Muaji i Ramazanit, mundësi e mirë për të lënë cigaren!
Duke filluar nga dita e nesërme, besimtarët myslimane fillojnë agjërimin e muajit të Ramazanit, ç’ka mund të konsiderohet si një mundësi e artë për të gjithë ata që dëshirojnë të lënë cigaren.
Personat që synojnë diçka të tillë duhet të përgatiten nga ana psikologjike para se të fillojë Ramazani.
Pike së pari cigarja nuk duhet parë si një “mik”. Edhe duhanpirësit më të varur janë në gjendje të qëndrojnë larg cigares për rreth 12-17 orë. Personi i cili arrin të qëndrojë larg cigares përgjatë një muaji atëherë mund të pretendojë lënien e saj.
Nuk duhet harruar edhe fakti se duhanpirësi mund të përballet me kriza emocioni, dridhje duarsh për shkak të mospirjes së cigares. Këto kriza mund të zgjasin për 20-25 sekonda. Nëse nuk konsumohet cigare kriza kalon vetvetiu. Duhanpirësi duhet të merret me gjëra të tjera në vend të cigares dhe të largojë mendjen nga ajo. Nëse ai arrin të kontrollojë veten edhe disa orë pas iftarit kjo do të thotë se ai mund ta lërë atë me dëshirën e tij.
Personat që dëshirojnë të lënë cigaren mund të përdorin edhe ilaçe. Veçanërisht personat të cilët konsumojnë një paketë ose më shumë në ditë duhet të kërkojnë ndihmën e specialistit.