Mbështetja tek Allahu
Robër të Allahut! Mbështetja tek Allahu është punë e zemrës e nuk është fjalë me gojë apo vepër me gjymtyrë. Kanë thënë se mbështëtja tek Allahu është dorëzimi i zemrës tek Allahu, sikurse dorëzohet i vdekuri para atij që e lan dhe e kthen si të dojë. Po ashtu, kanë thënë që mbështetja tek Allahu është lidhje e zemrës me Allahun në çdo rast. Mbështëtja tek Allahu është gjysma e fesë, ndërsa gjysma tjetër është adhurimi. Allahu i Lartësuar thotë: “Vetem Ty të adhurojmë e vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” E fjala “istianeh” do të thotë kërkim i Allahut! Mbështetja tek Allahu është rrugë për në xhenet. Allahu i Latësuar thotë: “Çdo krijesë do ta shijojë vdekjen e pastaj tek Ai do të ktheheni. E atyre që besuan dhe bënë vepra të mira do t’u përgatisim shtëpi në xhenet posht të cilave rrjedhin lumenj e në to do të jenë përgjithmonë. Sa shpërblim të mirë paska për ata që punojnë! Ata që duruan e u mbështetën te Zoti i tyre.” E profeti (alejhi selam) ka lajmëruar se 70000 vetë do të futen ne xhenet pa llogari e pa dënim. Disa prej sahabëve thanë se ato janë ata që kanë shoqëruar Profetin (alejhi selam) e disa të tjerë thanë se janë ata që kanë lindur ne Islam e nuk kanë bërë asnjëherë shirk ndaj Allahut. Profeti (alejhi selam) doli dhe i pyeti ata se për çfarë gjëje po diskutonin, e kur e lajmëruan për atë që mendonin ata ai tha: “Ata janë që nuk kërkojnë rukje prej të tjerëve, e as besojnë në bestytni e janë mbështetur tek Zoti i tyre.’’
Mbështetja tek Allahu është argument për besimin. Besimtari i vërtetë e beson Allahun dhe i mbështetet Atij, ndërsa hipokriti dhe kafiri nuk mbështeten tek Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: “E mbështetuni tek Allahu, nëse jeni besimtarë!” e në një ajet tjetër thuhet: ”Thuaj! Ai është Mëshiruesi që besuam tek Ai dhe Atij i jemi mbështetur.”
Mbështetja tek Allahu të jepë forcë e trimëri, sepse kush i mbështetet Allahut nuk ka frikë prej askujt përveç Allahut. Hudi (alejhi selam) pasi u mbështet tek Allahu nuk pati frikë prej popullit të tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Unë mbështetem tek Allahu e dëshmoni se unë jam larg asaj që ju po i bëni shok Allahut. Bëni të gjithë intriga e pastaj s’do t’ju tërhiqet vërejtje. Unë iu mbështeta Allahut, Zotit tim e Zotit tuaj.” Po ashtu, edhe sahabët kur u provokuan nga kafirat iu mbështetën Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: ”E ata që njerëzit u thanë atyre se njerëzit janë mbledhur kundra jush ju frikësohuni prej tyre; porse kjo gjë atyre ua shtoi më tepër besimin dhe thanë: na mjafton neve Allahu e sa mbështetës i mirë që është Ai.” E një fjalë të tillë ka thënë edhe Ibrahimi kur e hodhën në zjarr.
Mbështetja tek Allahu është çelësi i çdo mirësie:
1.Kush mbështëtet tek Allahu, Ai e do atë, e nëse të do Allahu nuk të dënon me zjarr dhe i bën robërit që të të duan. Thotë Allahu i Lartësuar: “Allahu i do ata që mbështeten.”
2.Kush mbështetet tek Allahu, Ai e furnizon atë pa llogari. Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Sikur ju të mbështeteshit tek Allahu me një mbështetje të vërtetë, Ai do t’ju furnizonte juve siç furnizon zogun që del nga foleja me barkun bosh e kthehet me barkun plot.” E ndërsa sot të tjerë kërkojnë rrizkun tek bankat dhe janë mbështetur tek kamata.
3.Mbështetja tek Allahu të ruan nga dredhitë e shejtanit. Ai kërkon që të të shmang nga rruga e drejtë. Prandaj, edhe kur del nga shtëpia mos ngurro të thuash: “Bismilah, teuekeltu ala Allah, la haule ue la kuuete ila bilah.” ashtu që te jeshë i ruajtur nga dredhitë e shejtanit.
