BallinaARTIKUJKëshilla dhe UrtësiNdërmjet frikës dhe shpresës

Ndërmjet frikës dhe shpresës

NDËRMJET FRIKËS DHE SHPRESËS

Besimtari gjithnjë duhet të jetë ndërmjet frikës nga dënimi i All-llahut xh.sh. dhe shpresës në faljen e Tij. I kujtohet se All-llahu xh.sh. shpejt llogarit dhe se ashpër dënon, prandaj e kaplon frika. E më pas i kujtohet se Ai shumë falë dhe se është Mëshiruesi më i Mëshirshëm, pra e kaplon shpresa. Nëse zemrën e tij e mbush vetëm frika, atëherë vetëm se e ka humbur shpresën në mëshirën e All- llahut xh.sh.: “Vetëm pabesimtarët humbin shpresën në mëshirën e All-llahut”, – (Jusuf, 87).
E nëse në zemrën e tij është shpresa, atëherë nuk i frikësohet dënimit të All- llahut xh.sh.: “Dënimit të Allahut nuk i frikësohet vetëm populli të cilit shkatërrimi i është afër”,- (A’raf, 99).
Tashmë kemi thënë se Krijuesi nuk u përngjet krijesave. Frika nga Ai nuk është sikurse frika nga krijesat e Tij. I frikësohesh luanit, i cili vjen drejt teje duke i treguar dhëmbët e vet dhe duke e mbushur hapësirën rreth teje me erë të keqe, ndërsa ti je i vetmuar dhe pa armë. Mirëpo, frika nga All-llahu xh.sh. nuk është si frika nga luani, sepse rreziku nga luani po të tentonte të të sulmojë është e mundshme të evitohet. Ndërsa All-llahu xh.sh. është Zot i luanit dhe Krijues i tij, caktimin e të Cilit nëse e sjell, nuk është e mundur ta pengojmë. I frikësohesh vërshimit shkatërrues të lumit, në shtratin e të cilit gjendesh, dhe i cili të afrohet e nuk ke mundësi ta parandalosh. Por kjo frikë nuk është sikur frika nga All-llahu xh.sh. i Cili e ka dërguar vërshimën, e ndalë kur të don, bën që të shteret dhe e kthen kur të dëshiron. U frikësohesh sëmundjeve dhe fatkeqësive, humbjes së shokëve dhe pasurisë, por kjo nuk është sikur frika nga All-llahu xh.sh.në duart e të cilit është çdo gjë. Nëse don të sprovon me të, e nëse nuk don, të shëron me të. Nuk ka asgjë që do të shëronte nga ajo me çka All-llahu xh.sh. të ka sprovuar. Besimtari duhet të jetë ndërmjet frikës dhe shpresës. Kur të qëndrojë në namaze e thotë: “Er-Rrahmanir-Rrahim” – Mëshiruesit – Mëshirëbërësit, e kaplon ndjenja e shpresës, e kur të thotë: “Maliki jevmi-din” – Sundimtarit të Ditës së Gjykimit – ndien frikë. Te shumica e muslimanëve sot dominon shpresa mbi frikën dhe shpresa e faljes për frikën nga dënimi. Edhe pse muslimani i cili vetëm kryen vaxhibet (obligimet) dhe largohet prej harameve (ndalesave) u përket të devotshëmve, megjithatë ai humbë gradat e pozitat e larta në Xhennet. Ai është sikur nxënësi i cili e merr notën më të ulët kaluese. Nuk ngel, por nuk fiton mirënjohje dhe shpërblim.

Burimi:
Libri: “PREZENTIMI I PËRGJITHSHËM I FESË ISLAME”
Autor: Ali Tantavi
Botuar nga: “Përpjekja Rinore”

Must Read