BallinaPraktikaRamazani“Lamtumirë Ramazan” a nënkupton ndërprerje të agjërimit?

“Lamtumirë Ramazan” a nënkupton ndërprerje të agjërimit?

“Lamtumirë Ramazan” a nënkupton ndërprerje të agjërimit?

Vëllezër dhe motra të nderuara!

Ja, muaji ynë i dashur, musafiri ynë i nderuar, po paralajmëron shkuarjen e tij. Pas disa ditësh do të shkojë te Zoti i Tij, që të jetë argument dhe dëshmi për disa prej nesh dhe argument e dëshmi kundër disave prej nesh. Po, argument dhe dëshmi për agjëruesit, të cilët agjëruan dhe u dalluan me agjërimin e tyre, për falësit të cilët u dalluan me faljet e tyre, për ata që shpenzuan në rrugën e Allahut, për ata që kuptuan vlerën e Ramazanit dhe shfrytëzuan kohën. Ndërsa argument dhe dëshmi kundër të shkujdesurve, të cilëve vetëm trupi u agjëroi dhe nuk u agjëruan zemrat, kundër atyre që s’kanë hise nga agjërimi vetëm se etjen dhe urinë, kundër atyre që u treguan asketë në shpërblim dhe nuk u interesuan për shtimin e të mirave në këtë muaj, duart e tyre u shtrënguan dhe u bënë koprracë. Shejtani i mashtroi ata (edhe pse qe i prangosur), netët i kaluan në ndalesa të Allahut, duke parë e dëgjuar ato (ndalesa) dhe merituan lutjen e Xhibrilit për largim nga mëshira e Allahut (për ata që arritën Ramazanin dhe nuk iu falën mëkatet)1.

O ju të cilëve Allahu ua ka mundësuar përfitimin nga Ramazani me përqendrim ndaj urdhrave dhe ndalesave të Tij, pa dyshim se kjo është një dhunti e madhe, por dhuntitë vazhdojnë me falënderim. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat.” (Ibrahim, 7)
Falënderimi i vërtetë është falënderim praktik. Falënderimi për këtë dhunti pas Ramazanit realizohet me përqendrimin e besimtarëve ndaj urdhrave të Allahut. Vërtetoni për Zotin tuaj, e më pastaj për veten tuaj, se ju jeni të sinqertë në këtë, se ju adhuroni Allahun duke qenë të bindur e jo nga tradita, se ju adhuroni Zotin e Ramazanit e jo Ramazanin.

Vëllezër të nderuar besimtarë, Allahu ju pastë në kujdesin e Tij!
Jemi mësuar të agjërojmë gjatë Ramazanit, por a thua do të vazhdojë ky agjërim edhe pas përfundimit të Ramazanit, apo do të ndërpritet me fundin e tij?
Pa dyshim se Zoti i Ramazanit është Zot i muajit Sheval, Shaban dhe i muajve të tjerë. Ashtu siç na e bëri obligim agjërimin e muajit Ramazan, gjithashtu ka përligjur për ne edhe agjërimin vullnetar të disa ditëve, në mënyrë që t’i afrohemi sa më shumë Atij. Ndër agjërimet vullnetare mund të përmendim:

1) Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval
I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka rekomanduar agjërimin e këtyre ditëve, duke thënë: “Kush agjëron Ramazanin e pastaj e pason edhe me gjashtë ditë të Shevalit, do të ketë shpërblimin si të ketë agjëruar tërë vitin.”2
Ky hadith na nxit për agjërimin e gjashtë ditëve të muajit Sheval dhe se kush e pason Ramazanin me ato ditë, do të ketë shpërblimin e atij që agjëron tërë kohën, nëse këtë e bën çdo vit. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, na ka treguar për shpërblimin e madh të agjërimit të këtyre ditëve, por shumica e muslimanëve nuk e praktikojnë këtë.
Ibn Rexhebi në veprën e tij Letaif el Mearif, fq. 244, thotë: “Agjërimi i Ramazanit dhe pasimi i tij me gjashtë ditë të Shevalit ka shpërblimin e agjërimit të tërë kohës, ngase një e mirë dhjetëfishohet. E, këtë e gjejmë të komentuar në hadithin të cilin e transmeton Thevbani, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Agjërimi i Ramazanit (ka shpërblimin) sikur dhjetë muaj, ndërsa agjërimi i gjashtë ditëve sikur dy muaj dhe kjo sikur tërë viti.” Me këtë nënkuptohet Ramazani dhe gjashtë ditë të Shevalit pas tij.”3

