BallinaPse ISLAMI?Islami, fetë tjera dhe ideologjitëOrigjina dhe fondamenti i modernizimit dhe teknologjisë bashkëkohore (pjesa e dytë)

Origjina dhe fondamenti i modernizimit dhe teknologjisë bashkëkohore (pjesa e dytë)

 

Origjina dhe fondamenti i modernizimit dhe teknologjisë bashkëkohore (pjesa e dytë)

 

Metodologjia shkencore

Menjëherë pas vdekjes së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në shekullin e shtatë, kohë kur u zgjerua shteti islam bukur shumë muslimanët filluan pa ngurrim, pa frikë, me një etje të pashuar dhe me vullnet të zjarrtë të përvetësonin dituritë dhe arritjet shkencore të popujve të mëhershëm, të cilët i kishin lënë prapa ato popuj, që i përmendëm në shkrimin e mëparshëm. Në shekullin e 9-të muslimanët e lanë pas shpine fazën e përvetësimit dhe të asimilimit dhe hynë në një fazë të re dhe shumë të frytshme, në fazën e shpikjes, zhvillimit dhe kontributit të tyre individual në gati të gjitha lëmenjtë shkencorë. Kjo fazë e karakterizon Civilizimin Islam më së miri, ngase prej kësaj faze shumë të frytshme dhe jashtëzakonisht të bereqetshme në fushat shkencore rrodhën shpikjet më të mëdha dhe shumë të rëndësishme me të cilat varet Teknologjia dhe Modernizimi bashkëkohor. Këtë do ta vërtetojmë pak më poshtë kur do të sjellim disa shembuj praktikë të atyre shpikjeve të lartpërmendura, në mënyrë që kjo çka po themi të qëndrojë mbi fakte dhe argumente. Të kthehemi prapë pak te faza e parë, e asaj të përvetësimit të arritjeve shkencore dhe diturive të popujve të mëhershëm. Këtu patjetër na duhet të theksojmë dhe të vihet re, se gjatë fazës së përvetësimit muslimanët hasën në shumë probleme për arsyet dhe shkaqet vijuese.

Ato dituri dhe arritje shkencore, që i trashëguan muslimanët prej popujve të mëhershëm, posaçërisht ato të grekëve të lashtë, shpeshherë ishin shumë të paqarta dhe përmbanin gabime trashanike. Kështu që muslimanët nuk kishin mundësi t’i besonin asaj trashëgimie, sepse ishin shpeshherë jokorrekte. Pastaj nuk ishin të përkryera dhe nuk ishin të sistematizuar dhe nuk ishin të renditura qartë, madje disa prej tyre gjendeshin vetëm në copa-copa. Mjeku shumë i famshëm dhe shkenctari Ali ibën al-Abas, i cili gjithashtu ishte mjeku personal i Sulltanit ed-Daula e dëshmon këtë fakt që cekëm me fjalët: “Ndër shkrimet e Mjekëve të hershëm dhe atyre modernë nuk kam gjetur asnjë libër të përkryer, i cili të përmbajë të gjithë atë, çka nevojitet për t’u mësuar arti i shërimit! Hipokrati shkruan shumë shkurt dhe shumë prej fjalive të tij janë të errëta dhe të paqarta, andaj kishin nevojë për komentim…

Galeni përpilon libra të shumtë prej të cilëve vetëm një pjesë e tyre përmbajnë gjëra për artin e shërimit (Mjekësisë). Por shkrimet e tij janë të stërzgjatura dhe me plot përsëritje. Nuk kam hasur te asnjë libër i tij, i cili të jetë i kompletuar dhe i cili është i përshtatshëm për ligjërim të Praktikantit.” Pra, shkencëtarët e epokës së artë të Islamit ishin ata të cilët futën dritë dhe rregull në atë trashëgimi që gjetën. Ata i sistematizuan ato shkrime në mënyrë të qartë. Pastaj  jo vetëm që i gjenin dhe i verifikonin gabimet,  por ata edhe i përmirësonin ato gabime dhe i vërtetonin rezultatet e tyre me prova dhe eksperimente të ndryshme praktike, në mënyrë që thëniet e tyre bazoheshin në fakte dhe argumente. Këtë e kthyen në parim, të cilin e mësuan sigurisht prej Islamit. Për këto arsye nuk është e vërtetë që dituritë  e popujve të mëhershëm i shërbyen muslimanëve si fondament për ndërtimin e civilizimit.

Pra ajo çka arritën muslimanët prej punimeve, shpikjeve dhe arritjeve shkencore në përgjithësi ishin të përpunuara në mënyrë të drejtë dhe me të vërtetë shkencore. (Sigurisht që ka mundësi ndoshta të ketë edhe këtu përjashtime, por ato nuk merren parasysh.) Këtë fakt që përmendëm, pra të verifikimit të gabimeve dhe përmirësimit të tyre me rezultate të bazuara mbi fakte të qarta na vërteton Dijetari dhe Mjeku AbduLatif el Baghdadi (1162-1231), i cili jetonte në rrethin e udhëheqësit të njohur musliman Salahudin Ejubit me fjalët: “Me gjithë respektin tonë për Galenin – ajo çka po shohim me sytë tanë është më e besueshme.” Të shohim një shembull praktik prej jetës së tij. Pasi i treguan këtij shkencëtari për një kodër në Kajro të mbushur me eshtra dhe skelete njerëzore ai i analizon ato dhe tregon:  «Udhëtuam atje dhe pamë mijëra eshtra. I analizuam hollësisht ato dhe fituam shumë prej këtij studimi- dituri të cilën nuk  e kishim arritur përmes studimit të librave.

