Kuptimi i sprovës në këtë botë
Allahu i Lartësuar solli njeriun në këtë botë për ta sprovuar atë. Siç thotë në Kuran: “Ai ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i Madh”. (Mulk, 2)
Pra, Allahu i Lartësuar e sprovon kë të dojë me çka të dojë, me të mira apo të këqija. Ai në Kuran thotë: “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në sprovë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni”. (Enbija, 35)
Çdo sprovë që e godet besimtarin, ajo është fshirje e mëkateve dhe ngritje e gradave për të, qoftë ajo sprovë e madhe apo e vogël, qoftë edhe një ferrë (gjemb) që mund t’i hyjë në këmbë, apo edhe më pak se ajo.
I Dërguari صلى الله عليه وسلم ka thënë: “Nuk e godet besimtarin ndonjë ferrë apo diç më e madhe se ajo, vetëm se me të Allahu i Lartësuar do ta ngre atë për një shkallë dhe do t’ia fshijë me të një të keqe (mëkat)”. Buhariu (5640) dhe Muslimi (2572).
Gjithashtu, i Dërguari صلى الله عليه وسلم thotë: “Nuk ka ndonjë musliman që e godet atë një e keqe, qoftë një ferrë në këmbë, a diç më shumë se ajo, vetëm se Allahu do t’ia fshijë me të mëkatet e tij, ashtu siç i bien pemës gjethet e saj”.
Madje edhe vuajtjet shpirtërore, si: brenga, mërzia, shqetësimi, pikëllimi e të ngjashme, që mund ta godasin besimtarin, janë fshirje e mëkateve për të.
I Dërguari صلى الله عليه وسلم ka thënë: “Nuk ka diçka që e godet besimtarin, as ndonjë lodhje, as sëmundje e vazhdueshme, as ndonjë brengë, as pikëllim, as ndonjë e keqe, as dëshpërim, qoftë edhe ferra që i hyn në këmbë, vetëm se Allahu do t’ia fshijë me to mëkatet e tij”. Buhariu (5642) dhe Muslimi (2573).
Kështu, vazhdon besimtari të sprovohet në këtë jetë, derisa t’i fshihen atij të gjitha gjynahet me lejen e Allahut.
Pra, çdo sprovë për besimtarin ka dy mirësi:
E para: fshirja e mëkateve.
E dyta: ngritja e gradave tek Allahu.
Autor: Mr. Agron Krasniqi