Muslimanë! Ruhuni nga sekti Ahmedij (Kadjanizmi)
Myslimanët shqiptarë në disa zona të Shqipërisë kohët e fundit janë ndeshur me disa predikues që hiqen si mysliman dhe që i përkasin një sekti që ata e quajnë Ahmedij. Ata kanë ngritur edhe një xhami, me dy minare, pranë autostradës Tiranë-Durrës! Në të vërtetë cilët janë ahmeditë, apo siç njihet ndryshe kadjanitë, dhe a janë ata me të vërtetë mysliman?
Kjo rrymë u themelua nga Mirza Ghulam Ahmed El-kadajni në shekullin e XIX ,në kohën kur India sapo kishte filluar të shkëputej nga kolonializmi anglez. Është vërtetuar historikisht se Kadjanizmi u themelua vetëm për ti shërbyer interesave kolonialiste angleze në Indi. Një gjë të tillë e ka pranuar edhe vetë Kadjani në disa nga shkrimet e tij, ku pohon se ai që e mbolli këtë farë ishte kolonializmi anglez. Po ashtu ai pranon se është ndjekës i devotshëm i këtij kolonializmi, ndaj dhe një nga shtyllat e “fesë” së sjellë prej tij është obligimi i bindjes ndaj anglezëve. Madje ky i vetëshpallur profet e ka pranuar hapur se ishte kolonializmi anglez ai që e bëri atë profet. Ky njeri lindi në vitin 1835 apo në 1939 në fshatin Kadjan, një nga fshatrat e krahinës së Penxhabit në Indi. Familja e tij ishte e njohur si shërbëtore e kolonializmit anglez dhe si bashkëpunëtore e ngushtë e sektit Sikh, një nga sektet hinduse më armike të myslimanëve në Indi. Po në këtë qytet ai mori mësimet e para në filozofi, logjike dhe mjekësi. Punoi për disa kohë punë të ndryshme e me pas mori pjesë në një provim për studime juridike, por nuk doli me sukses. Ndaj filloi të merrej me administrimin e punëve bujqësore të tokës që kishte nën zotërim. Vuante nga sëmundje mendore dhe kriza të forta nervore, dhe për t’i mjekuar përdorte medikamente droguese. Pas vdekjes së të atit, më 1876, filloi të pretendonte se i vinin frymëzime nga Allahu. Kadjani ndoqi një rrugë të përshkallëzuar në thirrjen e tij, gjë që të kujton metodat që përdorin grupet e humbura për përhapjen e parimeve të tyre.
1 – Në fillim pretendoi se atij i zbriste shpallja në formë inspirimi.
2 – Më pas pretendoi se ishte ripërtëritësi (muxhedidi) i kohës dhe se ai i ngjante Mesihut, Isait, birit të Merjemes në thjeshtësinë dhe mjerimin e tij.
3 – Në etapën e tretë pretendoi së ai vetë ishte Mesihu i premtuar, i cili do të zbresë afër Ditës së Kiametit, vetëm se nuk ishte një profet i plotë por një profet i pjesshëm.
4 – Në vitin 1901 pretendoi se ishte një profet i plotë. Një nga thëniet e tij ishte edhe kjo: Thirrja ime është se unë jam resul (i dërguar) dhe nebij (profet).
5 – Dhe së fundi në vitin 1904 shtoi një pretendim të ri, se ai ishte ‘Krishna’, kur dihet se Krishna për hindusët është si Allahu për myslimanët.
PËRFUNDIMI I TIJ
Në vitin 1907 ky i vetëshpallur profet kërcënoi një nga dijetarët e Indisë i njohur me emrin Meulana Thenaullah El-Amr Tusrij, i cili vazhdimisht vinte në dukje herezitë e Ghulamit. Më 5 Prill të vitit 1907, Kadjani shkruante, duke lutur Allahun që t’ia merrte shpirtin atij që gënjente prej atyre të dyve me një sëmundje të rëndë, si murtaja apo kolera. Nuk vonoi shumë dhe e vërteta doli në shesh. Allahu i Madhëruar e demaskoi gënjeshtarin. Pas 13 muajsh e 10 ditësh Mirza Gulamit i ra në kokë ajo që kërkoi vetë. Ai vdiq nga sëmundja e kolerës, në banjë duke kryer nevojat personale, më 26 Maj të vitit 1908. Ndërsa dijetari Indian Thenaullah jetoi pas tij edhe dyzet vjet të tjera, deri në vitin 15 mars 1948.
