BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirKthehuni te Zoti juaj (me pendim)

Kthehuni te Zoti juaj (me pendim)

Mos u vono, nuk i dihet!

Allahu i madhëruar thotë: “Thuaj: O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar shpirtin tuaj me shumë gjynahe! Mos e humbni shpresën në Mëshirën e Allahut! Allahu i fal të gjitha gjynahet. Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” Kthehuni te Zoti juaj (me pendim) dhe dorëzojuni Atij para se t’ju vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë!. (Ez-zumer 53 – 54)

Shpjegimi i ajeteve

Allahu i Lartësuar i njofton robërit e Tij që e kanë ngarkuar veten me shumë gjynahe për bujarinë dhe mëshirën e Tij të madhe.

Ai i nxit ata që të pendohen dhe të kthehen në adhurimin dhe bindjen ndaj Tij, para se të vijë ajo kohë kur nuk do të kenë mundësi që të kthehen.

Allahu i Lartësuar i thotë Profetit -alejhi salatu ue selam- dhe të gjithë atyre që kryejnë detyrën dhe misionin e profetëve, si dijetarët dhe ata që merren me ftesën e njerëzve në fenë e Tij, që t’u japin njerëzve një lajm të mirë shumë të rëndësishëm rreth Zotit:

– Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar shpirtin tuaj me shumë gjynahe! Mos e humbni shpresën në Mëshirën e Allahut! Allahu i fal të gjitha gjynahet.”

O ju njerëz, që e keni ngarkuar veten me gjynahe dhe keni shkuar pas dëshirave tuaja, edhe pse kjo shkakton zemërimin e Allahut, që është i Gjithëditur rreth çdo të fshehte: “Mos e humbni shpresën në Mëshirën e Allahut! Allahu i fal të gjitha gjynahet. Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.”

Pra, kurrë mos e humbisni shpresën dhe të shkoni me këmbët tuaja drejt shkatërrimit duke thënë: Unë tashmë jam i humbur, sepse gjynahet e mia janë të shumta dhe nuk ka asnjë rrugë për faljen e tyre dhe rregullimin e të metave të mia.

Nëse bëni këtë gabim të madh do të vazhdoni të zhyteni thellë e më thellë në gjynahe dhe do të këmbëngulni në mosbindje ndaj Zotit.

Humbja e shpresës do të bëjë që vazhdimisht të ngarkoheni me ato vepra që e zemërojnë të Gjithëmëshirshmin.

Përpiquni të njihni Zotin tuaj me Emrat dhe Cilësitë e Tij, që tregojnë bujarinë dhe bamirësinë e Tij dhe dijeni se Ai i fal të gjitha gjynahet dhe gabimet, nëse pendoheni. ‘Të gjitha’ do të thotë ‘të gjitha pa përjashtim’, duke nisur nga shirku, vrasja, imoraliteti, fajdeja, padrejtësitë e çdo lloji dhe të gjitha llojet e gjynaheve, të mëdha dhe të vogla.

– Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.

Falja e madhe dhe mëshira janë atribute të përhershme të Allahut, që kurrë nuk mund të kuptohet dhe mendohet Ai pa ato.

Këto dy atribute vazhdojnë të lënë gjurmët në gjithësi dhe e mbulojnë atë me mirësi.

Dy Duart e Tij janë shtrirë dhe japin mirësi natën dhe ditën. Në mënyrë të vazhdueshme dhe të njëpasnjëshme,

Ai zbret mirësi për robërit, Ai e bën këtë haptazi, që mirësitë të shihen dhe të dihen nga njerëzit, por edhe fshehtazi, që ata as të mos e ndiejnë dhe kuptojnë diçka të tillë.

Të japë dhe dhurojë është shumë më e dashur për Zotin, sesa të privojë dhe ndalojë.

Mëshira e Tij ia kalon zemërimit të Tij dhe është më e madhe se ai.

Falja dhe mëshira e Zotit ka rrugë e shkaqe, nëpërmjet të cilave mund të fitohet.

Nëse robi i shpërfill këto rrugë e mënyra dhe nuk i kryen ato, kjo do të thotë që robi ia ka mbyllur vetvetes dyert për arritjen e faljes dhe mëshirës së Allahut.

Dijeni se më e madhja portë që mund të arrish tek falja dhe mëshira e Zotit, madje e vetmja mënyrë është kthimi e nënshtrimi para Tij me pendim të sinqertë, lutje e përgjërim, adhurime dhe përkushtime të sinqerta për Zotin

Nxitoni drejt kësaj rruge dhe kësaj porte të mrekullueshme për faljen dhe mëshirën e Allahut të Lartësuar.

Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar na urdhëroi për kthim tek Ai:

– Kthehuni te Zoti juaj (me pendim)

Kthehuni tek Zoti juaj me zemrat tuaja, të penduar dhe të gatshëm për t’iu bindur e nënshtruar Atij.

Burimi:
Tefsiri i Sadit
Burimijetes.info

Must Read