Fjalë për tu medituar

Meditoni

O ju të mençur, ç’mendoni për atë person i cili pa vullnetin e tij papritur e gjen veten në një qytet të panjohur apo në ndonjë shkretëtirë të pafund, e më pas i vijnë udhërrëfyesit e Atij i Cili e solli aty për ta orientuar drejt rrugës që duhet të ndjekë për t’u kthyer atje ku ishte më parë, në shtëpinë e tij, si dhe duke i treguar se pse gjendet aty? Megjithatë, ky njeri indiferent nuk interesohet fare për përpjekjet e atyre që ia tregojnë rrugën e kthimit, por i kundërshton dhe tregohet agresiv ndaj tyre! E përsëri ata vazhdojnë të sillen mëshirshëm me të, sepse e dinë fare mirë që ky vend nuk është shtëpia e tij e vërtetë. Aq të durueshëm tregohen ndaj tij, saqë edhe pse ai i ofendon e i kundërshton, ata përsëri nuk rendin së këshilluari me të mirë e urtësi.

S’ka dyshim se të mençurit për këtë person do të thonin se fillimishit ai duhet të gjejë atë që e solli në këtë vend të humbur pa dëshirën e tij, pastaj të shohë se ç’qëllim ka pasur. Nëse ky njeri gjen njerëz të cilët e dinë fshehtësinë e dërgimit të tij aty, duhet patjetër të interesohet se a janë besnikë a jo, e po qenë besnikë, del detyrë t’i dëgjojë këshillat e tyre dhe të ndjekë rrugën e tyre. Nëse nuk i bën këto që përmendëm, me të drejtë themi se ky njeri nuk është normal.

E njëjta gjë ndodh me njerëzit sot, ata pa dëshirën dhe pa dijeninë e tyre u gjendën në këtë botë të pashkelur prej tyre më parë. Mirëpo, njerëzit në vend që të kërkojnë të dinë se kush dhe pse i solli në këtë vend për të vepruar sipas qëllimit të atij që paska mundësi të veprojë me njerëzit si të dojë e pa i pyetur fare ata, në mënyrë që të fitojnë kënaqësinë e tij për të mos i ndëshkuar kur të takohen me të, se nuk kanë vepruar sipas planifikimit të tij për ta, ata mashtrohen me kënaqësitë momentale të atij vendi duke harruar se një ditë do të takohen me atë që i dërgoi aty për një qëllim tjetër.

E njerëzit, që nga krijimi i tyre nuk binden lehtë dhe janë të hedhur drejt më të lehtës, jo vetëm që nuk kërkojnë të dinë se pse dhe kush i solli, por dhe kur u vinë atyre lajmëtarët e Krijuesit dhe Dërguesit të tyre në këtë botë, përsëri nuk ua vënë veshin por vazhdojnë në mashtrim pas mashtrimi duke e përmbushur premtimin e armikut të tyre të përbetuar, shejtanit, se do t’i largojë njerëzit nga rruga e Zotit.

Dijetari i njohur Ibn Kajimi na tregon se shtëpia e vërtetë e njeriut është xheneti, vendi ku dhe ishte babai i njerëzimit Ademi, paqja qoftë mbi të, por djalli i mallkuar me mashtrimet e tij e nxori nga aty, kështu që ne jemi emigrant në këtë vend. Jo vetëm që e nxorri babain e njerëzimit dhe rrjedhimisht dhe të gjithë njerëzit më pas, por është betuar se do t’i mashtrojë pafundimisht njerëzit për të mos ua dhënë mundësinë për t’u kthyer më kurrë në shtëpinë e tyre të parë, në xhenetin e përgatitur për ata njerëz që i binden urdhërave të Krijuesit të tyre.

Pra, o njerëz, mendoni, a mos vallë jeni krijuar nga asgjëja apo jeni krijues të vetvetes?! A nuk mendoni se mund të ketë ndonjë dallim në mes jush dhe krijesave thjesht me instikte, që edhe ju, dashur a pa dashur, jetoni pa e pëmbushur qëllimin e krijimit tuaj, sepse nuk keni shanse ta dini një gjë të tillë pa jua treguar Krijuesit tuaj.

Së fundi, e lusim Zotin tonë të na e bëjë të kuptueshme dhe të lehtë përmbushjen e atij qëllimi për të cilin na ka krijuar në mënyrë që të arrijmë shpërblimin e premtuar prej Tij në këtë botë dhe atë të botës tjetër që është e pashmangshme, siç ishte i pashmangshëm dhe krijimi ynë në formën që jemi, edhe pse nuk na ka pyetur kush se si do të na pëlqente të ishim.

Must Read