Nga Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se ka thënë: “E kam pyetur të Dërguarin e Allahut (sal-lallahu alejhi ue selem):“Cila vepër është më e dashur tek Allahu?”
– “Namazi që falet në kohën e vet”, – u përgjigj ai.
– Pastaj cila?
– “Mirësjellja me prindërit”, – tha i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem)…” – deri në fund të hadithit. (E shënojnë Buhariu, numër 527 dhe Muslimi, numër 85, 139)
Komenti:
Sahabët” (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) e pyesnin të Dërguarin (sallallahu alejhi ue selem) për veprat e mira, të cilat i do Allahu dhe është i kënaqur me to, me qëllim që me to të afrohen tek Ai.
Në këtë hadith, sahabiu i çmuar, Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), rrëfeu se e ka pyetur të Dërguarin (sal-lallahu alejhi ue selem) për veprat e mira që i do Allahu, e në atë rast i Dërguari (sallallahu alejhi ue selem) i tregoi se vepra më e rëndësishme dhe më e dashur tek Allahu është: “Namazi që falet në kohën e vet”, respektivisht në fillim të kohës së tij. Pra, shpejtimi për faljen e namazit në fillim të kohës së tij është argument se ai ka vullnet për të dhe e do. Kësisoj, kush e do adhurimin ndaj Allahut, Allahu e do atë.
Andaj, muslimanët dhe muslimanet duhet t’i kushtojnë rëndësi të madhe namazit: burrat falen në xhami me xhemat, ndërsa gratë falen në shtëpi në fillim të kohës.
Ajo që duhet të tërheqim vërejtjen është se çdo musliman dhe muslimane duhet t’i dijë kohët e namazit. Çështja e kohëve të namazit është gjë e madhe, sepse ai që qëllimisht e lë namazin pa e falur derisa t’i dalë koha, ka bërë një ndër mëkatet më të mëdha.
Më pas, i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem) përmendi një vepër tjetër të mirë, të cilën e do Allahu i Lartësuar, që është mirësjellja ndaj prindërve.
Mirësjellja ndaj prindërve është ndër veprat më të rëndësishme që të afrojnë me Allahun; është ndër adhurimet më madhështore dhe më të dashura tek Allahu i Lartmadhëruar. Ajo realizohet kur fëmija, mashkull e femër, u bën mirë prindërve me fjalë dhe me vepër, respektivisht duke iu bindur, duke i nderuar, duke u kujdesur për ta, duke mos u bërë keq, qoftë me fjalë, qoftë me vepër, sepse kjo është mosrespektim i prindërve, që është nga mëkatet e mëdha. Allahu i kërkojmë falje dhe shpëtim!
Burimi:
Libri: “Dyzet hadithë për fëmijë”
Autor: Muhamed ibn Sulejman el Muhema