Kur do të arrijë ndihma e Allahut?!
Në hijen e hegjemonisë të së kotës dhe përhapjes së ndikimit të saj tek popujt dhe kombet kundrejt dobësisë së popujve muslimane dhe shuarjes së dritës së tyre, çdo zemër besimtare pret me padurim atë ditë të shndritshme kur do të ngrihet flamuri valëvitës i njësisë (teuhidit) në të gjitha pjesët e globit, kur të përhapen dritat e së vërtetës që do të shkëlqejnë botën, të cilën e rënduan mosbesimi dhe tirania.
Në mënyrë që të realizohen këto ambicie të shtrenjta, patjetër duhet të kërkojmë rrugën e ndihmës dhe daljes nga kjo gjendje e zymtë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes të kthyerit drejt Librit të Allahut të Lartësuar, të përfitohen prej tij ligjet kozmike dhe psikologjike për të realizuar shpresën e kërkuar. Në këtë kontekst, kemi përzgjedhur një ajet madhështor nga Libri i Allahut të Lartësuar, i cili pasqyron gjendjen e palës besimtare në kohë vështirësish dhe krizash. Ai ajet është fjala e Allahut: “Kur do të arrijë ndihma e Allahut?!” (Bekare, 214), që të jetë pikënisje për bisedën tonë rreth kësaj çështjeje të rëndësishme.
Allahu i Madhërishëm thotë: “Vërtet mendoni të hyni në xhenet pa provuar atë që kanë provuar të tjerët para jush? Ata i goditi mjerimi dhe sëmundjet dhe, aq shumë u tronditën, saqë çdo i Dërguar dhe ndjekësit e tij, thirrën: “Kur do të arrijë ndihma e Allahut?!” Ja, ndihma e Allahut është afër.” (Bekare, 214)
Ky ajet ka zbritur ditën e Hendekut, kur muslimanët po përjetonin momente më të vështira fizike dhe psikologjike; ata përjetonin të ftohtët, krizën ekonomike, mësymjen e fuqive jobesimtare. Këtë gjendje më së miri e përshkruan Allahu në Librin e Tij: “Ata ju sulmuan nga lart dhe nga poshtë, kështu që sytë tuaj u errësuan, zemrat ju erdhën në fyt dhe besimi juaj tek Allahu u lëkund. Aty besimtarët u vunë në provë dhe u tronditën si nga një tronditje e fuqishme.” (Ahzab, 10-11)
Me gjithë këtë frikë që përjetuan muslimanët, ata u treguan të durueshëm, zbatuan atë që i urdhëroi Allahu derisa u erdhi ndihma. Ushtritë jobesimtare u tërhoqën kokulur. Ajo ndodhi ishte një mësim i madh për umetin musliman, i cili zbuloi qartë realitetin e fitores dhe rrugët që çojnë drejt saj.
Nga kuptimi ynë i atij mësimi mund t’u përgjigjemi atyre pyetjeve të cilat kohë pas kohe ngrihen: “A nuk ka ardhur koha që padrejtësia dhe mizoria të shuhet? A nuk ka ardhur koha që litari të këputet? Kur do të vijë ajo ditë në të cilën do të shfaqet agimi i Islamit dhe do të zhduket nata e errësirës dhe mizorisë? Pyetje të shumta që sillen në mendjet, ndërsa përgjigjet e tyre qëndrojnë në atë se Allahu i Lartësuar me urtësinë e Tij ka caktuar që përballja ndërmjet së vërtetës dhe së kotës të jetë një ligj kozmik prej ligjeve të jetës që nga koha e paraardhësit tanë Ademit e deri kur Allahu ta trashëgojë tokën dhe çfarë ka në të. Mirëpo, përfundimi u takon të devotshmëve, fitorja i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve. Në këtë kontekst, Allahu i Madhërishëm thotë: “Unë dhe të Dërguarit e Mi do të triumfojmë me siguri!” Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (Muxhadile, 21)
Gjithashtu, Ai thotë: “Shumë kohë më parë Ne u premtuam robërve Tanë të dërguar se ata do të ndihmohen (prej Nesh) dhe se ushtritë tona do të jenë me siguri fitimtare!” (Saffat, 170-172)
Kurse i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, e ka përgëzuar umetin e tij me këtë në hadithin të cilin e transmeton Temim ed Dari, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Kjo fe do të arrijë aty ku ka arritur nata dhe dita, nuk do të lërë Allahu shtëpi nga guri e as nga lëkura pa e futur Islamin me krenarinë e të krenuarit ose me nënçmimin e të nënçmuarit. Krenari me të cilën Allahu e ngre këtë fe dhe nënçmim me të cilin Allahu e poshtëron kufirin.” (Shënon Ahmedi në Musnedin e tij dhe Bejhekiu në Sunenin e tij)
Kjo ndihmë, të cilën e ka premtuar Allahu për robërit e Tij besimtarë, nuk është e kufizuar vetëm në këtë botë, ashtu siç tregon fjala e Allahut të Lartësuar: “Sigurisht, Ne do t’i ndihmojmë të Dërguarit Tanë dhe besimtarët, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në ditën kur do të sillen dëshmitarët.” (Gafir, 51)
Dikush mund të pyesë: Është e njohur se disa Profetë i ka vrarë populli i vet, si: Jahja, Zekeria, paqja e Allahut qoftë mbi ta. Disa prej tyre populli i la të jenë mërgimtarë si Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të. A është kjo në kundërshtim me atë që thamë më sipër?
