Abdullah ibën Amri tregon se i dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha: “Kur të shtini në dorë persët dhe romakët, ç’njerëz do të jini?”. Abdurrahman ibën Aufi i tha: “Do themi ashtu siç na ka urdhëruar Allahu”.
I dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Apo ndryshe? Do të garoni, pastaj do të smiroheni, pastaj do t’i ktheni shpinën njëri-tjetrit, pastaj do të urreni njëri-tjerin, e më pas do t’u ktheheni muhaxhirëve të varfër e do t’i bëni prijësa të të tjerëve”.
Këtë hadith e transmeton imam Muslimi në Sahihun e tij, në kapitullin e zuhdit dhe të virtyteve.
I dërguari i Allahut sallallahu alejhi ue sellem ishte ulur mes shokëve kur i pyeti si do të jenë e si do të sillën kur të sundojnë botën e t’u hapen portat e dynjasë? Abdurrahmani r.a. u hodh dhe u përgjigj se do të jenë ashtu siç i ka urdhëruar Allahu, falenderues dhe mirënjohës.
U përgjigj kështu; ngase kujtoi se profeti po i pyeste për të parë gadishmërinë dhe qëndrimin besnik të tyre ndaj vijës profetike, pas tij. Në fakt, i dërguari i Allahut s.a.v.s. dëshironte t’i paralajmëronte nga disa sjellje të këqija që do të shfaqeshin në mesin e muslimanëve, pasi të shtijnë në dorë dy perandoritë më të mëdha të kohës dhe të mirat e dynjasë t’u vërshojnë. Qëllimi i profetit ishte tërheqja e vërejtjes prej këtyre sjelljeve rrënuese të shoqërisë, për t’u thënë sahabëve të ruhen e të mos jenë si ata që do të vinë më vonë.
Në këtë hadith profeti paralajmëroi për katër sjellje negative:
E para: Garimi për të mirat materiale. Neveviu rahimehullah shpjegon që fjala garim (tenafus – تنافُس) nënkupton përpjekjen për të arritur i pari tek ajo gjë dhe mospëlqimin që dikush tjetër ta arrijë më parë. Kjo është grada e parë dhe më e ulët e hasetit. Ndërsa haseti është dëshira që dikujt t’i largohet ajo mirësi që e ka.
E dyta: Haseti dhe smira mes njëri-tjetrit. Folja e përdorur në hadith ka ardhur në formën reciproke. Pra haseti që do t’ju godasë do të jetë një dukuri e shfaqur në shoqëri.
E treta: Kthimi i krahëve dhe braktisja e njëri-tjetrit. Për fjalën (tedabur – تَدابُر) në këtë hadith, imam Neveviu thotë se është ndarja dhe shkëputja nga njëri-tjetri, por duke mbetur një farë ndjenje dashamirësie, ose shkëputje por pa urrejtje e dashamirësi. Kjo fjalë rrjedh nga fjala (dubur – دُبُر) e cila vjen me kuptimin pas dhe mbrapa. Pra, kuptimi është që nuk do t’ia dini për njëri-tjetrin, përkundrazi, do t’i ktheni njëri-tjetrit shpinën dhe kurrizin.
E katërta: Urrejtja e njëri-tjetrit. Imam Neveviu thotë që urrejtja e ndërsjelltë është një gradë më e lartë ndarjeje dhe shkëputje se grada e mëparëshme. Prandaj edhe këto sjellje kanë ardhur të renditura në hadith në një formë zmadhuese, nga më e lehta te më e rënda.
Që një musliman të jetë vërtet në rrugën e të hershmëve të këtij umeti (selefit), ai duhet patjetër të kurojë veten nga këto vese dhe sjellje të shëmtuara.
Vërejtje: Ky hadith dhe të tjerë si ky, nuk dëshmojnë aspak se shokët e profetit s.a.v.s, pas vdekjes së tij, do të binin në këto gjynahe. Fjalët drejtuar sahabëve janë fjalë paralajmëruese, duke ditur që sahabët do t’ua përçonin këto paralajmërime dhe këshilla atyre që do të hynin në islam, në të ardhmen. Fjalët e profetit u janë drejtuar drejtpërdrejt sahabëve, pra në vetën e dytë; sepse këshillat dhe paralajmërimet prej sjelljeve të shëmtuara janë të përgjithshme, për të gjithë muslimanët, të drejtët dhe të padrejtët, të bindurit dhe të pabindurit, të herëshmit dhe të mëvonshmit.
Ndërsa njoftimi për shfaqjen në të ardhmen të një kategorie njerëzish, të cilët do të ndjekin rrugën e shtrembër është i pjesshëm, jo përgjithsues dhe përfshirës; sepse e mira në umetin tonë do të gjendet gjer në fundin e kësaj bote. Pas çlirimit të vendeve të përmendura në hadith, sahabët, sidomos ata që kishin jetuar e shoqëruar një farë kohe profetin, nuk arrinin as 1% të popullatës muslimane dhe shfaqja e këtyre cilësive në mesin e disa muslimanëve, apo në raste sporadike nuk nënkupton që edhe sahabët kanë qenë të tillë.
Nëse profeti s.a.v.s. do të ishte i informuar, se pas vdekjes së tij ata do të devijonin kësi devijimesh, nuk kishte për t’u ulur me ta, t’i donte e t’i lavdëronte. Në fakt, fjalë të tilla janë këshilla dhe paralajmërime, asgjë më tepër.
Shkurtimisht, hadithi si këshillë për sahabët dhe çdo musliman deri në fund të kohës është i përgjithshëm dhe përfshirës, por i pjesshëm si lajm dhe njoftim se disa muslimanë do të bien në sjellje dhe sprova të tilla dhe Allahu është më i ditur.
Hoxhë Florian Leli