Vëlla musliman!
Agjërimi i këtyre gjashtë ditëve pas Ramazanit është argument për falënderimin e agjëruesit ndaj Zotit, për suksesin dhënë atij për agjërimin e Ramazanit dhe shtimin e mirësive. Gjithashtu, agjërimi i këtyre ditëve dëshmon për dashurinë e adhurimeve dhe dëshirën për vazhdimësinë në rrugën e veprave të mira. Ibn Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, thotë se dhuntia e suksesit për agjërimin e Ramazanit e pastaj kryerja e mëkateve i ngjan atij që i zëvendëson dhuntitë e Allahut Fuqiplotë me kufër (Letaif el Mearif, fq. 244).

2) Agjërimi i tri ditëve të çdo muaji
I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, e porositi Ebu Hurejrën, Allahu qoftë i kënaqur me të, me këtë lloj agjërimi, kur tha: “Më porositi i dashuri im me tri gjëra, të cilat nuk do t’i lë asnjëherë derisa të vdes: agjërimin e tri ditëve të çdo muaji…” dhe e urdhëroi që këto ditë të jenë ditët e bardha. Ato janë dita e trembëdhjetë, e katërmbëdhjetë dhe e pesëmbëdhjetë, ndaj kujt i mundësohet agjërimi në këto ditë kjo është më mirë, ose të agjërojë gjatë ditëve të tjera gjatë muajit. Agjërimi i tri ditëve prej çdo muaji ka shpërblimin sikur agjërimi i tërë vitit, ngase një e mirë dhjetëfishohet, kështu që agjërimi i tri ditëve nga çdo muaj është sikur agjërimi i tërë muajit.

3) Agjërimi i ditës së Arafatit për atë që nuk është haxhi
Vlera e ditës së Arafatit është e njohur nga çdo musliman. Pikërisht për këtë arsye, i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, rekomandoi agjërimin e asaj dite. Është transmetuar nga Ebu Katadeja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut është pyetur për agjërimin e ditës së Arafatit dhe tha: “Fshin mëkatet e vitit të kaluar dhe të atij të ardhshëm.”4
Kjo pra, siç thamë, për atë që s’është në haxh, ndërsa për haxhiun nuk rekomandohet agjërimi i kësaj dite, ngase i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, e ka lënë agjërimin e kësaj dite. Gjithashtu është transmetuar prej tij se e ka ndaluar agjërimin e ditës së Arafatit në Arafat.
Prej vlerave të kësaj dite mund të përmendim: Allahu ka plotësuar fenë e Vet, ka marrë zotimin e pasardhësve të Ademit, është dita për të cilën Allahu është betuar në librin e Tij, është ditë feste për ata që qëndrojnë në Arafat, është ditë e faljes së mëkateve dhe e lirimit nga zjarri.

4) Agjërimi gjatë muajit Muharrem, gjegjësisht agjërimi i Ashurasë (dita e dhjetë e muajit Muharem) një ditë para ose pas saj
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, është pyetur se cili agjërim është më i mirë pas Ramazanit. Ai është përgjigjur: “Agjërimi i muajit të Allahut, Muharem.”5
Muavi bin Ebi Sufjani, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Kjo ditë është Ashura, juve nuk ju është obliguar agjërimi i saj, ndërsa unë jam agjërueshëm. Kush dëshiron prej jush, le të agjërojë, kush dëshiron të prishë agjërimin, le ta prishë atë.”6
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Kurejshët agjëronin ditën e Ashurasë në xhahiliet. I Dërguari i Allahut gjithashtu agjëronte këtë ditë. Kur arriti në Medinë, agjëroi dhe urdhëroi njerëzit me agjërimin e saj. Kur Ramazani është bërë obligim, tha: “Kush dëshiron, le të agjërojë e kush do, le ta lërë (agjërimin).” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, transmeton se kur i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, arriti në Medinë, ai takoi banorët e saj duke agjëruar këtë ditë (Ashuranë) dhe thoshin se kjo është një ditë madhështore, në të cilën Allahu shpëtoi Musain dhe fundosi familjen e Faraonit, se Musai agjëroi në shenjë falënderimi ndaj Allahut. Me atë rast, i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, tha: “Unë kam më shumë përparësi tek Musai sesa ata.” Agjëroi atë ditë dhe i urdhëroi të tjerët për agjërimin e saj.”7
Gjithashtu, nga Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, transmetohet se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, kur agjëroi Ashuranë dhe urdhëroi njerëzit për agjërimin e saj, i thanë: “O i Dërguar i Allahut, kjo është ditë të cilën e madhërojnë çifutët dhe të krishterët.” Ai u tha: “Vitin tjetër, në dashtë Allahu, do të agjërojmë ditën e nëntë.” Tha (Ibn Abasi): “Vitin tjetër vdiq i Dërguari i Allahut.”8 Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Nëse do të jem gjallë vitin tjetër, do të agjëroj ditën e nëntë.” Do të thotë së bashku me ditën e dhjetë.9
Ky lloj agjërimi ka tri forma. E para agjërimi i tre ditëve (ditën e nëntë, dhjetë dhe njëmbëdhjetë), e dyta agjërimi i ditës së nëntë dhe dhjetë dhe forma e tretë është agjërimi vetëm i ditës së dhjetë.