Galeni na mëson se nofulla e poshtme përbëhej prej dy eshtrave, që janë të lidhura me njëra-tjetrën.  Mirëpo ne analizuam mbi 2000 eshtra dhe nuk hasëm te asnjë nofull e poshtme, e cila të ishte me dy eshtra. Por ajo ishte një asht pa asnjë farë lidhje.” Kësisoj gabimesh, por edhe gabime më trashanike shkencore i verifikuan shkencëtarët muslimanë, i përmirësuan ato dhe i zëvendësonin ato me të vërtetën. Si rasti p.sh. i shkencëtarit dhe mjekut shumë të njohur të Damaskut Ibën Nafisit (shek. XIII) me përmirësimin e mënyrës së funksionimit të “qarkullimit  të gjakut”. Ose mjeku i shquar Ibën Sina me vërtetimin e faktit, se edhe eshtrat infektohen, në kundërshtim me atë që pretendonin Grekët e Lashtë.

E jo vetëm kjo, por edhe shumë shembuj të tjerë ekzistojnë, dhe kjo është me të vërtetë një temë e gjatë në vetvete. E rëndësishme në lidhje me ketë temë është se muslimanët asnjëherë nuk i pranonin arritjet e shkencëtarëve të popujve të mëhershëm, deri sa t’i vërtetonin ato me prova dhe eksperimente. Në lidhje me këtë mjeku i sipërpërmendur AbduLatif el-Baghdadi thotë: “Provat (faktet) që na sjellin shqisat janë shumë më të bindshme se ato që bazohen në Autoritet.” Kështu që shkencëtarët e kohës së artë të Islamit në çfarëdolloj lëmi qofshin ata, kanë qenë shkencëtarë me plot kuptimin e fjalës, ngase aktivitetet e tyre intelektuale dhe shkencore i kryenin në mënyrë shumë profesionale. Ata nuk ndiqnin asgjë në shkencë qorrazi dhe nuk e pranonin atë lehtë, por ishin tepër skeptikë ndaj rezultateve dhe arritjeve shkencore, të cilat iu prezantoheshin.

Këtë metodologji shkencore, profesionale ashtu si duhet të jetë dhe të mrekullueshme na e pasqyron dhe prezanton shpikësi fenomenal, shkencëtari universal dhe mjeku nga Basra Ibën Hejtem (966-1141) (Njihet si shpikësi i Optikës dhe zbulimet e tij në këtë lëmë shërbyen si fondament për shpikjen e Kamerës moderne) me fjalët fort domethënëse: “Kush e kërkon të vërtetën, metodologjia e tij nuk është që gjatë studimit të shkrimeve të mëparshëm t’i mbështetet mendjelehtësisht mendimit të mirë, që ai ka për ata. Kërkuesi i të vërtetës më shumë nuk i beson këtij mendimi të mirë. Ai bazohet dhe mbështetet vetëm e vetëm në të kuptuarit e tij të teksteve, duke iu përmbajtur kritereve të  Logjikës dhe jo thënieve të autorëve, të cilët janë njerëz, tek të cilët gabimet dhe mangësitë janë pjesë përbërëse dhe e pandarë e tyre. Kush studion vepra shkencore, -nëse dëshiron ta njohë të vërtetën, duhet të bëhet kundërshtar ndaj gjithë asaj që lexon. Pastaj tekstet dhe komentimet duhet t’i rishqyrtojë hollësisht dhe me përpikërinë më të lartë nga të gjitha anët dhe prej të gjithë aspekteve t’i vërë në pyetje.

Ai në këtë proces e vështron veten me kritikë, në mënyrë që të mos gjykoj as rreptë, por as butë. Në qoftë se ai ndjek këtë rrugë atij do t’i qartësohen dhe do t’i shfaqen të vërtetat, ndërsa gabimet dhe paqartësitë në veprat e pararendësve të tij do të dalin në shesh.“ (Ibën Hejtem) Padyshim që kësaj metodologjie të drejtë dhe shkencore iu përmbajtën shkencëtarët e epokës së artë të Islamit dhe si pasojë e kësaj, por fillimisht padyshim të prirë nga ndihma e Allahut, ata korrën suksese të mëdha në lëmenjtë shkencorë dhe patën shumë dobi prej kësaj metodologjie, e cila u bë shkak që shkencëtarët muslimanë të zbulonin shumë  dituri të reja shkencore dhe të shpiknin mjete shumë të dobishme dhe të vyera, të cilët shërbyen si themele të shumë mjeteve teknike moderne, që ne i shfrytëzojmë sot. Kjo metodologji shkencore shërbeu si faktor, që shkencëtarët e asaj kohe të merreshin me të vërtetë me punë dhe hulumtime shkencore, ngase  kjo metodologji nuk të lejonte ndryshe. Zelli i tyre dhe mundi i madh që dhanë u shpërblye, ngase ata ndërtuan me lejen dhe ndihmën e Allahut, fenomenin për të cilin po flasim ne, “Civilizimi Islam”.

 

Përgatiti: Ardian Elezi – albislam.com

www.islamifejaevertete.com

Must Read