HAPAVE DREJT NJOHJES SË ALLAHUT
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Për njeriun si krijesë e logjikshme ka argumente të shumta që dëshmojnë dhe tregojnë se ekziston një Krijues shembullor, i Cili ka krijuar çdo gjë që na rrethon, duke nisur këtë krijim pa ndonjë shembull të mëparshëm.
“Ky Krijues është Allahu, Zoti i të gjitha botëve.”
Nëse do të hedhim vështrimin tonë, të shohim qiellin me yje dhe planetet të cilat e zbukurojnë atë, do të habitemi me rregullsinë që ato kanë. Një ndjenjë e brendshme gjithmonë është kureshtare dhe pyet: “Kush është Krijuesi i tyre? Kush është Ai i cili mban rregull në to?!” Ai që është i logjikshëm dhe di të meditojë pa hezitim do të thotë i bindur se Krijuesi dhe rregulluesi i tyre është Allahu, Zoti i botëve.
Nëse njeriu do të shikojë në një gjilpërë, menjëherë do të mendojë se atë e ka bërë një mjeshtër dhe kurrsesi ai nuk pohon dhe pranon që ajo të jetë bërë vetvetiu? Atëherë, po kjo gjithësi me madhështinë e saj e cila çorodit mendjen e çdo njeriu, vallë a mos ka ardhur dhe është krijuar vetvetiu! Kjo gjë kurrë nuk ndodh, por e zëmë se kjo ka ardhur dhe është gjendur vetvetiu, atëherë si mundet që të mbajë gjithë këtë rregull preciz, duke mundësuar që çdo gjë të jetë në vendin e caktuar dhe mënyrën e duhur?! Përsëri ne themi që kjo kurrë nuk ka mundësi, ndaj po japim një shembull të vogël dhe konkret:
Nëse një automjet do të pranonim që ecën pa shofer, si mendoni ju ku do përfundojë ai? Nëse do të pyesim për këtë, dikush do të thotë që do të përplasej e dikush do të thotë se ky automjet do të binte në greminë. Kështu pra është dhe shembulli i gjithësisë e cila nëse do të thellohet njeriu në të, ai vetë do të pranonte se e gjitha kjo ka një Krijues dhe nuk ka mundësi që me gjithë këtë precizitet të ekzistojë pa drejtuesin e saj. E pra nëse do të shohim në qiejt dhe në ato të cilat ato mbajnë -prej yjeve dhe planeteve- dhe toka me lumenjtë dhe pemët e saj, me male që i mban mbi shpinë dhe dete që nuk i kalojnë kufijtë e tyre, tregojnë dhe njëherë se ato nuk kanë ardhur vetvetiu, por e kanë një Krijues të përsosur që i ka bërë ato që të ekzistojnë dhe ky është Allahu. Për këtë Allahu në librin e tij, Kuranin famëlartë të cilin e ka zbritur dritë dhe argument për njeriun thotë: “Vërtet Allahu është krijues e gjithçkaje” Po ashtu në një ajet tjetër thotë: “Allahu është Ai i cili i krijoi qiejt pa shtylla dhe ju jeni dëshmues të një gjëje të tillë”.
Nga krijesat e shumta qe ka krijuar Allahu është dhe njeriu. Allahu i Madhëruar e ka krijuar atë nga balta e argjilit, pastaj nga një pikë uji që vendoset në një vend të sigurt, pastaj gjak i ngjizur dhe më pas e bën atë një copë mishi duke i veshur atij eshtrat dhe e kthen atë në një krijesë tjetër. Allahu i Lartësuar i drejtohet kësaj krijese që është në dyshim për krijimin e saj, duke i thënë: “A mos u krijuan ata nga asgjëja, apo ata vetë janë krijues (të vetvetes)” Allahu këtë krijesë e përsosi duke i dhënë logjikën e të menduarit, gjë me të cilën ai dallon nga krijesat e tjera. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe ne ju nxorëm nga barqet e nënave tuaja, duke mos ditur asgjë” e më pas e pajisi atë me armën me të fortë, logjikën dhe ia nënshtroi atij çdo gjë dhe atë e bëri mëkëmbës në tokë. Allahu thotë: “Dhe Unë në tokë do të vendos mëkëmbës”. Allahu i Lartësuar thotë duke iu drejtuar njerëzve që përdorin logjikën dhe të menduarit e tyre, duke thënë: “Dhe për ju Allahu nënshtroi çdo gjë në qiej dhe në tokë, vërtet për njerëzit që mendojnë thellë ka argumente”.
