BallinaPraktikaRamazaniJU KA ARDHUR RAMAZANI

JU KA ARDHUR RAMAZANI

Lavdia i takon Allahut. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhamedin (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të). Mirë se erdhe muaj i bekuar! Mirë se erdhe muaj i faljes dhe i mëshirës!
I nderuar mik, pas një pritjeje të gjatë dhe pas një viti të plotë, prapë po na viziton. Gjatë kësaj kohe shumë njerëz vdiqën dhe shumë të tjerë lindën, shumë njerëz përjetuan lumturinë dhe shumë të tjerë shijuan hidhërimin.
Të nderuar muslimanë!
Me mall dhe dëshirë, me gëzim dhe hare ua shprehim këto ndjenja edhe të tjerëve. Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) i përgëzonte besimtarët me ardhjen e muajit të bekuar, në të cilin hapen portat e faljes dhe njëkohësisht mbyllen dyert dhe hyrjet e së keqes. Pa dyshim që urimi i Muhamedit (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) na përgëzon: “Ju ka ardhur Ramazani, muaj i bekuar. Allahu ua ka obliguar agjërimin e këtij muaji. Në këtë muaj hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e xhehenemit, lidhen në pranga shejtanët. Allahu në këtë muaj ka (veçuar) një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga të mirat e kësaj nate, është privuar nga çdo e mirë.” (Nesaiu).  Pse të mos gëzohet besimtari nga muaji i bereqetit, i dhuratave, i namazit, i durimit, i faljes, i pendimit, i devotshmërisë, i mëshirës, i pastërtisë, bamirësisë, i fitores, i ngadhënjimit…?
Mirë se vjen musafir i nderuar dhe ne gëzohemi me Ramazanin, muajin më të nderuar ndër muajt dhe ditët më të ëmbla ndër ditët.
Mirë se vjen pas një pritjeje të gjatë e të përmallueshme!
Mirë se vjen i nderuari mik, me erën tënde të këndshme do të kënaqen zemrat tona, me vizitën tënde do të na pastrosh nga gjynahet dhe do të na mbulosh të metat. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Vetëm Mirësisë së Allahut dhe Mëshirës së Tij le t’i gëzohen. Kjo është më e mirë se ajo (pasuri) që ata grumbullojnë.” (Junus, 58).
Dymbëdhjetë muajt janë si shembulli i bijve të Jakubit alejhi selam; muaji i Ramazanit në mesin e muajve është si Jusufi alejhi selam në mesin e vëllezërve. Ashtu siç ishte Jusufi alejhi selam më i dashur për Jakubin alejhi selam, edhe muaji Ramazan është ndër muajt më të zgjedhur të Krijuesit. Jusufi alejhi selam ishte i sjellshëm dhe i mëshirshëm ndaj vëllezërve, me gjithë sjelljen e tyre të egër. Ai me butësi dhe falje i amnistoi duke u thënë: “Asnjë qortim për ju këtë ditë, Allahu ju fali dhe Ai është më Mëshirëploti se çdo mëshirues!” (Jusuf, 92).
Po kështu, ky muaj do të jetë falje dhe mëshirë për besimtarët, prangosje e shejtanëve.
Gëzohu me faljen e Allahut të Lartësuar. Gëzohu që Ai të dha mundësinë e përmirësimit dhe të pendimit. Gëzohu me hapjen e dyerve të xhenetit dhe mbylljen e dyerve të xhehenemit.
Në fund, e lus Allahun e Lartësuar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të Larta të na ndihmojë në përmendjen dhe falënderimin e Tij të sinqertë.
Allahu im! Na mundëso që në këtë muaj ta shijojmë kënaqësinë e adhurimit Tënd!
Allahu im! Sundues i Arshit të madh, më ndihmo të të
falënderoj!

 

Libri: PANORAMA E RAMAZANIT
Përmblodhi: Ulvi Fejzullahu
Redaktoi: Arian Koçi

Must Read