BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirKështu fitohet begatia e Ramazanit ?!

Kështu fitohet begatia e Ramazanit ?!

Kështu fitohet begatia e Ramazanit ?!

 

Ez-Zuhriu, dijetari i madh në kohën e tabi’inëve, thoshte: “Ramazani është i karakterizuar nga leximi i Kuranit dhe bamirësia”.
Këto dy vepra kanë qenë praktikë e pandashme e Profetit(alejhi selatu ue selam) në Ramazan.
Ibën Abasi thoshte: “I Dërguari i Allahut (alejhi selatu ue selam) ka qenë njeriu më bujar, dhe bujarinë më të madhe e shfaqte në Ramazan, muaj në të cilin takohej me Xhibrilin(alejhi selam). Ai takohej me të çdo natë të Ramazanit, duke e studiuar me të Kuranin.
Në Ramazan, i Dërguari i Allahut (alejhi selatu ue selam) ishte më i shpejtë në bujari sesa era kur fryen”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Pra, përveç agjërimit, i cili është obligimi kryesor, Profeti (alejhi selatu ue selam) shtonte dhe dy vepra të tjera për të fituar mirësinë e këtij muaji:
a- Leximin e Kuranit, sepse Ramazani është muaji i Kuranit. Ky lexim mund të bëhet në namaz, gjatë teravive, ose edhe jashtë namazit.
b- Bujarinë, Këtë ai e shfaqte duke ushqyer të uriturit dhe nevojtarët, si dhe duke u dhënë sadaka (ndihmë financiare) të varfërve. Ushqimi më i mirë që ofrohet gjatë muajit të Ramazanit është t’u shtrosh iftar agjëruesve.

Kjo, sepse Profeti (alejhi selatu ue selam) ka thënë: “Kush i shtron iftar një agjëruesi, do ta ketë shpërblimin njësoj si ai, pa u pakësuar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit”. (Transmeton imam Ahmedi. Albani e ka vlerësuar Sahih).
Kulmi i begatisë së Ramazanit gjendet në dhjetë netët e fundit të tij, kjo sepse midis atyre netëve gjendet Nata e Kadrit, e cila është e dalluar për shumë veçori, ndër të cilat përmendim:

1- Zbritja e Kuranit në këtë natë. Argument për këtë, është fjala e Allahut të Madhëruar: “Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në Natën e Kadrit”. (Kuran, El Kadr 1).

2- Punët e mira në këtë natë shumëfishohen. Kjo veçori është ndër shkaqet kryesore që e bëjnë atë natë më të vlefshme se njëmijë muaj, siç thotë Allahu në Kuran: “Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj”. (Kuran, El Kadr 3).

3- Këtë natë zbresin engjëjt, dhe veçanërisht engjëlli Xhibril, siç thotë Allahu në Kuran: “Në të zbresin engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili) me caktimin e çdo gjëje”. (Kuran, El Kadr 4).

4- Kush e kalon këtë natë duke u falur dhe duke adhuruar Zotin, i falen të gjitha gjynahet e kaluara, siç ka thënë Profeti (alejhi selatu ue selam) : “Kush e përjeton natën e Kadrit me adhurim ndaj Zotit, me besim të sinqertë dhe duke shpresuar shpërblimin, do t`i falen mëkatet që i ka bërë më herët.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).
Për të arritur begatinë e kësaj nate, Profeti (alejhi selatu ue selam) i kalonte dhjetë ditët e fundit të Ramazanit i ngujuar në xhami (bënte itikaf), siç tregon Aisheja: “Profeti (alejhi selatu ue selam) ka bërë itikaf dhjetëditëshin e fundit të çdo ramazani, derisa ndërroi jetë”.
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

 

Autor:     Udha e besimtarëve
Titulli:     Flladi i ramazanit 2017
Formati:  3.5 x 5.5
Faqe:      48
Botues:   Udha e besimtarëve
Viti:        2017
Vendi:     Tiranë, Shqipëri

Must Read