MIRËSITË E FALJES SË NAMAZIT TË SABAHUT
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Falënderimet i takojnë Allahut ndërsa përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, familjen, shokët dhe pasuesit e tij!
Çdo njeri ka dëshirë të fitojë e të pasurohet. Nëse fitimi është i madh dhe i mundësohet pa ndonjë mund të theksuar, atëherë kureshtja e tij dhe interesimi për të do të jenë edhe më të mëdha. Nëse ky fitim i garantohet për çdo ditë, padyshim se ai do të vazhdojë që kurrë të mos i ndahet asaj pune. Jo vetëm që nuk do të kursejë asgjë nga mundi i tij, por edhe do të intensifikojë angazhimet për të fituar edhe më shumë duke mos anashkaluar asnjë shkak dhe duke mos refuzuar a anuluar asnjë takim që e çojnë drejt fitimit. Këtë njeri pas një kohe do ta shohësh si një pasanik të madh që ka realizuar fitime të mëdha.
Tani, çfarë thua ti -lexues i dashur- sikur ti të ishe pikërisht ky fitimtar dhe pasanik që mbledh dhe depoziton këto pasuri e fitime pa vonesë a anashkalim?
A do t’i lije anash këto fitime apo do të hiqje dorë tërësisht prej tyre?
Jam i bindur se përkushtimi yt për dobinë dhe interesin tënd, fuqishëm do të pengonte nga dorëheqja apo anashkalimi i këtyre fitimeve.
Le të vazhdojmë së bashku dhe më lejo të të pyes apo të marr mendimin tënd:
Çfarë thua ti sikur kjo ftesë t’i bëhej të gjithëve, dhe krejt ata që prezantojnë në një takim dhe kryejnë një vepër të caktuar, do të arrijnë shpërblime të mëdha dhe dhurata të çmuara, a nuk pajtohesh me mua se të gjithë do të nxitonin dhe çdonjëri prej tyre do të porosiste bijtë, vëllezërit e farefisin që të marrin pjesë në fitimin e këtyre pasurive dhe se ai që nuk do t’iu bashkëngjitet do të cilësohej si neglizhent, i pavëmendshëm, njeri që vetvetes i bën padrejtësi, njeri që humb shanset e mëdha për fitime të shumta?!
Le të themi se këto pasuri i ofron ndonjë shtet i pasur, apo një grup prej pasanikëve të mëdhenj, dhe se shuma e tyre është 10.000€, shumë të cilën e fiton çdokush që vjen në një vend të caktuar, në orar të caktuar dhe që kryen një punë të vogël në kohë jo më shumë se një çerek ore apo më së shumti gjysmë ore.
Cili është mendimi yt për njeriun që mungon në këtë takim për shkak se ka dëshirë të flejë dhe të pushojë? Çfarë thua ti për këtë njeri që për shkak të gjumit, me vetëdëshirë, humb 10.000 € çdo ditë?
Më lejo të të informoj se ai që jep këto pasuri nuk është pasanik prej pasanikëve, jo, Ai është Allahu i Madhëruar, Zoti i tokës dhe qiejve. Pasuria e dhënë nuk është në euro a dollar, ar a argjend, jo, janë mirësi, grada dhe xhennete. A nuk do duhej që kureshtja dhe interesimi ynë të ishin më të mëdha ngase dhënës është Ai që depot e Tij kurrë nuk dinë të mbyllur, që premtimi i Tij kurrë nuk thyhet, që fisnikëria e Tij nuk ka fund dhe që madhëria e Tij nuk njeh dot kufij?
A nuk do duhej shfrytëzuar kujdesur për këtë shans dhe për këtë begati?
A nuk është çdo neglizhent dëmtues i vetvetes?!
A nuk është çdo shpërfillës humbës?!
A nuk është çdo humbës i privuar?!
Po, pasha Allahun e Madhëruar, sa humbje të madhe përjeton ai që humb këto dhunti duke mos pasur sëmundje a pengesë tjetër përveç gjumit.
Deri më tani me “gjumashë” kam synuar ata që nuk falin namazin e sabahut, dhe, unë do iu pëshpërisë apo edhe të bërtas në veshët e tyre: “Fitimet, o gjumashë!”
PËRFITIMET E SABAHUT
Përfitimi i parë: Liria pozitive
Ebu Hurejre rrëfen se Pejgamberi [alejhisselam] ka thënë:
“Shejtani, kur të bie njeriu për të fjetur, ia lidhë tek koka tri nyje dhe i thotë: Fli ngase para vete ke një natë të gjatë. Nëse ngritët dhe e përmend Allahun, i zgjidhet një nyje, nëse merr abdes, i zgjidhen dy nyje, ndërsa nëse ngritët dhe falet, i zgjidhen të gjitha nyejt dhe e ndien veten të freskët e aktiv. Ndryshe, nëse nuk vepron kështu, ai do ta ndieje veten keq dhe përtac”[1].
