Parafytyroje veten tënde në varr
Vëlla i dashur!
S’ka dyshim se përfundimi vendimtar është vdekja jote. Ngase përherëshmëria në këtë jetë është e paarritshme! Pra, paramendoje veten tënde të hedhur (lëshuar) në gropën e varrit . Pastaj të mbyllin në dërrasat e tij! Të hedhin dhe mbi ty! A e arrite natën tënde të parë në gropën e llogarisë?! Po si do të jetë përgjigja?! Tashmë janë larguar nga ti familja, të dashurit, të afrëmit dhe shokët! Pasurinë dhe mallin tënd i ke lënë pas! Nuk do të sjellë dobi ty asgjë përveç asaj ç’ke përgatitur nga veprat e tua.
Transmetohet nga Enesi (All-llahu qoftë i kënaqur me të) se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Të vdekurin e përcjellin tri gjëra: Familja e tij, pasuria e tij dhe veprat e tij. Dy kthehen kurse njëra mbetet me të. Kthehet familja dhe pasuria e tij, kurse me të mbetet vetëm vepra e tij”. (mutefekun alehji). Çfarë do të bësh kur të vijnë ty dy melekë, të cilët ulën me ty dhe të qortojnë. Të pyesin ty: Kush është Zoti yt? Cila është feja jote? Kush është i Dërguari yt? Tani ndoshta mund të përgjigjesh shumë lehtë, por në atë gropë…në atë varr…në atë errësirë… përgjigja jote do të jetë sipas veprave të tua.
Besimtari që posedon vepra të mira thotë: Zoti im është All-llahu, Feja ime është Islami dhe Pejgamberi im është Muhammedi s.a.v.s.. Ndërsa hipokriti do të thotë: Ah… nuk e di, kam dëgjuar njerëzit duke thënë diçka, dhe kam thënë. Po përkujto o rob i All-llahut se “Varri është një kopsht prej kopshteve të Xhennetit ose një humnerë prej humnerave të zjarrit”. (Transmeton Tirmidhiu).
Dhe dije o rob i All-llahut se All-llahu i Lartëmadhëruar të ka dhënë kohë të mjaftueshme për pendim dhe kthim tek Ai. “A nuk ju dhamë jetë mjaft të gjatë, saqë kush do që donte të merrte këshillim, mund t’a merrte atë dhe këshilluesi u erdhi…” (Fatir37).
E kanë komentuar fjalën këshillues në ajetin e lartëpërmendur me vjetërsi (pleqëri), dhe gjithashtu e kanë komentuar se ai (këshilluesi) është Muhammedi s.a.v.s.. Tashmë është arsyetuar kush ka këshilluar, dhe ka përkujtuar kush është lajmëruar dhe nuk i është bërë padrejtësi atij që është vonuar.
Vëlla i dashur:
Ti sot jeton në sipërfaqen e Tokës, e ndërsa nesër do të banosh në brendësinë e saj. Vallë a e ke zbukuruar vendbanimin tënd me vepra të mira. A e ke shtruar dhe mbjellur kopshtin tënd me kryerjen e urdhërave të All-llahut që ti ka urdhëruar dhe largimin nga ajo që të ka ndaluar? Poqese ke qenë i bindur se me të vërtetë brendësia e Tokës së shpejti do të jetë vendbanimi yt, atëherë pra, kush të ka hutuar që të bëhësh i pakujdesshëm ndaj përgatitjës së varrit?!