Fjala e mirë
Shpesh dëgjojmë njerëz të shqiptojnë një fjalë që sapo e dëgjon e kupton se shqiptuesi është duke thënë një fjalë që të imponon respekt. Është një fjalë që del thellë nga zemra dhe të ngjall ndjenjën e përkushtimit për atë që po thuhet. Me të drejtë Allahu i Madhëruar e ka quajtur “Fjalë të mirë” dhe e krahason me pemën që i ka rrënjët thellë në tokë, si për të na treguar se edhe kjo fjalë nuk është thjesht shqiptim i disa tingujve në gjuhën arabe, por një fjalë që përmban në vetvete kuptime të thella. Kjo fjalë është shkaku i ekzistencës së gjithçkaje në gjithësi. Pa dashur ta shtojmë kureshtjen se cila na qenka kjo fjalë, do ta paraqesim në rreshtat e mëposhtëm dhe do të tregojmë kuptimin e vërtetë të saj.
La ilahe il Allah (S’ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut)
Kjo frazë mohon ekzistencën e ndonjë të adhuruari tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe vërteton se i adhuruar (Zot) me të drejtë është vetëm Allahu.
1. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Atëherë, dije se nuk ka Zot (të adhuruar me të drejtë) tjetër përveç Allahut.” Muhamed, 19.
2. Profeti alejhi selam ka thënë: “Kush thotë sinqerisht: La ilahe il Allah, hyn në xhenet.” Hadith sahih në librin “El xhamiu”.
I sinqertë (në thënien e kësaj fjale) është ai që e kupton dhe vepron sipas saj, duke i ftuar njerëzit te kjo frazë para çdo gjëje tjetër, sepse në këtë frazë shprehet teuhidi (besimi në Zotin një), e për këtë Allahu i krijoi xhinët dhe njerëzit.
3. I Dërguari i Allahut, pasi u bë Profet, qëndroi në Mekë 13 vjet duke i thirrur idhujtarët në Islam e duke u thënë: “ Thoni: La i lahe il Allah!” Por përgjigja e tyre ishte ashtu siç e tregon Kurani: “Ata (idhujtarët) habiten, ngase u erdhi Profeti nga mesi i tyre, e mosbesimtarët thanë: “Ky është magjistar, gënjeshtar. A mendon ai t’i bëjë zotat Një Zot? Vërtet, kjo është gjë shumë e çuditshme!” Paria nga mesi i tyre shkoi duke i thënë njëri – tjetrit: vazhdoni të jeni të qëndrueshëm në adhurimin e zotave tuaj, se kjo është një gjë e kurdisur. Ne nuk kemi dëgjuar diçka të tillë në popullin (në fenë) e fundit, kjo nuk është tjetër, veçse një trillim.” Sad, 4-7.
Arabët e kuptuan kuptimin e kësaj fraze dhe e dinin se ai që e thotë këtë nuk lut askënd përveç Allahut, ndaj dhe nuk i besuan, e për ta Allahu i Madhëruar thotë: “Për arsye se kur u thuhej atyre: Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, ata e mbanin veten lart. Dhe thoshin: “A do t’i braktisim ne zotat tanë për një poet të çmendur?” Jo, (nuk është siç thonë ata) por ai u solli të vërtetën dhe vërtetoi të dërguarit e parë.” Safat, 35 – 37.
Eshtë për t’u habitur se disa muslimanë e thonë me gjuhët e tyre frazën “La ilahe il Allah”, por e kundërshtojnë kuptimin e saj me veprat dhe lutjen e tyre që nuk ia bëjnë Allahut.
