Katër hadithe, kush i mëson përmendësh dhe i zbaton, i përmbledh bazat e moralit dhe edukatës.
I pari: hadithi që e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë!”
I dyti: hadithi që e transmeton Tirmidhiu nga Alij ibn Husejni, se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Vërtet, prej Islamit të mirë të njeriut është lënia e asaj që nuk i bën dobi. (Në dunjanë apo në fenë e tij)”
I treti: hadithi që e transmeton Buhariu nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu:
Se një njeri i tha Pejgamberit ﷺ: “Më këshillo!” Ai (ﷺ) i tha: “Mos u zemëro!” Njeriu përsëriti kërkesën (për këshillë) disa herë, e ai i thoshte: “Mos u zemëro!”
I katërti: hadithi që e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Enesi, radijAllahu anhu, se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Askush prej jush nuk beson derisa t’ia dojë vëllait atë që ia do vetes.”
Ebu Muhamed Ibn Ebi Zejd el-Kajrauanij ka thënë:
“Tërësia e edukatës së mirë dhe boshti i saj degëzohet në katër hadithe…”
dhe i ka përmendur këto katër hadithe.
Hadithi i parë udhëzon si të frenohet gjuha, duke menduar dhe duke medituar (njeriu) për atë që do ta thotë, që nëse ka diçka të mirë ta thotë, e nëse ka diçka të keqe ta mbajë (pa e thënë), ndërsa nëse i përzihet e nuk e di se a është diçka e mirë apo jo, prapë e mban (pa e thënë). Kushdo që nuk është i aftë ta frenojë gjuhën e vet, nuk është nga ata që kanë moral të mirë.
Hadithi i dytë udhëzon si të lihen gjërat e panevojshme, nga fjalët, dëgjimi, shikimi e të ngjashme.
Hadithi i tretë udhëzon si të frenohet nefsi dhe si të mos (i) nënshtrohet (njeriu) emocioneve të nefsit dhe vrullit të tij.
Hadithi i katërt udhëzon si të jetë zemra e besimtarit në selamet karshi vëllezërve të tij muslimanë, e të mos ketë në atë zemër keqdashje, urrejtje, zili apo diçka tjetër nga sëmundjet e zemrës.
- Shejh AbduRrezak el-Bedr në “Sherh Shemail en-Nebij ﷺ”