BallinaARTIKUJHistori dhe TregimeNjë histori që përsëritet

Një histori që përsëritet

Një histori që përsëritet

Thotë i Madhëruarishëm:
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

1. Për qiellin me plot yje!
2. Për Ditën e Premtuar!
3. Për atë që dëshmon dhe atë që dëshmohet!
4. Mallkuar qofshin ata që hapën hendeqet,
5. me zjarr, të mbushur me lëndë djegëse!
6. Kur ata rrinin ulur rreth tij,
7. dhe dëshmonin atë që bënin me besimtarët.
8. Nuk kishin pse t’i urrenin, përveç se ata e besuan Allahun, Ngadhënjyesin, të Lavdëruarin,
9. të Cilit i takon sundimi i qiejve e i tokës! Allahu është dëshmitar i çdo gjëje!
10. Është e sigurt se ata që sprovojnë besimtarët dhe besimtaret dhe nuk pendohen, kanë dënimin e Xhehenemit; për ta është përgatitur dënimi me djegie.
11. Ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, kanë vërtet Xhenete, nëpër të cilët burojnë lumenj; ky është suksesi më i madh.
12. Është e vërtetë se ndëshkimi i Zotit tënd është i fortë.

El Buruxh, 1-12.

Shpjegimi i ajeteve

“Për qiellin me plot yje!” – I Madhërishmi betohet në qiellin plot yje dhe rrugë. Në të janë vendosur rruga e Diellit dhe e Hënës, rrugët e yjeve aq të rregullta dhe të sistemuara, të cilat tregojnë për pushtetin absolut të Allahut, për mëshirën e Tij të gjerë, për dijen e Tij gjithëpërfshirëse dhe urtësinë e Tij të madhe.

“Për Ditën e Premtuar!” – Allahu betohet për Ditën e Kiametit, kur Ai ka premtuar se do të ringjallë dhe tubojë krijesat nga i pari, deri tek i fundit, nga më i largëti, deri tek më të afërmit në kohë. Ky premtim nuk ka për të ndryshuar kurrë, sepse Allahu i Madhërishëm nuk e thyen premtimin e Vet

“Për atë që dëshmon dhe atë që dëshmohet!” – Këtu përfshihet gjithçka që ka këtë cilësi. Allahu i Madhërishëm betohet në çdo gjë që shikon dhe në çdo gjë që shikohet, betohet në çdo gjë që dëshmon dhe në çdo gjë të dëshmuar. Betimet në këto shenja të madhështisë dhe pushtetit të Allahut të Lartësuar, që tregojnë për urtësinë e Tij mahnitëse dhe mëshirën e Tij gjithëpërfshirëse, shërbejnë për të përforcuar një mesazh shumë të rëndësishëm, që vijon më pas:

“Mallkuar qofshin ata që hapën hendeqet, me zjarr, të mbushur me lëndë djegëse!” – Ky është mallkim për shkatërrimin e tyre. Ata ishin një popull mohues, që sunduan një popull besimtar dhe filluan t’i detyronin që të ktheheshin në besimin e tyre. Por besimtarët nuk pranuan ta tradhtonin fenë e vet. Atëherë, qafirët hapën hendeqe në tokë dhe, pasi ndezën zjarre brenda tyre, u ulën rreth e rrotull, për të dëshmuar vuajtjet e besimtarëve që do të hidheshin aty brenda. Kështu i sprovuan ata besimtarët. I kërcënuan se do t’i flaknin në zjarrin e ndezur fort, nëse nuk kthenin fenë. Dhe vërtet, kushdo që i kundërshtonte dhe nuk e ndryshonte besimin e tij, hidhej në zjarr. Kjo qe grada më e lartë e armiqësisë dhe urrejtjes kundër Allahut dhe adhuruesve të Tij besimtarë të sinqertë. Për këtë arsye, ata merituan mallkimin dhe ndëshkimin më të rëndë. Në fillim, Zoti i mallkoi ata e, më pas, Ai tregon veprën e tyre të pamëshirshme kur thotë:

“Kur ata rrinin ulur rreth tij, dhe dëshmonin atë që bënin me besimtarët.” – Kjo tregon se sa të pashpirt dhe çnjerëzorë ishin ata mohues të Zotit dhe torturues të besimtarëve. A ka krim më të rëndë se ky? E përse i urrenin ata besimtarët e përkushtuar?