Djalli të lidh, të pengon nga e mira, të robëron, të pengon nga dhikri dhe të privon nga shpërblimi i madh. Kur të duash t’i përgjigjesh fjalës së muezzinit “Hajje ala’s salah” (eja në namaz), ai të nxit në gjumë. Kur ta dëgjosh “es-Salatu hajrun mine‘n nevm” (namazi është më i mirë se gjumi), të largon nga e mira me shtim edhe më të kureshtjes për gjumë. Por nëse je i vendosur dhe je i kujdesshëm për të marrë abdes dhe nxiton për ta falur namazin, ti me këtë shkatërron nyejt e djallit, mund ushtrinë e tij dhe vazhdon kështu për ta zgjidhur nyjën e parë. Pastaj ec tutje i vendosur për ta kundërshtuar kështu që merr abdes dhe e zgjidh edhe të dytën. Pastaj vazhdon drejt Allahut të Madhëruar (për ta falur namazin) ndërsa fuqia e djallit dobësohet dhe nyejt e tij zgjidhen dhe kështu mbizotërohet mbi kurthet e tij.
Kurtubiu përmend në koment të hadithit: “…Fli ngase para ke një natë të gjatë andaj shtriju…”, se ky është mashtrim prej djallit. E lajmëron se nata është e gjatë e më pas e urdhëron me pushim-shtrirje. Qëllimi i djallit me këtë është që namazin ta lërë për pak më vonë. Ndërsa në kuptim të fjalës “Shejtani, kur të bie njeriu për të fjetur, ia lidhë tek koka tri nyje”, Ibni Haxheri ka thënë se fjala është për lidhja të vërtetë, jo lidhje metaforike, ashtu siç i bën lidhje magjistari atij që i bën magji, siç qëndron në Kur’an:
﴿ ومن شر النفاثات في العقد ﴾
Dhe prej dëmit të atyre që lidhin dhe fyejnë nyja”[2].
Është thënë se kjo është përdorur vetëm si metaforë dhe përngjasim të punës së djallit me njeriun që nuk fal sabahun me njeriun që i është bërë magji.
Është thënë edhe se kjo është alegori për mashtrimin dhe pengimin që ia bën djalli njeriut. Thuhet “akadtu fulanen an imretihi” – e kam penguar filanin nga gruaja e tij[3].
Sido që të jetë, ai që braktis dhikrin, pastrimin (abdesin) dhe namazin, ai ka rënë nën ndikimin e djallit dhe vesveseve të tij. Bejdaviu aludoi se kjo bën fjalë për rënien nën pushtetin e djallit ngase lidhja me tri nyje ose është bërë për përforcim (se lidhja nuk qenka e dobët por e fortë) ose është bërë për ta penguar nga tri gjëra: dhikri, abdesi dhe namazi. Sikur me çdo nyje e ka penguar nga njëra prej këtyre tri gjërave të përmendura derisa veçimi i kokës me përmendje është bërë për shkak se ajo është vend i dobësisë (mashtrimit) dhe fushë e manipulimit të tij dhe njëherësh është vendi më vullnetar dhe më i shpejt që i përgjigjet djallit[4]. Sikur djalli mbizotëron në të dhe udhëheqë me të duke e kapur për koke, andaj, a ke dëshirë që ti të jesh ky njeri dhe ky i robëruar? Apo ke dëshirë që të jesh i fortë dhe ngadhënjimtar mbi të? Ngadhënjimi bëhet kur adhurimi ta mund mëkatin, dhikri neglizhencën, vendosmëria dobësinë dhe e mira të keqen.
Përfitimi i dytë: Nisje – start energjik
Prapë këtë dhunti apo këtë përfitim do e marrim nga hadithi paraprak i Ebu Hurejres. Është përfitim shqisor dhe shumë i rëndësishëm; është i qartë, madje edhe dominues, dobia e tij është e siguruar madje është e rrallë. Meditoje me mua së bashku pjesën e hadithit “…i zgjidhen të gjitha nyejt dhe e ndien veten të freskët e aktiv”. Hapja e ditës me dhikr dhe ibadet:
1) e hap gjoksin,
2) e pastron mendjen dhe e freskon atë,
3) e forcon vendosmërinë,
4) e aktivizon dhe ripërtërinë veprimin.
Hapja e ditës me adhurim dhe përkujtim të Allahut të bën zemërgjerë, mendjehapur, ambicioz, të ripërtërin forcën dhe vullnetin. Nisesh ndërsa dukesh i bukur dhe i buzëqeshur. Me lejen e Allahut të Madhëruar çlirohesh nga brengat, veten e sheh të drejtuar kah e mira, praktikues të adhurimit, gjërat i sheh të lehta, vështirësitë të kapërcyera, suksesi të shoqëron qysh nga fillimi dhe të përcjellë gjatë tërë ditës.
Vëlla! Shikoje atë njeri që është privuar nga një dhunti e tillë dhe ka humbur një begati të tillë, shikoje se si është neglizhent, është përtac. Zgjohet dembel, me mendje të prishur, me probleme e brenga, vendosmëri nuk ka, sikur të gjitha problemet e botës i kanë rënë mbi kokë. Gjërat i vështirësohen shumë, qëllimet i dështojnë, dhe tërë kjo i shkaktohet si pasojë e tradhtisë së djallit. Nuk ia ka ëndja të mirat, i lëshon ato dhe thuajse shpirti i tij nuk di mirësi dhe nuk ka lehtësi për asnjë namaz dhe as për vepra tjera, e kjo ndoshta e shtyn që edhe obligimet t’i lërë[5].
