BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirJA SE SI E SHOHIN JETËN E KËSAJ BOTE BESIMTARËT DHE JOBESIMTARËT

JA SE SI E SHOHIN JETËN E KËSAJ BOTE BESIMTARËT DHE JOBESIMTARËT

JA SE SI E SHOHIN JETËN E KËSAJ BOTE BESIMTARËT DHE JOBESIMTARËT

Allahu i Madhëruar thotë: “Atyre që nuk besojnë u është hijeshuar jeta e kësaj bote, e madje tallen me ata që besojnë. Por ata që e ruajnë devotshmërinë do të qëndrojnë sipër tyre Ditën e Kiametit. Allahu begaton pa masë atë që Ai dëshiron.” El Bekare, 212.

Shpjegimi i ajetit

– “Atyre që nuk besojnë u është hijeshuar jeta e kësaj bote, e madje tallen me ata që besojnë…”

Këtu flitet për ata që mohojnë Allahun, që shpërfillin argumentet e Tij, nuk u binden profetëve të Tij dhe nuk i nënshtrohen ligjit të Tij. I Madhëruari na tregon se këtyre njerëzve u është zbukuruar dhe u është bërë shumë e dashur kjo botë. Ajo është bërë shumë e dashur për zemrat e tyre dhe shumë e bukur për sytë e tyre. Ata e gjejnë prehjen dhe kënaqësinë në këtë botë. Dëshirat, ëndrrat, qëllimet dhe veprat e tyre janë të lidhura vetëm me të.

Ata i përkushtohen kësaj jete totalisht, dhe me të gjithë qenien e tyre. Ata janë gjithnjë të zënë me grumbullimin e të mirave të saj. Në zemrat e tyre kjo botë zë një vend mjaft të rëndësishëm. Ata i adhurojnë bukuritë e saj dhe nderojnë këdo që arrin të grumbullojë shumë prej saj. Ndërsa me besimtarët, të cilët nuk e vlerësojnë dynjanë më shumë sesa e meriton, ata tallen e thonë: “Këta na qenkan të zgjedhurit e Zotit?! Këta ka zgjedhur Zoti për t’u falur mirësi?!” Shikoni se sa i mangët është vështrimi i tyre për jetën. Ata mendojnë se njerëzit më të mirë janë ata që kanë më tepër pasuri. Por këta të mjerë nuk e dinë se dynjaja është veç një vend sprove, për të bërë sa më shumë vepra të mira.

A nuk e shohin ata se në këtë jetë goditen me fatkeqësi edhe besimtarët, edhe mohuesit? Por besimtarët, edhe kur sprovohen me ndonjë fatkeqësi, imani i ndihmon që të bëjnë durim, duke llogaritur shpërblimin nga Allahu. Imani ua lehtëson atyre përballimin e sprovave të dynjasë, gjë e cila nuk ndodh aspak me jobesimtarët. Përfundimisht, Allahu i Lartësuar nuk i mat gradat e njerëzve me pasuri apo me ofiqe të kësaj dynjaje, por Ai sheh vetëm devotshmërinë ndaj Tij. Megjithatë, këto grada do të duken qartë në Ditën e Kiametit, siç thotë Allahu i Lartësuar:

– “Por ata që e ruajnë devotshmërinë do të qëndrojnë sipër tyre Ditën e Kiametit.”

Atë ditë do të duken gradat e larta dhe njerëzit që i meritojnë ato. Më lart do të qëndrojnë ata që janë të pajisur me devotshmëri, të cilët i ruhen zemërimit dhe ndëshkimit të Zotit të tyre duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, të shtyrë nga madhërimi dhe dashuria për Atë.

Të tillët do të shijojnë çdo lloj kënaqësie dhe do të jenë të lumtur. Ndërsa qafirët do të jenë shumë poshtë, të zhytur në shtresat më të ulëta të zjarrit të Xhehenemit. Atje do të vuajnë pa fund ndëshkimin, poshtërimin dhe dëshpërimin përjetësisht, sepse e meritojnë. Kështu, ky ajet është njëkohësisht sihariq për besimtarët dhe kërcënues për qafirët. Mirësitë e kësaj bote dhe të tjetrës janë në dorë të Zotit, i Cili i shpërndan ato sipas urtësisë së Tij.

– “Allahu begaton pa masë atë që Ai dëshiron.”

Mirësitë e kësaj bote u jepen edhe besimtarëve, edhe qafirëve, ndërsa mirësitë që kanë të bëjnë me zemrën, siç janë dija e sigurt dhe e dobishme, imani i fortë, dashuria për Allahun, shpresa për shpërblimin e Tij dhe frikë-respekti ndaj Tij u jepen veçse të nderuarve, të përzgjedhurve.

Tefsiri i Sadit
Përktheu: Uthman Agolli

Must Read