“Nuk kishin pse t’i urrenin, përveç se ata e besuan Allahun, Ngadhënjyesin, të Lavdëruarin, të Cilit i takon sundimi i qiejve e i tokës! Allahu është dëshmitar i çdo gjëje!” – Ata i urryen thjesht për një cilësi të tyren, për të cilën ata do të shpërblehen nga Zoti i tyre: besimi i patundur në Allahun, Ngadhënjyesin, të Lavdëruarin, të Cilit i takon sundimi i qiejve e i tokës. Ai është El Aziz – Krenari, Ngadhnjyesi mbi gjithçka që ekziston. Çdo gjë është e nënshtruar dhe e përulur para madhështisë dhe krenarisë së Tij. Ai është El Hamid – i Lavdëruari, i Lavdishmi, të Cilit i takon falënderimi dhe mirënjohja e plotë për gjithçka. Allahut i takon pushteti i qiejve dhe i tokës. Ai i krijoi ato, prandaj gjithçka duhet t’i nënshtrohet Atij. Vetëm Ai meriton adhurimin dhe dashurinë e plotë të krijesave. Ai ka të drejtën të veprojë mbi ta, ashtu sikurse ia lejon mbretërimi dhe sundimi i Tij. Ai urdhëron dhe ndalon, Ai vendos kufijtë dhe merr në përgjegjësi për respektimin e tyre. Ai është Mbikëqyrës dhe Dëshmues mbi gjithçka, me dijen, shikimin dhe dëgjimin e Tij.

A nuk patën frikë ata të mjerë, që u armiqësuan me Allahun e Madhërishëm? A nuk patën frikë ata nga ndëshkimi i Krenarit të Plotfuqishëm. A nuk e dinin ata se ishin thjesht pronë e Allahut? Askush nuk ka pushtet mbi dikë tjetër, veçse me lejen e të Madhërishmit. A e harruan ata se Allahu i ka shënuar veprat e tyre dhe do t’i shpaguajë për to?!

Qafirët janë të zhytur thellë në mashtrim. Ata janë të zhytur në injorancën dhe verbërinë që sjellin veprat e tyre, prandaj vështirë se mund të shohin rrugën në të cilën Zoti i fton e vështirë se pendohen:

“Është e sigurt se ata që sprovojnë besimtarët dhe besimtaret dhe nuk pendohen, kanë dënimin e Xhehenemit; për ta është përgatitur dënimi me djegie.” – Nëse nuk e pranojnë ftesën e të Gjithëmëshirshmit, ata i pret ndëshkimi përvëlues i Xhehenemit.
Hasen el Basriu ka thënë: “Shikoni bujarinë dhe mëshirën e madhe të Zotit të botëve. Ata torturuan dhe vranë të dashurit dhe të zgjedhurit e tij, të bindurit dhe adhuruesit e nënshtruar dhe besnikë, ndërsa Ai i fton në pendim.” Pasi bëri kërcënimin për qafirët, Allahu i Lartësuar vijon me shpërblimin e premtuar për besimtarët.

“Ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, kanë vërtet Xhenete, nëpër të cilët burojnë lumenj; ky është suksesi më i madh.” – Ata që besojnë me zemër, por edhe bëjnë vepra të mira me sinqeritet, sipas besimit të tyre, do të kenë Xhenete, nëpër të cilët burojnë lumenj. Ky është suksesi më i madh. Nuk ka mirësi më të madhe se kënaqësia e Allahut dhe përjetësia në mirësitë e premtuara nga Ai.

“Është e vërtetë se ndëshkimi i Zotit tënd është i fortë.” – Të mos harrojnë kriminelët dhe jobesimtarët se ndëshkimi i Zotit për ta do të jetë shumë i rëndë dhe i vështirë. Ai është gati për t’u dhënë atë që meritojnë, sikurse thotë i Madhërishmi: “Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet e zullumit. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm e i ashpër”. Hud, 102.

Burimi:
Përktheu: Uthman Agolli
Tefsir nga Imam S’adi
Burimijetes.info

Must Read