Ka thënë Ibni Abdu’l Berr-rri: Kjo është e veçantë për atë që nuk ngritët ta fal namazin dhe e braktis atë. Ndërsa ai që ngritët për adhurim dhe nxiton për namaz, ai është shpirtmirë për arsye se:
1) Allahu i Madhëruar e bekoi për ta kryer një adhurim,
2) I premtoi shpërblim, dhe
3) Ia zgjidhi nyejt e shejtanit.
Ajo që vërehet këtu është se në namazin e natës ka një sekret që zemrën e bën të ndihet mirë dhe të jetë e pastër[6].
Prej domethënieve të “aktivizimit – gjallërisë – vullnetit” të përmendura në hadith është edhe vullneti për kryerjen e namazeve tjera ngase ai jeton me to dhe i bën shprehi dhe nuk ndien aspak vështirësi në to[7]. Ai kthjellet dhe bëhet aktiv për arsye se largon magjinë e djallit, i cili kthehet humbës dhe dështak prej tij[8].
Përfitimi i tretë: Përgëzimi nuror (i ndritshëm)
Në një hadith të transmetuar nga 16 sahabijj prej Pejgamberit, [alejhisselam] ndërsa unë e sjell nga versioni i Burejd b. Hasibit, qëndron:
“Përgëzoji ata që çajnë errësirat e natës (duke ecur për të shkuar në Xhami) me një nur të plotë në Ditën e Kiametit”[9].
Shpërblimi është sikurse vepra. Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ هل جزاء الإحسان إلا الإحسان ﴾
A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë diç tjetër, pos të së mirës!”[10].
Ti kur të dalësh për namazin e sabahut ndërsa errësira të rrethon dhe bota është ende në errësirë, shpërblimi yt është kompensimi me një dritë të plotë në Ditën e Gjykimit ngase ti e respektove Zotin tënd, u drejtove kah Ai, e kërkove dritën për zemrën dhe shpirtin tënd.
Ta analizojmë së bashku hadithin. “Përgëzo ata që ecin…”, ata që shkojnë shpesh në xhami, “…në errësirë…” në errësirën e natës, përgëzimi është “…me një dritë të plotë në Ditën e Kiametit…”, ngase ata kur krahasuan vështirësitë e shkuarjes në xhami në errësirë me respektin dhe adhurimin, e tejkaluan atë me një dritë që do t’i ndriçojë në Ditën e Kiametit, dritë kjo e garantuar për çdo njeri që vepron kështu.
Përse u përshkrua me dritë të plotë?
Për arsye se drita, si dritë, për hir të nderimit të kësaj dëshmie, iu jepet tërë atyre që thanë shehadetin, besimtarë të sinqertë e hipokritë, por më pas drita e hipokritëve fiket.
Ndërsa sa i përket lidhjes së dritës me Ditën e Gjykimit, Tajjibiu ka thënë: Kjo është bërë si aludim në tregimin e besimtarëve dhe fjalët e tyre:
﴿ ربنا أتمم لنا نورنا ﴾
…Zoti ynë, vazhdona dritën tonë…”[11].
Në hadith po ashtu sinjalizohet se kush shfrytëzon këtë shans, pra shkon në errësirë në xhami në këtë dynja, në botën tjetër do të jetë me pejgamberët dhe të sinqertit, e sa shokë të mirë që janë ata![12]
Allahu Ekber! Kur të jepet drita? Të jepet në një situatë të rëndë, në një trishtim, ajo të ndriçon në momentet kur ke më së shumti nevojë. Lexoje me mua fjalën e Allahut të Madhëruar:
﴿ يوم ترى المؤمنين والمؤمنات نورهم يسعى بين أيديهم وبأيمانهم بشراكم اليوم جنات تجري من تحتها الأنهار خالدين فيها ذلك الفوز العظيم * يوم يقول المنافقون والمنافقات للذين آمنوا انظرونا نقتبس من نوركم قيل ارجعوا وراءكم فالتمسوا نوراً فضرب بينهم بسور له باب باطنه فيه الرحمة وظاهره من قبله العذاب﴾
(Përkujto) Ditën kur i sheh besimtarët dhe besimtaret që drita e tyre flakëron para tyre dhe në të djathtë të tyre. (U thuhet) Myzhde e juaj sot janë xhennetet nën të cilat rrjedhin lumenj, aty do të jeni përgjithmonë. E ajo është fitore e madhe. 13. Ditën kur hipokritët dhe hipokritet atyre që besuan u thonë: “Na pritni (ose na shikoni) të ndriçohemi prej dritës suaj!” U thuhet: “Kthehuni prapa jush (në Dunja) e kërkoni ndonjë dritë!” Atëherë vihet ndërmjet tyre njëfarë muri që ka një derë, e brendia e tij është mëshirë (xhenneti), e nga ana e jashtme e tij është dënimi (zjarri)”[13].
