Allahu duhet adhuruar në të mirë e në të keq
Thotë Allahu i lartësuar: “Ka prej njerëzve nga ata që e adhurojnë Allahun luhatshëm. Nëse u vjen ndonjë e mirë ata qetësohen me të. Por nëse u vjen ndonjë sprovë, ata kthehen në fytyrën e vet të vërtetë dhe e humbasin edhe dynjanë, edhe ahiretin. Kjo është humbja e qartë.” El Haxh, 11.
Shpjegimi i ajeteve
“Ka prej njerëzve nga ata që e adhurojnë Allahun luhatshëm.”
Ka njerëz që kanë iman të dobët. Besimi ende nuk ka zënë vend në zemrat e tyre e të hyjë thellë në to. Mbase kanë njëfarë imani, që ka hyrë ose nga frika, ose në formë tradite e zakoni, por që nuk ka aspak qëndrueshmëri në kohë vështirësie e sprovash. Duke i përshkruar këta, Allahu i Madhëruar thotë:
“Nëse u vjen ndonjë e mirë ata qetësohen me të”
Nëse gëzojnë mirësitë e Zotit dhe nuk u ndodh ndonjë e keqe, ata gjejnë kënaqësi e prehje. Kjo kënaqësi e prehje nuk është nga imani, por nga mirësitë e kësaj jete. Allahu i Madhëruar mbase i ruan nga të këqijat, që ata të mos largohen nga feja dhe besimi. Por kur i godasin sprovat, duke u ndodhur ndonjë fatkeqësi ose kur u largohet ndonjë mirësi, ata tjetërsohen. Thotë i Madhëruari:
“Por nëse u vjen ndonjë sprovë, ata kthehen në fytyrën e vet të vërtetë dhe e humbasin edhe dynjanë, edhe ahiretin.”
Në të tilla kushte, ata e braktisin fenë dhe besimin dhe kështu shkatërrojnë dynjanë dhe ahiretin e tyre. Në këtë jetë nuk kanë për të arritur kurrë atë që shpresojnë të arrijnë përmes lënies së fesë. Të mjerët mendojnë se, duke lënë fenë, do të mund të arrijnë atë që kërkojnë nga dynjaja. Por çdo përpjekje e tyre do të dështojë dhe prej kësaj bote do të marrin veçse aq sa është paracaktuar për ta. Ndërsa në ahiret është e kuptueshme humbja e tyre. Ata do të privohen nga Xheneti, gjerësia e të cilit është sa hapësira mes qiejve dhe tokës. Ata meritojnë vetëm Zjarrin.
“Kjo është humbja e qartë.”
Ky është shkatërrimi dhe humbja e qartë. Ata kanë humbur çdo të mirë dhe janë zhytur në ndëshkim.
Tefsiri i Sa’dit
Përktheu: Uthman Agolli
Burimijetes.info