Humbja e namazit të sabahut nuk është vetëm humbje, por edhe dënim i rëndë.
Nga Semurete b. Xhundubi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut u fliste mjaft shokëve të vet: “A ka parë ndonjë prej jush ndonjë ëndërr?” Atij do t’ia rrëfente ëndrrat e veta ai të cilat Allahu i ka dhënë ta bëjë.
Një mëngjes i Dërguari i Allahut na tha: “Mbrëmë më kanë ardhur dy njerëz dhe më thanë: Çdo gjë lëre dhe eja me ne. Unë shkova me ta dhe hasëm një njeri të shtrirë, kurse njeriu tjetër mbi të qëndronte me një gur, me të cilin në çast ia dërrmoi kokën (e atij që ishte shtrirë), duke e hedhur prej së larti mbi të. Guri në kokën e tij të dërrmuar u ndal. Njeriu që e hodhi gurin u ul ta marrë atë; kurse ai me kokë të dërrmuar për një çast u shërua siç edhe ka qenë, koka e tij u kthye në gjendjen e mëparshme. E pastaj njeriu me gur e përsëriti veprimin e tij dhe bëri ç’bëri herën e parë”. (Pejgamberi alejhi selam) Ka thënë: “Atyre të dyve me të cilët kam udhëtuar u kam thënë: Subhanall-llah (Lavdia i qoftë Allahut), ç’është kjo? Ata të dy më thanë: ‘Vazhdo, ec!…Pas kësaj Muhamedi alejhi selam sheh raste të shumta… vazhdon hadithi… dhe në fund ia shpjegojnë të Dërguarit tonë ato raste që kishte parë dhe nuk i kuptonte. I thanë: Sa i përket njeriut të parë, tek i cili erdhëm, koka e të cilit dërrmohej me gur, ky është njeriu që e ka marrë (në krye) Kur’anin, e pastaj e ka refuzuar dhe ka fjetur pa i falur namazet e obliguara. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Fjala e Muhamedit alejhi selam: “… dhe ka fjetur pa i falur namazet e obliguara”, është tema jonë!
Cilat janë ato namaze në kohën e të cilave jemi fjetur dhe nuk zgjohemi për t’i kryer?
S’ka pikë dyshimi se ai është namazi i sabahut vëllezër!
Atëherë puna nuk qëndron vetëm tek humbja e shpërblimeve, por ka edhe ndëshkim të dhembshëm.
Faluni vëllezër dhe mos e neglizhoni namazin.
Allahu na ruajttë nga dënimi i Tij!
Përktheu: Valdet Kamberi