SHENJAT DALLUESE TË TYRE
Ata nuk kanë shenja tipike të jashtme, pasi veten e quajnë me emra myslimanë dhe shfaqen si myslimanë. Pikërisht këtu qëndron dhe rreziku i tyre më i madh. Ne po përmendim këtu dy gjëra të rëndësishme që duhet të kihen parasysh:
Thirrësit kadjanistë kur fillojnë të përhapin thirrjen e tyre ndërmjet myslimanëve shfaqen vetëm me paraqitjen e tyre të rreme, duke e quajtur çështjen e tyre thjesht si ringjallje dhe ripërtëritje. Me këtë gjë ata përpiqen të mashtrojnë myslimanët. Nuk kalon shumë dhe personi që ndjek ata fillon të ndjej se ata i kanë futur në mendje, mendimin se Kadjanizmi është Islami i vërtetë.
Siç e përmendëm edhe më parë, Kadjani e përhapi ideologjinë e tij në mënyrë graduale, për këtë arsye qëllon që kadjanite t’i mashtrojnë myslimanët, duke u paraqitur disa shprehje të vjetra të Kadjanit, para se ai të pretendonte se ishte profet. Në këto shprehje ai konsideron si jobesimtar çdo njeri që pretendon se është profet. Po ashtu ata tregojnë se Kadjani e donte shumë Profetin Muhamed (salallahu alejhi ue selem) duke dashur të zbusin një mysliman që dëgjon se Kadjani ishte Profet! Është për të ardhur keq që ka pasur njerëz që janë mashtruar me këto makinacione. Ata bëjnë interpretime të gabuara të Kuranit dhe të haditheve për të vërtetuar profetësinë e rreme të Kadjanit.
Ata besojnë se Isai alehji selam është kryqëzuar, por nuk ka vdekur në kryq! Sipas tyre ai paska zbritur nga kryqi i gjallë dhe pasi është mjekuar, është nisur për në kërkim të dhjetë fise të humbura të Izraelit. Së fundi qenka vendosur në Kashmir ku edhe paska vdekur në moshën 120 vjeçare. Kadjani rreth kësaj teme ka shkruar edhe një libër të tërë, tashmë i botuar edhe në gjuhën shqipe nën titullin “Mesihu në Indi”. Të gjithë propagandën e tyre ata e mbështesin mbi këtë fakt. Sipas tyre nëse Isai ka vdekur atëherë të gjitha hadithet për ardhjen e Isait janë alegorike, dhe në vend të tij do të vij dikush tjetër që do të kryej misionin e tij! Dhe ky njeri na qenka Ahmed Kadjani i cili përveç kësaj pretendoj se ishte njëkohësisht edhe Imam Mehdiu i cili do të sundojë mes myslimanëve me drejtësi dhe do tu jap atyre fitoren! Të gjitha pretendimet e tij nuk përputhen fare as me ajetet e Kuranit dhe as thëniet e Profetit (alehji selam) ai vetëm merret me interpretime false dhe me lojra fjalësh. Jeta e tij e tregon më së miri se ai nuk ishte vetëm se një mashtrues dhe nuk kishte asnjë shenjë të Mehdiut, e jo më Isai (alehji selam)që nuk mund të jetë vetëm se ai që erdhi më parë. Këtu po japim disa hadithe të Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të) për të treguar se nuk ka për të pasur asnjë profet tjetër ët vërtetë mbas tij, qofshin këta të barabartë me të, apo edhe nën rangun e tij. Ai ka thënë:
“Bijtë e izraelit udhëhiqeshin nga profetët, sa herë që vdiste njëri prej tyre një profetë tjetër e pasonte atë, e ndërsa pas meje nuk ka më profet, por do të ketë halifë.[1]Pra udhëheqës politik dhe jo profetë. Po ashtu ai thotë:
“Shembulli i im dhe i profetëve që qenë para meje është si shembulli i një njeriu që ndërtoi një shtëpi të cilën pasi e përsosi dhe e zbukuroi, la të zbrazët në një kënd vendin e një tulle. Njerëzit që e vizitonin habiteshin me këtë ndërtesë dhe thonin: ah sikur të vihej edhe kjo tullë! Unë jam ajo tullë dhe unë jam vula (i fundmi) e profetëve.”[2]