4. Ibn Rexhebi ka thënë: “El ilah është Ai të Cilit i kushtohet bindja dhe nuk kundërshtohet për arsye të autoritetit dhe madhërisë që ka, gjithashtu nga dashuria, frika e shpresa ndaj Tij, duke u mbështetur tek Ai, duke iu lutur dhe duke kërkuar ndihmë prej Tij. Mirëpo tërë këto aftësi mirëbërëse e mbrojtëse nuk i ka askush tjetër përveç Allahut. Prandaj, kush shoqëron ndonjë krijesë në ndonjë gjë prej këtyre çështjeve, që janë atribute të Allahut, ka shkelur sinqeritetin e vet në frazën: La ilahe il Allah (s’ka të adhuruar më të drejtë përveç Allahut), dhe i është robëruar krijesave sipas shkallës së zhytjes së tij në atë robëri.”
5. Fjala: “la ilahe il Allah” i bën dobi atij që e thotë kur ai ta zbatojë kuptimin e saj në jetën e vet dhe të mos e rrëzojë atë kuptim me idhujtari, si duke lutur të vdekurit, ose duke kërkuar ndihmë prej të gjallëve që nuk janë të pranishëm dhe për gjëra që ata nuk kanë mundësi të t’i plotësojnë.
Profeti alejhi selam ka thënë: “Kush thotë: “la ilahe il Allah”, gjen shpëtim një ditë prej ditësh, edhe pse i takon ç’t’i takojë (ndonjë ndëshkim në zjarr) para se të gjejë shpëtimin.” Ky është hadith sahih.
Fjala me të cilën njeriu futet në fenë islame përbëhet nga dy koncepte bazë. Koncepte të cilat duken qartë qysh në pamjen e parë të këtyre tingujve në gjuhën arabe. Fjala “La ilahe” paraqet mohimin e çdo gjëje tjetër që mund t’i shkojë në mendje njeriut se e meriton adhurimin, duke e pastruar zemrën nga çdo adhurim i gabuar. E pasi zemra të jetë bërë e gatshme për të futur në të adhurimin e saktë, ndjenjë kjo (të adhurosh) pa të cilën zemra nuk mund të konceptohet, atëherë vjen pjesa e dytë e kësaj shprehjeje “Il Allah”, ku tregohet pohimi se vetëm Allahu e meriton adhurimin. Pa këto dy kushte bazë nuk mund të realizohet edhe qëllimi madhështor i kësaj fjale kaq të thjesht në lexim e shqiptim. Nuk është i drejtë arsyetimi që mund të bëjë dikush duke u justifikuar se ai nuk adhuron askënd, përfshirë dhe Allahun, duke e marrë si të vërtetë se është e pamundur të mos adhurojë askënd, për të na u arsyetuar se ai e ka zemrën e pastër nga adhurimi i idhujve, e automatikisht është në rregull, sepse ky nuk e ka zemrën vetëm të pastër nga adhurimi i kotë, por e ka dhe bosh nga adhurimi i Allahut, e automatikisht ky person nuk ia ka dhënë hakun kësaj fjale.
Pasi u njohëm me këtë fjalë, me të drejtë themi se ajo është çelës për në xhenet, për në vendin e përgatitur për ata që e njohin dhe i binden Zotit të tyre. Nuk duhet të harrojmë se çdo çelës ka dhe disa dhëmbëza për të hapur derën e përcaktuar për të, e dhëmbëzat e këtij çelësi që e hap derën e xhenetit shkurtimisht mund të përmblidhen në:
1. Dituria mbi kuptimin e kësaj fjale, siç u tregua më sipër.
2. Bindja e plotë për një pohim të tillë pa lënë vend për dyshim në zemrën tënde se Allahu ekziston dhe është i Vetmi që i meriton të gjitha llojet e adhurimit.
3. Pranimi i asaj që kërkon kjo fjalë.
4. Nënshtrimi ndaj domethënies së kësaj fjale.
5. Vërtetësia në pranimin e saj.
6. Besimi me sinqeritet duke shmangur çdo lloj dyfytyrësie nga zemra jote.
7. Ta duam këtë fjalë me kuptimin e saj si dhe t’i duam të gjithë ata që e duan këtë frazë që, siç e përmendëm, është çelësi i derës së xhenetit nëse u përmbahemi këtyre kushteve koncize.
Muhamed Xhemil Zejnu