjekjeve që bën për shqiptimin e saktë. Kjo nuk do të thotë se ai që nuk lexon mirë nuk do t’i shumëfishohen sevapet edhe në qoftë se ai nuk mundohet t’i ndreqë gabimet për të lexuar mirë. Ky është kuptimi i fjalës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i cili thotë: “Ai që e lexon mirë Kuranin është me melaiket e nderuara, kurse ai që ka vështirësi në lexim ka dy shpërblime”[8].
Kur dikush është duke lexuar Kuran, duhet të heshtim dhe të dëgjojmë me vëmendje. Allahu thotë: “Kur këndohet Kuran, ju dëgjojeni atë dhe heshtni në mënyrë që të fitoni mëshirë”[9]
Kur lexon ndonjë ajet sexhdeje, bën sexhde e kur lexon ndonjë ajet që flet për varrin i kërkon mbrojtje Allahut prej tij. Kurse kur lexon ndonjë ajet që përmend xhenetin, e lut Allahun që të bëjë nga banorët e tij.
Nuk lejohet që Kurani të transmetohet me kuptim. Nëse ajetin që kërkon ta sjellësh si argument, nuk e di përmendësh, atëherë mos e përmend atë, pasi mund të heqësh apo të shtosh pjesë të cilat nuk janë prej tij. Për këtë shkak Kurani duhet mësuar tek dijetarët e tij, sepse profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Sa herë që mblidhen njerëzit në një shtëpi nga shtëpitë e Allahut për të lexuar Kuranin e për ta mësuar atë, zbret qetësia mbi ta, i mbulon ata mëshira, i rrethojnë melaiket dhe i përmend Allahu te krijesat (engjëjt) pranë Tij”[10]
Duhet që Kurani të lexohet vazhdimisht duke caktuar nga një pjesë për çdo ditë. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Përsëriteni, mësojeni dhe praktikojeni Kuranin! Betohem në Allahun se Kurani ikën e largohet më shpejt se sa ikën e largohet deveja nga vendi ku është lidhur.”[11]
Burimi:
Përktheu: Pëllumb Bajrami
Burimijetes.info
[1]Tevatur do të thotë të transmetuarit nga një grup i madh njerëzish që është e pamundur të gënjejnë.
[2]Kuran: El Haxh, 32.
[3]Kuran: El Uakia, 77-79.
[4]Kuran: En Nahl, 98.
[5]Kuran: Muhamed, 24.
[6]Kuran: Muzemil, 4.
[7]Kuran: El Kijame, 16-17.
[8]Buhariu, në tefsirin e sures Abese, nr.4937. Muslimi në “Kitabul salatul musafir”,798.
[9]Kuran: El Araf, 204.
[10]Muslimi, “Kitab edh Dhikr ued dua” 2699.
[11]Buhariu, “Kitab Fadlul Kuran” nr. 5033.