Vërtet njeriu ka argumente të shumta të cilat e bëjnë të besojë se vërtet ka një Zot dhe të pohojë se Ai është i Vetëm dhe pa shok. Nga këto argumente është edhe qenia se Allahu e ka nënshtruar detin për njerëzit dhe se njeriu është i pafuqishëm për të arritur këtë. Allahu ka bërë që mbi dete të lundrojnë anije dhe njeriu kur është në mesin e detit dhe i shikon dallgët që e rrethojnë nga çdo anë, atëherë i drejtohet Allahut sinqerisht duke iu lutur për ta ndihmuar atë. Allahu ju thotë në Kuran në lidhje me këtë: “E kur ju jeni në anije në mes të detit, dhe Ne ju sjellim një erë të lehtë, ju gëzoheni, por kur shikoni që dallgët ju kanë rrethuar nga çdo anë atëherë i ktheheni Allahut duke e lutur Atë të sinqertë dhe duke e ditur se nuk ka kthim tjetër vetëm se tek Ai, por kur Ne ju nxjerrim në breg ju përsëri ktheheni në gjendjen e përparshme duke e mohuar Allahun”.
Çdo njeri kur ndihet në vështirësi dhe në gjendje kritike i var shpresat e tij në dikë tjetër, duke shpresuar që Ai ta ndihmojë dhe kjo për vet faktin se çdo njeri me dëshirë apo pa dëshirë e ka të rrënjosur dhe është i krijuar me njohjen e Allahut. Allahu thotë për këtë: “(Islami) është feja e pastër në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit, e kështu nuk ka ndryshim në krijimin e Allahut”.
Pra, çdo njeri e ka të brumosur në qenien e tij se vërtet ekziston një Zot, ndaj në lidhje me këtë Profeti ynë, Muhamedi ka thënë: “Vërtet çdo foshnje lind në fenë e pastër Islame, ndërsa prindërit janë ata të cilët e kthejnë atë në çifut, krishterë apo adhurues të zjarrit”.
Po ashtu, nga argumentet që tregojnë për ekzistencën e Allahut është nata dhe dita të cilat me një ritëm të habitshëm ndjekin njëra-tjetrën dhe as nata nuk futet tek dita dhe as dita nuk futet tek nata, por ato ndjekin njëra-tjetrën duke formuar një sistem të përkryer e cila tregon dhe njëherë pamundësinë e ardhjes së kësaj gjithësie nga asgjëja. Allahu në lidhje me këtë thotë: “Dhe Ai është i Cili tokën e shtroi dhe në të vendosi male të qëndrueshme e lumenj. Dhe nga çdo lloj bime e fryti Ai bëri në palë dy e nga dy (në çift dhe në lloj). Ai e sjell natën si mbulesë mbi ditën. Vërtet që në gjithë këtë ka Ajete (prova, tregues, shenja) për njerëzit që thellë mendojnë”. Rrad, 3.