Sa dhunti e madhe që është! Begatohen me këtë dritë në atë gjendje të vështirë dhe përgëzohen me përgëzimin më të dashur:
﴿ بشراكم اليوم جنات تجري من تحتها الأنهار خالدين فيها ذلك الفوز العظيم ﴾
…Myzhde e juaj sot janë xhennetet nën të cilat rrjedhin lumenj, aty do të jeni përgjithmonë. E ajo është fitore e madhe.”[14].
Sa e këndshme është kjo për zemrat e tyre! Sa e lezetshme për shpirtrat e tyre! Ata realizuan çdo të mirë dhe shpëtuan nga çdo e keqe.
Kur hipokritet t’i shohin besimtarët me dritë ndërsa drita e tyre iu është shuar, iu thonë:
﴿ انظرونا نقتبس من نوركم ﴾
Na pritni (ose na shikoni) të ndriçohemi prej dritës suaj!” [15]
Por jo:
﴿ قيل ارجعوا وراءكم فالتمسوا نوراً ﴾
Kthehuni prapa jush (në Dunja) e kërkoni ndonjë dritë!” [16]
…nëse kjo është e mundur.
Realiteti është se kjo është e pamundur kështu që për besimtarët:
﴿ فضرب بينهم بسور له باب باطنه فيه الرحمة ﴾
…Atëherë vihet ndërmjet tyre njëfarë muri që ka një derë, e brendia e tij është mëshirë (xhenneti),” [17]
…ndërsa për hipokritet[18]:
﴿ وظاهره من قبله العذاب ﴾
..e nga ana e jashtme e tij është dënimi (zjarri)” [19].
Ibni Kethiri në tefsirin e tij, 4/308, transmeton nga Ebu Hatimi me sened të tij të lidhur me Ebu Derdanë dhe Ebu Dherr-rrin, të cilët informojnë se Pejgamberi, [alejhisselam] ka thënë:
“Unë jam i pari që në Ditën e Kiametit më jepet leja për të bërë sexhde, i pari që më lejohet ngritja e kokës. Shikoj para, pas, djathtas, majtas dhe ummetin tim e njoh nga të tjerët. O i dërguari i Allahut! Si do ta njohësh ummetin tënd në mesin e ummeteve tjera, (respektivisht) në mesin e ummeteve prej Nuhut e deri tek ummeti yt?- pyeti një njeri. I njoh nga drita e bardhë e shenjave të abdesit, shenja këto që nuk i ka asnjë ummet. I njoh se iu jepen librat nga ana e djathtë, kanë shenjat në fytyra dhe i njoh me dritën që iu ec para”[20].
Namazi i sabahut të përgatit që të jesh prej të ndriçuarve në kohën kur të tjerët përplasen në errësirë. Sa dhunti e mirë që është andaj nxito dhe mos humb kohë që ta arrish këtë!
Përfitimi i katërt: Dëshmia engjëllore
Thotë Allahu i Madhëruar:
﴿ أقم الصلاة لدلوك الشمس إلى غسق الليل وقرآن الفجر إن قرآن الفجر كان مشهوداً ﴾
Fale namazin kur zbret (nga zeniti) dielli, e deri në errësirën e natës dhe duke bërë lutjen (namazin) e agimit. Vërtet, lutja e agimit është e përcjellur”[21].
Komentatorët e Kur’anit tek ky ajet përmendin hadithin e Ebu Hurejres nga Pejgamberi [alejhisselam]:
“Tek ju ndërrohen melaiket e natës dhe të ditës. Melaiket tubohen ne namazin e sabahut dhe atë të ikindisë, pastaj ngritën melaiket që qëndruan tek ju kurse Allahu i Madhëruar, edhe pse e di gjendjen, i pyet: Si u ndatë me robërit e Mi? I lamë duke u falur dhe i gjetëm duke u falur ”[22].
Pyetësi është Allahu, Mbret i mbretërve ndërsa të pyetur janë melaiket:
﴿ لا يعصون الله ما أمرهم ويفعلون ما يؤمرون ﴾
… nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar”[23].
﴿ لا يسبقونه بالقول وهم بأمره يعملون ﴾
Që nuk flasin para Tij, ata veprojnë me urdhrin e Tij”[24].
Po, melaiket dëshmojnë për ty tek Allahu i Madhëruar dhe të lëvdojnë nëse ti fal namazin me xhemat. Shiko butësinë dhe mëshirën e Allahut të Madhëruar ndaj robërve te Tij si dhe nderin për ta duke caktuar që melaiket të tubohen në kohën kur ata e adhurojnë Allahun e Madhëruar në mënyrë që dëshmia e tyre për njerëzit të jetë e përkryer”[25].
Ndërsa urtësia e pyetjes së melaikeve, siç përmend Ibni Haxheri, është bërë për të vënë në shesh urtësinë e krijimit të njerëzve përballë melaikeve që pyeten:
﴿ أتجعل فيها من يفسد فيها ويسفك الدماء ونحن نسبح بحمدك ونقدس لك قال إني أعلم مالا تعلمون ﴾
… Ata thanë: “A do të vëshë në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini!”[26].