Përgjigjja intuitive dhe e shpejtë mbi këtë është se assesi nuk ekziston kundërthënie, për faktin se ndihma ndaj atyre të Dërguarve ka qenë pas vdekjes së tyre, ashtu siç ka vepruar Allahu me vrasësit e Jahjasë dhe Zekerijasë, pasi Allahu u dërgoi armiqtë e tyre dhe i poshtëruan dhe derdhën gjak. Allahu e mori Nemrudin dhe e ndihmoi të Dërguarin e Tij, Ibrahimin. Kësisoj u realizua premtimi i Allahut të Lartësuar. Në sahihun e Buhariut nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: ‘Kushdo që tregon armiqësi ndaj mikut (velij) Tim, Unë do t’i shpall luftë.” Kësisoj Allahu e ndihmon të Dërguarin e Tij ndaj atyre që i përgënjeshtrojnë dhe kundërshtojnë.
Kjo qe një përgjigje e shpejtë që e di secili, por kjo nuk është e tëra. Allahu i Lartësuar na lajmëron për tregimin e njerëzve të Hendekut kur thotë në Librin e Tij: “Pa dyshim, ata që i përndjekin besimtarët dhe besimtaret e nuk pendohen, i pret dënimi i xhehenemit dhe dënimi me djegie.” (Buruxh, 10)
Pa dyshim se ky është një përfundim i hidhur. Allahu i Lartësuar dëshiron që t’i tregojë umetit një mësim të madh dhe një çështje të qartë, se ndihma nuk është thjesht vetëm me shkaqet e dukshme dhe dënimet e shpejta, por realiteti i ndihmës është të qenët i përqendruar mbi parimet.
Ata besimtarë dëshmorë në fakt u ndihmuan për shkak se ata arritën të jenë të përqendruar mbi parimin e imanit kundrejt gjithë atyre vështirësive dhe dhembjeve të mëdha. Pikërisht ajo është ndihma reale, të cilën duhet ta mësojë umeti dhe të vetëdijesohet mirë.
Ndihma e dukshme mund të vonohet për ndonjë urtësi të cilën e do Allahu dhe për shkaqe të cilat Allahu ia bën me dije mendjemprehtëve, të cilët i kuptojnë gjërat dhe situatat. Prej këtyre shkaqeve është edhe jokompetenca e umetit islam për mbajtjen e flamurit islam. Sikur të arrinte fitore, do ta humbte shpejt për shkak të pamundësisë së ruajtjes së saj për një periudhë të gjatë. Gjithashtu ndihma mund të ngadalësohet për faktin se Allahu dëshiron prej besimtarëve që t’u shtohet lidhja e tyre me Të, t’i pastrojnë synimet (nijetin) e tyre nga çdo gjë dhe të jetë çdo gjë vetëm për hir të Tij.
Kur të plotësohen shkaqet e ndihmës tek umeti, atëherë umeti do ta meritojë ndihmën e Allahut të Lartësuar. Nga aspekti tjetër, ndihma mund të vonohet për shkak se realiteti i së kotës, kundër së cilës lufton pala besimtare, nuk i është zbuluar masës së gjerë të njerëzve. Si rrjedhim, ata nuk janë bindur për kotësinë dhe domosdoshmërinë e zhdukjes së saj. Prandaj çështja mund të kërkojë një kohë pak më të gjatë dhe angazhim më të madh për sqarimin e së pavërtetës dhe të së kotës, në mënyrë që njerëzit ta pranojnë ndihmën dhe ajo të ketë ndikim më të madh në shpirtin e tyre pasi u është sqaruar realiteti i së pavërtetës dhe ndikimi i keq i saj në fenë e tyre.
Në fund, themi se Allahu i Lartësuar do ta ngrejë lart fjalën e Tij, do ta ndihmojë fenë e Tij dhe kjo do të arrihet vetëm me marrjen e shkaqeve të ndihmës dhe faktorëve të saj. Sado që të zgjatë nata e disfatës, agimi i ndihmës do të vijë me lejen dhe premtimin e Allahut. Atëherë besimtarët do të gëzohen me ndihmën e Allahut, Ai do tua plotësojë çështjen atyre dhe do të përhapet thirrja profetike në Lindje dhe në Perëndim. E lusim Allahun e Gjithëfuqishëm të na mundësojë ta përjetojmë atë ditë! Ai është i Fortë dhe i Plotfuqishëm!
Përgatiti: Almedin Ejupi