Po ashtu, nga argumentet që tregojnë për ekzistencën dhe njëshmërinë e Allahut, është se Ai ka bërë që nga farërat që duken të vdekura, të mundësojë të mbijnë bimë pasi t’i ketë kapur ato shiu dhe vërtet këto janë fakte që e bëjnë të sigurt se është një Zot i vetëm që i realizon këto gjëra në kohën dhe vendin e duhur dhe se Ai është rregulluesi i çdo çështjeje. Njeriu përpara këtyre argumenteve qëndron i habitur dhe i magjepsur, sepse ato ia marrin mendjen çdokujt dhe njëkohësisht tregojnë forcën e Krijuesit, Allahut. Por Allahu është i cili nga një farë e vetme bën të mbijnë lloje të ndryshme bimësh apo pemësh dhe me shembuj gjerat sqarohen më tepër. Të gjithë ne i shohim bërthamat e farat pa jetë, por pasi i vendosim në tokë habitemi kur nga një lloj dalin disa lloje. Allahu në lidhje me këtë thotë: “Është Ai që Tokën e ka bërë shtrat për ju, që ju ka shtruar rrugët nëpër të dhe që lëshon ujë nga qielli, me qëllim që, nëpërmjet tij, të rriten shumë lloje bimësh të ndryshme. Hani dhe kullotni bagëtinë tuaj! Këto, me të vërtetë, janë shenja për ata që janë mendarë”. Taha, 53-54.
Nga argumentet që tregojnë për ekzistencën dhe njëshmërinë e Tij, është se Allahu ka krijuar njeriun dhe i ka dhënë atij ngjyra dhe gjuhë të ndryshme dhe e ka bërë atë fise dhe popuj, në mënyrë që të dallohen nga njeri-tjetri.
Njerëzit thonë se janë krijuar nga natyra, ju themi atyre: Natyra është e pa logjikshme dhe si ka mundësi që një gjë e pa logjikshme të krijojë diçka të logjikshme (njeriun). Është e natyrshme që Krijuesi të sundojë mbi krijesën. Nëse natyra e krijoi njeriun atëherë si mundet që njeriu ta shfrytëzojë dhe të mbizotërojë mbi të?! Gjithashtu, edhe tek kafshët ka argument që tregojnë për njerëzit se vërtet gjendet një Krijues i vetëm, i pa shokë. Allahu Fuqiplotë thotë: “E nga argumentet e Allahut është se Ai ka krijuar kafshë, prej tyre ka që ecin zvarrë e prej tyre ka që ecin me dy këmbë, e nga kafshët ka që ecin edhe në katër këmbë, vërtet në këtë ka argumente për njerëzit që logjikojnë dhe vërtet Allahu ju ka nënshtruar ju kafshët dhe prej tyre ju përdorni për t’i hipur e disa për përfitime”.
Vërtet bota e kafshëve është e habitshme. Allahu ka bërë që megjithëse kafshët hanë bimë jeshile, pasi ato ushqime bashkohen me gjakun atëherë formojnë qumështin (me ngjyrë të bardhë). Po a ka mundësi të bindet e të besojë ndonjë njëri e të thotë se këto kanë ardhur vërtet rastësisht?! Po nëse njerëzit nuk binden, atëherë lë të pyesin gjarprin se kush e ka bërë atë të jetojë duke qenë se goja e tij është e mbushur plot me helm! Po ashtu, le të pyesim luanin se kush të ka dhënë mëshirë për këlyshët kur ti je egërsirë!
Kush e ka bërë foshnjën e cila kur është në barkun e nënës jeton në ujëra për disa muaj, dhe kur ai del e bëhet një njeri i fuqishëm nuk mund të qëndrojë i zhytur në ujë as edhe disa minuta! Vërtet Ai është Allahu, Zoti i gjithë botëve i Cili ka krijuar gjithçka dhe e ka përsosur atë.
Nëse hedhim një vështrim gjejmë se në Kuran Allahu i drejtohet njerëzve duke i bërë të qartë atyre shumë argumente, në mënyrë që të kuptojnë se vërtet Ai është Krijuesi i Gjithësisë. Nga këto fjalë të Zotit gjejmë dhe ketë: “A nuk i shikojnë devetë se si janë krijuar dhe qiellin se si është ngritur lartë dhe kodrat se si janë vendosur dhe Tokën se si është shtruar?”
Pra, Allahu i përmend këto argumente në mënyrë që njerëzit të përqendrojnë vëmendje në to e ta shikojnë seriozisht këtë çështje dhe të përpiqen të nxjerrin vetë konkluzionin se nuk ka dyshim mbi atë se kjo gjithësi e ka një Krijues, Allahun e Lartësuar.
Përgatiti: Bledar Haxhiu
Burimijetes.info