4.Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij. Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk i mjafton Allahu robit të Tij..” Gjithashtu thotë: “Ai që mbështetet tek Allahu, Ai i mjafton atij.” Xhabiri thotë se kur u kthyem nga një luftë me Profetin (alejhi selam) ai u ul në një lëndinë dhe u shtri nën hijen e një peme. Shpatën e vuri në degën e pemës dhe e zuri gjumi. Ndërsa ne të tjerët u shtrimë te disa pemë të tjera pak më poshtë. Një kafir erdhi dhe mori shpatën e Profetit (alejhi selam) dhe pasi ia drejtoi atij tha: “Kush më ndalon mua që të të vras, o Muhamed?!” Tha: “ Allahu.” Kafirit i ra shpata nga duart dhe e mori atë Profeti (alejhi selam) i tha dhe i tha kafirit: “Po mua kush më ndalon që të të vras?!” Tha: “Bëj mirësi!” Profeti (alejhi selam)i tha që të thoshte shehadetin por ai refuzoi dhe premtoi se nuk do ta luftonte kurrë atë dhe se nuk do të bashkohej kurrë me të tjerët që deshën të luftonin. E la të lirë dhe kur u kthye te kafirat e tjerë tha se kam ardhur prej njeriut më të mirë.”
Mbështetja tek Allahu siguron lumturinë në dynja e ahiret. Allahu e ka urdhëruar Profetin (alejhi selam) që të mbështetet tek Ai: “Mbështetu Allahut, se vërtetë ti je në të vërtetën e qartë.” Dhe thotë: “E mbështetu tek i Gjalli që nuk vdes.”
Ejani me ne o robër të Allahut që të mësojmë sinqeritetin e vërtetë në mbështetje tek Allahut nga nëna e Ismailit (alejhi selam). Ibn Abazi thotë se Ibrahimi erdhi me nënën e Ismailit dhe ajo kishte foshnjen në gji. Po e çonte në një vend ku ajo nuk e dinte. Po e dërgonte në shtëpinë e shenjtë të Allahut. Kishte marrë me vete një sahan me hurma e një enë me ujë. Arritën në një vend të shkretë pa banorë, pa bimësi dhe pa ujë. Më pas i la ato të dy aty dhe mori rrugën për t’u kthyer. Haxher kishte menduar se do t’i linte në një vend ku të paktën do të kishte patur njerëz dhe ujë e jo në një vend të shkretë si ky. Iu ngjit pas të shoqit dhe i tha se ku po i linte, por Ibrahimi edhe pse ndjente dhimbje nuk i përgjigjej. E pyeti se si po i linte në një vend të tillë, po ai përsëri nuk u përgjigj. Së treti i tha se Allahu e kishte urdhëruar për një gjë të tillë ai tha po e ajo tha: “Ai gjithësesi nuk do të na humbas neve.” e Ibrahimi pasi doli në një vend të largët ku nuk e shihte kush u kthye nga Qabja, ngriti duart dhe u lut: “O Zoti ynë! Unë kam vendosur pasardhësit e mi në një luginë pa të mbjella tek shtëpia Jote e shenjtë. O Zoti ynë! Bëj që ata të falin namazin! Bëj që një grup njerëzish të shkojnë tek ata dhe furnizoji me fruta, ashtu që të falenderojnë.” Ndërsa Haxher vazhdoi të hante nga hurmat që kishte marrë me vete dhe të pinte nga uji, deri sa mbeti pa gjë dhe filloi të bënte Safën dhe Meruan, derisa Xhibrili goditi tokën me flatrat e tij dhe doli uji i zemzemit. Vallë, kush i rregulloi të tëra këto punë?
Ju kujtojmë se:
1.Kush mbështetet tek Allahu, Ai e mbron atë sikurse e mbrojti nënën e Ismailit. Porse askush të mos bëjë vepra të tilla duke menduar se po bën mirë. Kjo për disa arsye:
a) Ti nuk je si Ibrahimi, d.m.th që nuk duron sa ai.
b) Ky qe urdhër prej Allahut për Ibrahimin.
c) Ibrahimi i beri shkaqet pasi mori me vete ujë dhe hurma.
2.Duhet që ymeti islam te mbështëtet te Allahu. Te kthehet te Ai, sepse ndihma vjen vetem prej Allahut.
Përgatiti: Erion Sula