Pra, në mesin e tyre paska të atillë, sipas dëshmisë suaj, që po më adhuruakan ashtu siç më adhuroni ju.
Hadithi aludon edhe në kujdesin tonë për gjendjet tona ndaj urdhëresave dhe ndalesave (mundohemi që të jemi të saktë në raport me to). Gëzohemi në këto kohë ngase vijnë të dërguarit e Zotit tonë dhe Zoti ynë pyet për ne. Po ashtu në hadith vërehet edhe dashuria e melaikeve për ne, gjë që bën edhe ne t’i duam më shumë” [27]…
Në komentet e Kur’anit jepen edhe detaje tjera. Alusi në koment të fjalës:
﴿ إن قرآن الفجر كان مشهوداً ﴾
Vërtet, lutja e agimit është e përcjellur” [28].
…thotë: Nesaiu, Ibni Maxheh, Tirmidhiu dhe Hakimi, të cilët e kanë cilësuar autentik, kanë transmetuar se Pejgamberi, [alejhisselam] ka thënë:
“E përcjellin melaiket e natës dhe të ditës”[29].
Është thënë se:
1) Prezantojnë shumë falës,
2) Kur’ani (namazi) i sabahut do të duhej përcjellë nga shumë falës,
3) Prezantojnë dëshmitë e fuqisë së pamposhtur dhe madhështisë së pakontestuar të Allahut të Madhëruar duke u ndërruar nata-errësira me ditën-dritën si dhe tërheqja e vëmendjes se gjumi është vëlla i vdekjes.
Këtë do ta përfundoja me fjalët e Alusiut, i cili thotë: “Nxitja dhe stimulimi për faljen e namazit të sabahut në këtë fjali është e qartë ngase njeriu në atë kohë përcjell mysafirë të ndershëm dhe pranon mysafir të ndershëm kështu qe duhet të jetë në gjendjen më të mirë, me të cilën flet mysafiri që shkon dhe qetësohet me të mysafiri që vjen”.
Sa fitim i bukur që është andaj mos mungo nga dëshmia e tyre!
Përfitimi i pestë: Mbrojtja dhe përkujdesja hyjnore
Xhundub b. Sufjani transmeton se Pejgamberi, [alejhisselam] ka thënë:
“Kush fal namazin e sabahut ai është në mbrojtje – sigurim të Allahut të Madhëruar andaj shiko o njeri që Allahu të mos kërkojë në sigurinë e Tij prej teje asgjë”[30].
Është një ruajtje dhe kujdes hyjnor që po e fale namazin e sabahut, automatikisht e fiton atë. Të largohen të këqijat, shpëton nga të ligat, është një ruajtje e rrallë, është një nder i veçantë për ty o rob i dobët…Allahu të mbron ty, kërcënon ata që duan të keqen tënde, ti je në siguri të Allahut të Madhëruar. Kë e merr Allahu i Madhëruar në siguri, askush nuk ka të drejtë të shqetësojë atë, ndryshe nuk do të shpëtojë dot prej Tij, i Cili e kërkon të drejtën e Vet. Ky është një kërcenim i ashpër për ata që shqetësojnë falësit[31].
Bazuar në këtë, domethënia e hadithit të Resulullahit: “Le të mos iu kërkoje asgjë Allahu i Madhëruar nga siguria e Tij”, është: Ndalohet që njerëzit t’i shqetësojnë ata që janë në siguri të Allahut të Madhëruar. Po e shkelen këtë, Allahu i Madhëruar i kërcënon[32].
Në hadith sqarohet se motiv i kësaj sigurie është namazi i sabahut, që po u braktis, nuk meriton këtë tretman. Si rrumbullakësim do të na dilte domethënia e hadithit: “Mos e braktisni namazin e sabahut që të thyhet marrëveshja e sigurisë ndërmjet jush dhe Allahut të Madhëruar” [33].
Është fryt i madh ky, është pasuri e bukur, dhe ti o musliman që fal namazin e sabahut, bëhu gati për këtë por ruaju që të dështosh.
Shënim: Sipas sqarimeve paraprake, kërcënimi vlen për të dy palët:
1) për ata që shqetësojnë falësit, dhe
2) për ata që nuk falin namazin e sabahut[34].
Përfitimi i gjashtë: Shpëtimi i madh
Zuhejr Ammare b. Ruvejb transmeton se e ka dëgjuar Pejgamberin [alejhisselam] duke thënë:
“Nuk do të hyjë në zjarre askush që ka falur para lindjes dhe para perëndimit të diellit (pra sabahun dhe ikindinë)”[35].
Ky hadith madhështor na përgëzon me një lajm të bukur se shpëtimi nga zjarri u sigurua. Kjo është kërkesë e përhershme e besimtarëve:
﴿ الذين يقولون ربنا إننا آمنا فاغفر لنا ذنوبنا وقنا عذاب النار ﴾
Ata të cilët thonë: “Zoti ynë, ne sinqerisht besuam, na i falë mëkatet tona na ruaj prej ndëshkimit të zjarrit!”[36].
