Letër nga një i vdekur: Isha me ju Ramazanin e kaluar
A nuk ju kujtohem? Apo aq shpejt të gjallët i harrojnë të vdekurit e tyre? A nuk ju kujtohet dita kur isha me ju në Ramazanin e kaluar? Isha në radhët e falësve duke bërë ruku e sexhde. Isha me falësit në namazin e teravisë, me agjëruesit, me ata që e përmendnin Allahun, me ara që jepnin dhe e shpenzonin pasurinë e tyre në rrugën e Allahut.
Nuk e dija se qe Ramazani i fundit që po agjëroja në jetën time. Nuk e dija se qe Ramazani i fundit që po përjetoja në jetën time. Sikur ta dija, do t’i shtoja mirësitë, begatitë dhe vlerat e këtij muaji, do t’i shtoja adhurimet (ibadetet) me të cilat i afrohemi Allahut të Lartësuar dhe do të shtoja lëmoshën (sadakanë) dhe veprat e mira. Sikur ta dija se qe Ramazani i fundit në jetën time, do të më shihnit shumë të kujdesshëm që të mos më ikte namazi me xhemat në xhami e ai i teravisë si dhe do të lexoja Kuran më shumë seç kam lexuar në Ramazanin e kaluar. Do të më shihnit të kujdesshëm në zbatimin e urdhrave të Allahut, larg mëkateve dhe të ligave. Por…
Ndoshta ju kujtohem kur po përshëndetesha me ju pas namazit të Bajramit. Sikur të dija se qe Bajrami i fundit në jetën time, do t’ju përqafoja fort. Ndaj, të dashurit e mi, më përkujtoni në lutjet tuaja, ngase unë kam nevojë për to.
Luteni Allahun që të mëshiroj dhe të më falë mua dhe të gjithë të vdekurit muslimanë, ngase jemi ndarë nga bota ku veprohet dhe nuk jepet llogari, për në botën ku jepet llogari e s’ka veprim.
Shfrytëzoni çdo minutë, madje çdo sekondë të jetës suaj, sepse janë të shtrenjta dhe shumë të vlefshme. Vlerën e tyre e di vetëm ai që i ka humbur. Përgatituni për botën tjetër, e furnizimi më i mirë është devotshmëria ndaj Allahut të Lartësuar. Merrni mësim dhe përfitoni nga ata që kanë vdekur. Dijeni se dynjaja është vendkalim për në botën tjetër dhe se xheneti është i shtrenjtë.
Përfytyroni, vëllezër të nderuar, se ky është Ramazani i fundit në jetën tuaj. Punoni çdo punë me të cilën Allahu është i kënaqur në muajin e Ramazanit dhe vazhdojini me përqendrim ato pas Ramazanit, që gjendja e juaj ps vdekjes të mos jetë si e atyre për të cilët flet Allahu në Kuran: “E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e të kompensoj atë që lëshova!” Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen.” (Muminun, 99-100)
Mazin Xhibali
Përktheu: Almedin Ejupi