Kush i frikësohet Allahut të Lartësuar
“… Dhe kushdo që ka frikë Allahun dhe përmbush obligimet ndaj Tij, Ai do t’ia hapë rrugën e daljes (nga çdo vështirësi) dhe Ai do t’ia sjellë rizkun (furnizimin) prej nga ai nuk e mendonte..’’ (Talak, 2-3)
Këto janë fjalët e Allahut të Lartësuar, ku gënjeshtra nuk ka vend nga asnjë anë. Atë që e thotë Allahu i Madhëruar, ajo është mëse e vërtetë. Ky ajet madhështor ka ardhur me lidhje të kushtëzuar, duke u shoqëruar me reagimin apo përgjigjen kushtore. Ai që ka frikë Allahun e Lartësuar, duke i realizuar obligimet themelore, është kusht për përcaktimin (kushtëzimin) e rrugëdaljes nga vështirësitë e kohës dhe për ta perceptuar furnizimin e Allahut nga ajo anë, që fare nuk e kujtojmë. Atëherë, kur realizohet dhe përmbushet obligimi, menjëherë konkretizohet rrugëdalje dhe shpërblim.
Zgjidhje dhe shërblim konkret, me siguri. Por, si të arrihet deri te devotshmëria (frika dhe respekti ndaj Allahut të Lartësuar)?
Me një përmbledhje të shkurtër, devotshmërinë e veçojmë: “Nocion që në vete përmbledh çdo mirësi. Është realizimi i urdhërave të Allahut të Lartësuar, largim nga ndalesat e Tij dhe vendqëndrim brenda kufijëve.’’
Për këtë arsye, devotshmëria është porosi nga Allahu i Lartësuar, për të parët dhe të fundit, si dhe porosi e çdo pejgamberi për popullin e vet. Ai i cili ka frikë Allahun e Madhëruar s’ka dyshim që shijon lumturinë në këtë botë dhe botën tjetër, si dhe shpëtimin dhe rrugëdaljen nga problemet, vështirësitë e krizat.
Devotshmëria nuk përkufizohet me vend apo kohë, por ajo duhet të manifestohet vazhdimisht në jetën dhe aktivitetin e besimtarit, duke kujtuar çdo herë që Allahu i Lartësuar kontrollon robërit e Tij.
Hadithet që flasin për devotshmërinë janë të shumta. Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) na mësoi që t’i frikësohemi Allahut kudo që të jeni, pastaj na bëri me dije se devotshmëria vendin e ka në zemër.
Allahu im! Më mundëso që çdo herë të të kem frikë Ty! Më lehtëso përmbushjen e obligimeve ndaj Teje! Lehtësoje rrugëdaljen nga krizat dhe problemet! Kërkoj nga Ty udhëzim, devotshmëri dhe ndershmëri!
Vëlla dhe motër e nderuar! Kjo mbetet të dëshmohet.
Përgatiti: Ulvi Fejzullahu