﴿ ربنا ما خلقت هذا باطلاً سبحانك فقنا عذاب النار ﴾
… Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!”[37].
﴿ والذين يقولون ربنا اصرف عنا عذاب جهنم إن عذابها كان غراما ، إنها ساءت مستقراً ومقاماً ﴾
Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, largoje prej nesh vuajtjen e xhehennemit, e s’ka dyshim se vuajtja në të është gjëja më e rëndë”. 66. Ai, vërtet është vendqëndrim dhe vendbanim i keq”[38].
Namazi i sabahut projektues i shpëtimit nga zjarri. Domethënia e hadithit është: “Kush kujdeset për këto dy namaze dhe i fal vazhdimisht, do të shpëtojë nga zjarri”[39].
Zemrat e besimtarëve kanë frikë zjarrin e Xhehennemit, të cilin Allahu i Madhëruar e përshkroi:
﴿ وقودها الناس والحجارة ﴾
…lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…”[40].
﴿ لا ظليل ولا يغني من اللهب ﴾
Që nuk bën as hije, as nuk mbron prej flakës”[41].
﴿ إن شجرة الزقوم طعام الأثيم * كالمهل يغلي في البطون * كغلي الحميم ﴾
Është e vërtetë se pema e Zekumit, 44. Do të jetë ushqim i mëkatarëve. 45. Vlon si katrani (si pezhgveja) në barqet. 46. Ashtu si vlon uji i valë”[42].
﴿ إن لدينا أنكالاً وجحيماً * وطعاماً ذا غصة وعذاباً أليماً ﴾
Se me të vërtetë te Ne ka pranga e zjarr. 13. Edhe ushqim që nuk gëlltitet edhe dënim të dhembshëm”[43].
﴿ فشاربون عليه من الحميم * فشاربون شرب الهيم ﴾
E menjëherë pas do të pini prej ujit të vluar! 55. Do të pini si deveja e etshme!”[44].
﴿ وإن يستغيثوا يغاثوا بماء كالمهل يشوي الوجوه بئس الشراب وساءت مرتفقا ﴾
… e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai”[45].
﴿ يتجرعه ولا يكاد يسيغه ﴾
Përpiqet ta përbijë, po jo nuk mund ta gëlltisë atë…”[46].
﴿ يود المجرم لو يفتدي من عذاب يومئذ ببنيه * وصاحبته وأخيه * وفصيلته التي تؤويه * ومن في الأرض جميعاً ثم ينجيه﴾
… Krimineli dëshiron sikur të kishte paguar dënimin e asaj dite me bijtë e vet. 12. Dhe me gruan e vet dhe me vëllain e vet. 13. Edhe me të afërmit e tij që ai te ata mbështetej. 14. Edhe me krejt çka ka në tokë, e vetëm të kishte shpëtuar!”[47].
﴿ إن الذين كفروا بآياتنا سوف نصليهم ناراً كلما نضجت جلودهم بدلناهم جلوداً غير جلودهم ليذوقوا العذاب ﴾
Është e vërtetë se ata që mohuan argumentet Tona, do t’i hedhim në zjarr. Sa herë që u digjen lëkurat e tyre, Ne ndërrojmë lëkura të tjera që të shijojnë dënimin. All-llahu është i plotfuqishëm, i drejtë”[48].
﴿ وسقوا ماء حميماً فقطع أمعاءهم ﴾
…dhe u shuhet etja me ujë të valë që ua copëton zorrët e tyre?”[49].
﴿ ومن جاء بالسيئة فكبت وجوههم في النار ﴾
E kush do të paraqitet me punë të këqija (me besim të gabuar), ata do të hidhen të përmbysur me fytyrat e tyre në zjarr…”[50].
﴿ يوم يسحبون في النار على وجوههم ذوقوا مس سقر ﴾
Ditën kur me fytyrat e tyre do të tërhiqen zvarrë në zjarr. “Vuajeni dënimin Sekar” (emër i një xhehennemi)”[51].
﴿ يوم تبيض وجوه وتسود وجوه فأما الذين اسودت وجوههم أكفرتم بعد إيمانكم فذوقوا العذاب بما كنتم تكفرون ﴾
Në ditën kur ka fytyra që zbardhen dhe ka fytyra që nxihen. E për sa u përket atyre fytyrave që janë nxirë (u thuhet): “A edhe pas besimit tuaj u bëtë pabesimtarë? Vuajeni pra dënimin, për shkak se ishit që nuk besonit”[52].
﴿ والذين كفروا قطعت لهم ثياب من نار يصب من فوق رؤوسهم الحميم * يصهر به ما في بطونهم والجلود * ولهم مقامع من حديد﴾
…e atyre që nuk besuan, u qepen rroba prej zjarri e u hidhet uji valë mbi kokat e tyre. 20. Që me atë u shkrihet krejt ç’ka në barqet e tyre e edhe lëkurat. 21. Për ata janë edhe kamxhikët e hekurt”[53].
