Allahu i Lartësuar thotë:
﴿ الْحَجُّ أَشْهُرٌ مَعْلُومَاتٌ ۚ فَمَنْ فَرَضَ فِيهِنَّ الْحَجَّ فَلَا رَفَثَ وَلَا فُسُوقَ وَلَا جِدَالَ فِي الْحَجِّ ۗ﴾
“Haxhi kryhet në muajt e caktuar. Për ata që nisin haxhin në këta muaj nuk lejohen marrëdhëniet intime, shkelja e dispozitave të Sheriatit dhe as grindjet…”. [Bekare, 197]
— Dihet se një nga qëllimet kryesore të Haxhit është kultivimi i përuljes para Allahut të Lartësuar dhe afrimi tek Ai me sa më shumë vepra dhe fjalë të mira, duke u larguar nga veprat dhe fjalët e këqija. Vetëm në këto kushte haxhi meriton të quhet “i pranuar” te Zoti i gjithësisë, dhe haxhi i pranuar ka si shpërblim veçse futjen në Xhenet.
Në fakt veprat e mësipërme, që prishin ihramin, nuk janë të ndaluara vetëm gjatë kohës së haxhit, por në çdo kohë qoftë, por gjatë kohës së haxhit, ndalesa e tyre është më e fortë. Çdo vend dhe kohë ka veçorinë e vet, dhe koha e haxhit ka gjithashtu veçorinë e vet.
Mësojeni mirë, të dashur vëllezër e motra besimtare, se kënaqësinë e Allahut të Lartësuar mund ta fitosh vetëm duke u larguar nga haramet dhe duke kryer urdhrat e Tij.
Më tej Allahut i Lartësuar thotë:
﴿وَمَا تَفْعَلُوا مِنْ خَيْرٍ يَعْلَمْهُ اللَّهُ ۗ وَتَزَوَّدُوا فَإِنَّ خَيْرَ الزَّادِ التَّقْوَىٰۗ﴾
“…Çfarëdo mirësie që të bëni, Allahu e di shumë mirë. Pajisuni me gjërat që ju duhen (për rrugë), por pajisja më e mirë është devotshmëria…”.
— Pra, çfarëdo lloj të mire që të kryeni, Allahu e di shumë mirë. Kjo konsiderohet si një nxitje shumë e fortë për të kryer vepra të mira, sidomos në ato vende dhe kohë të bekuara.
Gjatë haxhit, njeriu duhet të përpiqet t’i shtojë sa më shumë veprat e mira, si namazet, agjërimin, sadakatë, fjalët e mira etj.
Pastaj Allahu i Lartësuar na udhëron që të furnizohemi mirë për këtë udhëtim të bekuar, sepse ka shumë dobi. Nëse merr furnizim të nevojshëm, je i pavarur, madje mund të jesh një ndihmë e madhe për ta. Kështu mund të marrësh edhe sevapin e ndihmës ndaj mysafirëve e udhëtarëve.
Ky ishte furnizimi i nevojshëm për kryerjen e këtij adhurimi. Ndërsa furnizimi që ka vlerë përgjithmonë, madje është i domosdoshëm për çdo njeri që kërkon suksesin dhe shpëtimin në jetën e dynjasë dhe në jetën e ahiretit, ai ka një emër tjetër: ai quhet “devotshmëri”. Ky është furnizimi i domosdoshëm për të mbërritur “shëndoshë e mirë” në Vendin e Përjetësisë (Në Xhenet), ku kënaqësitë dhe lumturia nuk kanë fund. Ndërsa ai që nuk është pajisur ende me devotshmëri, do ta ketë të vështirë këtë rrugë, e ndoshta mund të mos arrijë kurrë në destinacionin e të devotshmëve.
Ky është një vlerësim shumë i lartë për cilësinë e devotshmërisë, prandaj Allahu i Lartësuar i urdhëron të diturit, të urtët, e të mençurit, që të përpiqen seriozisht për t’u pajisur me këtë virtyt të çmuar, duke thënë:
﴿ وَاتَّقُونِ يَا أُولِي الْأَلْبَابِ﴾
“Mua të më keni frikësoheni, o ju njerëz të mendjes!”
- Kuptimi: O njerëz të mençur, që keni dituri dhe logjikë të drejtë, ruajuni ndëshkimit dhe zemërimit të Zotit tuaj, duke u pajisur me devotshmëri!
Allahu i urdhëron që të jenë të devotshëm, sepse kjo cilësi ua nxjerr në pah mençurinë dhe diturinë. Madje, braktisja dhe shpërfillja e devotshmërisë ëshët tregues i injorancës dhe i mendjelehtësisë së njeriut.
[Tefsiri i Sa’dit, vëll. 1, fq. 169-171.]