Na fal, o Zot…!
Pejgamberi a.s ka thënë: “Çdo bir i Ademit është gabimtar, por më i miri prej tyre është ai që pendohet”.
Filluam me këto fjalë të arta, vërtet shumë domethënëse, sepse ky muaj i begatë i ramazanit po vjenë është muaj në të cilin robi duhet të vetmohet me Krijuesin dhe t’i thotë Atij: më fal, o Zot, unë jam gabimtar, unë kam të meta, Ti je i pa të meta, Ti je një e i pa shok, i lartë je Ti nga çka njerëzit e padijshëm të shoqërojnë. Njerëzit sot janë zhytur në pellgun e mëkateve dhe paditurisë duke u mashtruar pas kësaj bote e cila kalon si një ëndërr e shkurtër apo si një lojë e jeta e përhershme ajo është e vërteta:
“Kjo jetë e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se dëfrim e lojë, e jetë e vërtetë, pa dyshim është ajo e botës së ardhme (Ahireti), sikur ta dinim.” (Ankebut: 64).
Njëherë Isa a.s., pejgamber i Zotit, u kishte thënë benu israelitëve: “Ju po mashtroheni pas bukës së përkohshme të kësaj bote dhe nuk po jepeni pas asaj bukës që jeton përgjithmonë në të përtejmen.”
Vërtet njeriu zhytet në gjynahe dhe mbytet në to, por Allahu i mëshirshëm e falë dhe prapë e falë, sa falës i Madh është Allahu fuqiplotë.
“Kush bën ndonjë të keqe ose e ngarkon veten, pastaj kërkon falje te Allahu, Ai e gjen Allahun falës e mëshirues.” (En Nisa: 110).
Muaji i ramazanit është muaj i solidaritetit dhe faljes. Duatë që bijtë e Ademit I bëjnë më së shpeshti janë: “na fal, o Zot”, “na i fal mëkatet tona se na është rënduar pesha e mëkatit dhe jemi turbulluar në këtë botë mekanike, kemi filluar të harrojmë ku jetojmë, pse jetojmë”, “na fal, o Zot, kemi nevojë për ty, na fal përpara se vdekja të na zë neve”.
Në akademinë e ramazanit, namazi i natës është i preferuar, por edhe duatë e shumta në namazin e sabahut dhe dhikri i shpeshtë si dhe veprat humane. O njeri, a tu kanë mbushur sytë me lot ndonjëherë duke thënë: “më fal o Zot, unë jam i padijshëm, Ti je i Gjithdijshëm. O njeri, pastroje nefsin dhe dil nga mënxyra e materies, pastroje shpirtin dhe zemrën me istigfar-kërkim falje sa nuk është bërë vonë. Kërko falje, se ndoshta ramazanin tjetër më nuk do të jesh në këtë mes, nuk do të mundesh ta zësh më këtë kohë, këto minuta në këtë dynja që janë provimi yt për botën tjetër.
O ti shpirt mëkatar, bjeri me forcë kraharorit dhe kuptoje se duhet të pastrohesh sepse:
“Ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten.” (Shems: 9)
Pastrohu fizikisht dhe shpirtërisht, veprat e tua të mira që bën, të jenë për Allahun, mbjelle pemën në këtë botë, t’i hash frytet e saj në ahiret.
Ali ibn Talibi ka thënë: “Njerëzit janë të përgjumur, kur ata vdesin, zgjohen prej kësaj përgjumje.”
Zgjohu vëlla, motër, zgjohu njeri, zgjohu miku im dhe kërko falje sa nuk të ka ikur treni yt, treni i jetës tënde, i punës tënde, i veprave që ti ke kultivuar gjatë kësaj bote, kërko falje të falesh. Pendohu sinqerisht dhe kuptoje se je i përkohshëm, kërko falje në këto ditë të bekuara në këtë muaj të Kuranit. Kurani të flet ty dhe mua:
“O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë në mënyrë që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat, t’ju shpie në xhenete nën të cilët rrjedhin lumenj ditën kur Allahu nuk e turpëron Pejgamberin, e së bashku me të as ata që kanë besuar. Drita e tyre ndriçon para tyre dhe në të djathtë të tyre, e ata thonë: “Zoti ynë, vazhdona dritën tonë, falna neve. Vërtet, Ti je i plotfuqishëm për çdo send”. (Tahrim: 8).
Pejgamberi a.s ka thënë në një hadith: ”I penduari nga gjynahu është si ai që kurrë nuk ka bërë gjynah”.
Na fal o Zot, jemi gabimtarë, na fal kur ne harrojmë dhe kur pa vetëdije dhe padituri veprojmë. O Allah, na mundëso të shohim nurin Tënd, të shohim Ty në xhenet si hënën e plotë, na fal gabimet në këtë botë të rrejshme. Na mundëso të përmendim Ty, bëje këtë botë për ne arenë ibadetesh, bëje gjuhën tonë të agjërojë, trupin tonë të agjërojë dhe të bëj dhikër pa ia nda.
“Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetes së tyre, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre.” (Ali Imran: 135)
I Dërguari i Allahut paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të ka thënë: “Kush e shpeshton istigfarin, Allahu i Lartësuar do t’ia lehtësojë brengat dhe do ta furnizojë nga nuk e mendon”. Poashtu ai tha: “Unë kërkoj falje te Allahu i Lartësuar dhe pendohem shtatëdhjetë herë në ditë”. Këtë e ka vepruar i Dërguari i Allahut të cilit Allahu ia ka falur të gjitha mëkatet, po ne ku jemi me këtë gjë?
Pejagmberi i Zotit Hudi a.s u bëntë shpesh thirrje popullit të vet të kërkojnë falje për mëkatet e tyre, dhe vetë kërkonte falje. Ai i thoshte popullit:
“O populli im, kërkoni falje prej Zotit tuaj dhe kthejuni Atij, Ai ju lëshon shi me bollëk, dhe fuqisë suaj i shton fuqi, e mos refuzoni e të bëheni mëkatarë!” (Hud: 52)
Pejgamberi a.s ka thënë: “Allahu i Madhëruar gëzohet më shumë me pendimin e robit të tij besimtar, sesa njeriu i cili ka zbritur në një shkretëtirë. Bashkë me të ndodhej kafsha me ushqimet e ujin. Ai u shtri për të fjetur një sy gjumë, dhe kur u zgjua, nuk e gjeti kafshën me ushqime. Ai e kërkoi derisa vapa dhe etja u shtua. Ai tha me vete: Unë po kthehem në vendin ku isha, e do të shtrihem të flejë derisa të vdes. Ai e vendosi kokën mbi dorën e tij derisa kafsha ishte kthyer përsëri. Allahu i Madhëruar gëzohet më shumë me pendimin e robit të tij besimtar, se sa gëzimi i këtij njeriu i cili gjeti kafshën e tij me ushqime e ujin.”
Kërkim-falja është e preferuar në çdo kohë, por ai është i obliguar në rastet e bërjes së ndonjë mëkati. Gjithashtu është e pëlqyer të bëhet pas veprimit të ndonjë pune të mirë, si kërkim-falja tri herë pas namazit, kërkim-falja pas haxhit e të tjera. Kërkimi i faljes është i pëlqyer edhe në kohën e syfyrit, sepse Allahu i Lartësuar i ka lavdëruar ata të cilët bëjnë istigfar në këtë kohë. Thotë:
“… dhe të cilët në kohën e agimit (syfyrit) kërkojnë ndjesë.” (Ali Imran: 17).
O bir i Ademit, kërko falje, se siç thoshte Aliu r.a.: “Fati i çdo njërit prej jush në këtë tokë,për së gjati dhe për së gjeri, është vetëm një pjesë e dheut e cila i përgjigjet trupit të tij dhe madhësisë ku do të shtrihet me fytyrën mbuluar me dhe.
Mendoje orën e vdekjes tënde dhe pendohu para se të vjen shpirti në gropë të fytit dhe para se të lind dielli në perëndim. Pendohu, se nuk ke garanci a do të zgjohesh nesër, andaj kërko falje me modesti dhe përulje ndaj madhështisë së të Madhërishmit Allah, që të krijoi e përsosi. Përmes faljes tënde, madhëroje Krijuesin tënd, nënshtroju Atij, i qofshim falë, dhe lëre krijesën mëkatare e mos ju mbështet asaj se ajo do të braktisë dhe do mbetesh vetëm ti e Krijuesi yt dhe vepra jote që ke mbjellur në jetën e kësaj bote.
Zoti ynë, na fal!
1. Fale robin tënd mëkatar!
2. Oj krijesë arrogante, mendoje dheun dhe falu!
3. Bëje këtë ramazan kthim madhështor në pendim!
4. Pendohu e freskohu me agjërim dhe pendim!
5. Falju Atij që falë dhe është Falës e Mëshirues i Madh!
6. Qetësoje trupin dhe shpirtin tënd me ibadet, se ku ka ibadet me sinqeritet ka dhe shëndet dhe selamet.
7. Falu, sa nuk të është falur xhenazja!
8. Na fal o Zot, të qofshim falë se mëkati ynë nuk njeh kufi.
9. Na fal o Zot, jemi gabimtarë saqë dhe mëkati turpërohet nga mëkatet tona.
10. Na fal o Zot, dhe na ruaj nga zjarri dhe bëna prej xhenetlive. Amin!
Përgatiti : Imam. H. Arbër Berisha