A nuk ke frikë nga ky trishtim dhe nga ky dënim?! A nuk dridhet zemra jote nga frika se ndoshta ka ndonjë hise prej këtij dënimi?! A nuk qenka atëherë shpëtim i madh dhe begati madhështore largimi nga ky dënim?!
Përfitimi i shtatë: Synimi kryesor
Hyrja në Xhennet dhe ngadhënjimi me mirësitë e tij është qëllim i qëllimeve, është dëshira më e artë, është shpresa e përhershme, është duaja e gjithmonshme…Është shpëtimi i vërtetë pas udhëtimit nga kjo jetë:
﴿ كل نفس ذائقة الموت وإنما توفون أجوركم يوم القيامة فمن زحزح عن النار وأدخل الجنة فقد فاز وما الحياة الدنيا إلا متاع الغرور﴾
Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen ditën e kiametit, e kush shmanget zjarrit e futet në xhennet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues”[54].
Është çmim për të cilin derdhen pasuri të mëdha:
﴿ إن الله اشترى من المؤمنين أنفسهم وأموالهم بأن لهم الجنة يقاتلون في سبيل الله بأموالهم وأنفسهم فيقتلون ويقتلون وعداً عليه حقاً في التوراة والإنجيل والقران ومن أوفى بعهده من الله فاستبشروا ببيعكم الذي بايعتم به وذلك هو الفوز العظيم﴾
All-llahu bleu prej besimtarëve shpirtrat dhe pasurinë e tyre me xhennet. Luftojnë në rrugën e All-llahut, mbysin dhe mbyten. (All-llahu dha) Premtim të cilin e vërtetoi në Tevrat, Inxhill e Kur’an. E kush është zbatues më i sigurt i premtimit të vet se All-llahu? Pra, gëzonju tregtisë që e bëtë me Të. Ky është suksesi i madh”[55].
Është shpërblim që pa mund të madh nuk arrihet dot:
﴿ أم حسبتم أن تدخلوا الجنة ولما يأتكم مثل الذين خلوا من قبلكم مستهم البأساء والضراء وزلزلوا حتى يقول الرسول والذين آمنوا معه متى نصر الله ألا إن نصر الله قريب﴾
Po ju menduat se do të hyni në xhennet, pa u provuar edhe ju me shembullin e atyre që ishin para jush, të cilët i patën goditur skamjet e vuajtjet dhe qenë tronditur, saqë i dërguari thoshte, e me te edhe ata që kishin besuar: “Kur do të jetë ndihma e All-llahut”?! Ja (u erdhi ndihma) vërtet ndihma e All-llahut është afër!”[56].
Është shpërblim që pa durim nuk arrihet:
﴿ أم حسبتم أن تدخلوا الجنة ولما يعلم الله الذين جاهدوا منكم ويعلم الصابرين ﴾
A mos menduat ju se do të hyni në xhennet e All-llahu pa e ditur (pa u vërtetuar në praktikë) se cilët prej jush kanë luftuar dhe pa e ditur cilët prej jush ishin të durueshëm”[57].
﴿ وما يلقاها لا الذين صبروا وما يلقاها إلا ذو حظ عظيم ﴾
Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm, dhe nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që kanë virtyt të lartë”[58].
Është Xhennet në të cilin:
﴿ أنهار من ماء غير آسن وأنهار من لبن لم يتغير طعمه وأنهار من خمر لذة للشاربين وأنهار من عسل مصفى ﴾
… lumenj me ujë të mirë për pije, lumenj nga qumështi me shije të paprishur, lumenj nga vera e shijshme për njerëz, lumenj nga mjalti i kulluar…”[59].
Në të:
﴿ غرف من فوقها غرف مبنية تجري من تحتها الأنهار ﴾
…do të ketë dhoma të ndërtuara njëra mbi tjetrën, nën të cilat rrjedhin lumenjtë…”[60].
﴿ فاكهة مما يتخيرون * ولحم طير مما يشتهون ﴾
Edhe pemë sipas dëshirës së tyre. 21. Edhe mish shpezësh, cilin ta duan”[61].
Rrobat e tyre:
﴿ يحلون فيها من أساور من ذهب ولؤلؤاً ولباسهم فيها حرير ﴾
… aty do të stolisen me rrethorëza nga ari e margaritari, e petkat e tyre janë të mëndafshta”[62].
Shërbëtorët e tyre:
﴿ يطوف عليهم ولدان مخلدون ﴾
Atyre u shërbejnë djelmosha të gjithmonshëm”[63].
Enët e tyre:
﴿ يطاف عليهم بصحاف من ذهب وأكواب ﴾
Atyre u shërbejnë me enë e gastare nga ari, aty do të kenë çka t’u dëshirojë shpirti dhe t’u kënaqet syri. Ju do të jeni aty përgjithmonë”[64].
Ulëset e tyre:
﴿ متكئين على فرش بطائنها من إستبرق ﴾
Të mbështetur në kolltukë që i kanë mbulesat e kadifes…”[65].
Me gjithë këto, ata kanë:
﴿ حور عين كأمثال اللؤلؤ المكنون ﴾
Dhe (gratë e tyre janë) hyri symëdha. 23. Si të ishin inxhi të ruajtura”[66].
