Ku është vendi i të çmendurve në botën tjetër?
Pyetje: Selam alejkum shejh Omer kam nevoj me ma sqaru kete pytje kam ndegju se njerzit e qmendur do te hyn ne xhehenem arsya se Allahu ju thot hini ne xhennet e ata thojn a po tallesh me neve e Allahu i fut ne zjarr sa asht e vertet apo a ka diqka per keta Allahu te shperbleft.
Përgjigje:
Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Së pari, njerëzit e çmendur në këtë botë nuk janë të obliguar me obligimet e Islamit, dhe pët ta është i ngritur lapsi. Thotë Muhamedi (salallahualejhi veselem): “Është ngritur lapsi ndaj tre personave: Ndaj të çmendurit deri të vjen në vetëdije, atij që është në gjum deri të zgjohet, dhe atij që është femijë deri të hyn në moshë madhore”. (Transmeton Imam Ahmedi, Ebu Davudi dhe Hakimi, dhe Shejh Albani e cilëson hadithin si të vërtetë).
Ndërsa sa i përket qëndrimit të Islamit për të çmendurit në ditën e gjykimit, dijetarët për këtë janë ndarë në dy mendime:
-Ndalja në këtë, duke mos thënë se janë në Xhenet apo në Xhehenem, dhe duke e lënë këtë vetëm në diturinë e Allahut (azzevexhel),
-Provimi i tyre në ditën e gjykimit, siç është përmendur në hadithin të cilin e transmeton Imam Ahmedi me zinxhirë të vërtetë, se Muhamedi (salallahu alejhiveselem) thotë: “Katër lloje njerëzish do të arsyetohen ditën e gjykimit: I shurdhëri i cili nuk ka dëgjuar, i vjetri (plaku i cili nuk ka kuptuar), i çmenduri dhe njeriu i cili ka vdekur në kohën e fetras (që nuk i ka arritur lajmi i Islamit).” Deri ku thotë: “Allahu do të dërgojë një të dërguar i cili do t’u thotë: Hyni në zjarr, e pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti im, nëse hyjnë në të, do t’u bëhet ai i ftohtë dhe shpëtim”.
Allahu e di më së miri.
Burimi:
100 Pyetje dhe Përgjigje
nga Hoxhë Omer Bajrami
Përmblodhi: Hetem Ibrahimi