“Dalloj nga profetët e tjerë në gjashtë gjëra: më janë dhuruar përmbledhja e fjalëve, jam fuqizuar me frikën që më kanë armiqtë, më është lejuar plaçka e luftës, toka kudo për mua është xhami dhe pastrim, jam dërguar tek gjithë krijesat (xhinët dhe njerëzit) dhe me mua iu është dhënë fund profetëve (janë vulosur).[3]
“Mesazhi hyjnor (risaleh) dhe profetësia (nubuetu) janë ndërprerë dhe mbas meje nuk ka as të dërguar (resul) dhe as profet (nebij)…“[4]
“Nuk ka për tu bërë kiameti derisa të dalin dexhalë, mashtrues afërsisht tridhjetë dhe çdo kush do të pretendojë se është i dërguari i Allahut.”[5]
Bazuar në këto hadithe dhe plot të tjera myslimanët që nga koha e Profetit e deri më sot i kanë konsideruar si jomyslimanë të gjithë ata që besojnë se mbas Muhamedit (alehji selam) ka profet, edhe nëse këta njerëz falen dhe agjërojnë dhe mbajnë veten për mysliman! Ja seç thonë disa dijetarë të shquar të Islamit:
Imam Ebu Hanife (150 h.): Një njeri u vetëshpall profet në kohën e Ebu Hanifes dhe tha: Më jepni kohë deri sa tu japë argumente. Ebu Hanifja tha: Kush kërkon prej tij ndonjë argument ka dalë nga feja, dhe kjo në bazë të fjalës së Profetit që thotë: “nuk ka profet pas meje”
Ebu Hamid El-gazali (Gazaliu i famshëm) (505 h.): “I tërë umeti unanimisht (me ixhma) ka kuptuar prej këtyre fjalëve “s’ka profet mbas meje” si dhe nga historia e jetës së Profetit se pas tij nuk ka për të pasur kurrë as profet (nebij) e as të dërguar (resul). Nuk pranohet asnjë interpretim dhe asnjë përjashtim, kushdo që del kundra ka dalë kundra Ixhmasë (unanimitetit).”
Zemahsheri (538 h.): “Nëse mund të thuhet sesi (Muhamedi) qenka profeti i fundit ndërkohë që Isai do të zbresë në kohët e fundit? Kuptimi se ai është profet i fundit do të thotë se është i fundit që është bërë profet ndërkohë që Isai ka qenë bërë profet para tij dhe kur të zbres do të praktikoj sheriatin e Muhamedit duke u falur në drejtim të kibles së tij sikur të ishte një prej pjesëtarëve të umetit të tij.”
Ibn Kethiri (774 h.) (komentuesi i njohur i Kuranit): “Ky ajet tregon se pas tij nuk ka më profet (nebij) dhe me që nuk ka profet pas tij aq më tepër nuk mund të ketë as të dërguar (resul), sepse pozita e të dërguarit (resulit) është më veçantë dhe e kufizuar se sa ajo e Profetit (nebij), kjo sepse çdo i dërguar (resul) është profet (nebij) dhe jo e kundërta.”… “dhe kushdo që pretendon këtë pozitë pas tij (Muhamedit) s’ka dyshim që ai është një gënjeshtar, shpifës, dexhal, i humbur dhe i lajthitur.”
Së fundi duhet të sqarojmë se sekti ahmedij në të gjithë botën islame konsiderohet si sekt jomysliman, dhe për këtë kanë folur me qindra dijetarë anekënd botës, ndaj dhe njerëz të tillë nuk duhet të bëjnë vend në radhët tona në asnjë lloj mënyrë. Ahmedive nuk u duhet hapur asnjë portë por duhen përzënë sepse ata nuk janë mysliman dhe sjellin përçarjen dhe shkatërrimin e Islamit në tokat tona. Lusim Allahun që ti ruaj myslimanët nga mashtrimet e tyre.
Përgatiti: Justinian Topulli
Burimi: http://www.islamhouse.com/s/9507
http://www.islamifejaevertete.com/