5) Agjërimi i pjesës më të madhe të muajit Shaban
I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, agjëronte shumicën e muajit Shaban, siç tregon Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj: “I Dërguari i Allahut nuk plotësoi agjërimin e ndonjë muaji përveç muajit të Ramazanit dhe as nuk e kam parë gjatë ndonjë muaji të agjërojë më tepër sesa gjatë muajit Shaban.”10

6) Agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se i Dërguari i Allahut më tepër agjëronte ditën e hënë dhe të enjte dhe i është thënë se përse, kurse ai ka thënë: “Veprat ngrihen tek Allahu në këto ditë.”11 Ndërsa në një transmetim të Muslimit12 thuhet se është pyetur i Dërguari i Allahut për agjërimin e ditës së hënë dhe ai ka thënë: “Kjo është dita në të cilën kam lindur dhe në këtë ditë ka filluar të më shpallet (Kurani).”

7) Agjërimi një dite po dhe një jo
Abdullah bin. Amr bin. el-Asi transmeton: “Më ka thënë mua i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të: -O Abdullah, jam informuar se ti agjëron (tërë) ditën dhe falesh (tërë) natën.
Thashë: -Po, gjithsesi o i Dërguari i Allahut.
-Atëherë mos bëj kështu,– më tha. -Agjëro, por edhe ha, falu, por edhe fli, ngase trupit i ke borxh (për pushim), syrit tënd (për gjumë), gruas sate (për kalim kohe me të), musafirit tënd (për mikpritje). Ti ke mundësi të agjërosh prej çdo muaji tri ditë, ngase për çdo të mirë shpërblehesh me dhjetë dhe kështu llogaritësh se ke bërë agjërim gjatë tërë kohës.
-Kërkova- rrëfen Abdullahu, -kështu që u ngarkova (me çka nuk pata mundësi). Thashë: -O i Dërguari i Allahut, unë kam forcë.
-Atëherë agjëro agjërimin e Pejgamberit të Allahut, Davudit alejhi selam dhe- më sugjeroi- mos shto më shumë se kjo.
-Si ka qenë agjërimi i Pejgamberit të Allahut, Davudit alejhi selam?- e pyeta.
-Gjysma e jetës (një ditë po e një jo).
Kur Abdullahu u plak, thoshte: -Ah sikur ta pranoja lehtësimin e Pejgamberit alejhi selam!13
Këto ishin disa nga vepra vullnetare sa i përket agjërimit, pasimi i të cilave u rekomandohet besimtarëve pas Ramazanit. Lus Allahun e Lartësuar të na pranojë agjërimin, namazet dhe çdo vepër tjetër të mirë!
Ai është i Plotfuqishëm për këtë! Lavdërimi i takon vetëm Atij!

Përktheu: Almedin Ejupi

1 Shënon Buhariu në veprën Edebul Mufred (644).
2 Shënon Muslimi (1644).
3 Shënon Ibn Maxheh, Sahih ibn Maxhe (2155).
4 Shënon Muslimi (1162).
5 Shënon Muslimi (1163).
6 Shënon Buhariu (1846).
7.Shënon Buhariu (3216) dhe Muslimi (1130).
8 Shënon Muslimi (1134).
9 Gjithashtu Muslimi.
10 Shënon Muslimi (1156).
11 Shënon Ahmedi (8343).
12 Muslimi (1162).
13 Shënon Buhariu (5783).

www.klubikulturor.com

Must Read