Është begati pas së cilës nuk ka tjetër:
﴿ كلما رزقوا منها من ثمرة رزقاً قالوا هذا الذي رزقنا به من قبل وأُتوا به متشابهاً ولهم فيها أزواج مطهرة وهم فيها خالدون ﴾
E, përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira se ata do të jenë në xhennete në të cilët rrjedhin lumenj. Sa herë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: “Ky është që me te u ushqyem edhe më parë”. Ngase, u sillet ushqim i ngjashëm (vetëm në formë, e jo edhe në shije). Aty do të kenë ata bashkëshorte të pastra dhe aty do të jenë përgjithmonë”[67].
Është i papërshkruar dhe mbi imagjinar:
﴿ فلا تعلم نفس ما أخفي لهم من قرة أعين جزاء بما كانوا يعملون ﴾
Pra, për ata që kanë vepruar, nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim”[68].
A nuk përmallohet zemra jote për këtë? A nuk lidhet shpresa jote për këtë? A nuk ke dëshirë të jesh banor i Xhennetit?
Se falja e namazit të sabahut të garanton hyrjen në Xhennet dëshmon edhe hadithi nga Ebu Musa el Esh’ariu[69]:
“Kush fal dy të freskëtat (sabahun dhe ikindinë), hyn në Xhennet ”[70].
Ky hadith ka pak fjalë por është shumë i qartë.
Përfitimi i tetë: Begati shtesë, por e rrallë dhe shumë e veçantë
Thotë Allahu i Madhëruar:
﴿ للذين أحسنوا الحسنى وزيادة ﴾
Atyre që bëjnë vepra të mira, u takon e mira (xhenneti) edhe më tepër (e shohin All-llahun)…”[71].
Në koment të këtij ajeti është transmetuar nga Pejgamberi [alejhisselam] dhuntia e të shikuarit në Allahun e Madhëruar në Xhennet.
Prej fryteve të namazit të sabahut është ngadhënjimi me këtë shikim që është shpërblimi më i madh që i jepet njeriut. Përkitazi me këtë është transmetuar hadithi i Xherir b. Abdullah el Bexhelijj:
“Ishim tek Pejgamberi, alejhi’s selam ndërsa ai shikoi hënën kur ishte e plotë (14-she) dhe tha: Ju do ta shihni Zotin tuaj siç po e shihni hënën, pa asnjë dyshim a vështirësi (nga kallaballëku)[72] kështu, nëse keni mundësi për namaz para lindjes së diellit (sabahun) dhe para perëndimit (ikindinë), atëherë mos i lëshoni ato”[73].
Prej shkaqeve që priveligjojnë besimtarin me pamjen e Allahut të Madhëruar është edhe namazi i sabahut, qartë, ashtu – sqaron Resulullahi – siç e shohim hënën e plotë pa asnjë problem.
Pejgamberi, alejhi’s selam me fjalën: “nëse keni mundësi që të mos iu kalojnë” disi aludon se ekzistojnë shkaqe që të pengojnë por që nuk bën të tolerohen. Pamendja e këtyre dy namazeve në kontekst të hadithit pas citimit të pamjes së Allahut të Madhëruar dëshmon se ato janë shkaqe për arritjen e këtij shpërblimi të madh. Ka thënë Ibni Haxheri: Arsyeja e përmendjes së këtyre namazeve paralel me pamjen e Allahut të Madhëruar është se, përveç që namazi është prej adhurimeve më të mira, për këto dy namaze janë transmetuar veçori ekstra, si: tubimi i melaikeve, ngritja e veprave, etj. Kështu, qe e udhës, për atë që kujdeset për to, të jete si shpërblim pamja e Allahut të Madhëruar.
Po deshe të imagjinosh madhështinë e kësaj begatie ndal dhe lexoje këtë hadith të Suhejb err Rrumit ku qëndron se Pejgamberi [alejhisselam] ka thënë:
“Kur banorët e Xhennetit të hyjnë në Xhennet, Allahu i Madhëruar do t’iu drejtohet: Dëshironi t’iu shtoj diç? A nuk na i ke zbardhur fytyrat, a nuk na ke futur në Xhennet dhe nuk na ke shpëtuar nga Xhehennemi?!-i përgjigjen. Thotë (Pejgamberi, alejhi’s selam siç rrëfen transmetuesi): Atëherë hiqet perdja dhe nuk iu është dhënë asgjë, absolutisht, më e dashur se sa shikimi në Zotin e tyre të madhëruar”[74].
A nuk e di se lutja e Pejgamberit [alejhisselam] ishte edhe kjo:
“…të lus për jetë të këndshme pas vdekjes, të lus për kënaqësinë e shikimit në fytyrën tënde, nostalgjinë për takimin me Ty, pa ndonjë fatkeqësi dëmtuese dhe sprovë humbëse. O Allahu ynë! Na zbukuro me stoli të besimit dhe na bë të udhëzuar e udhëzues”[75].
Përfitimi i nëntë: Namazi i natës
Namazi i natës është adhurim i madh, me të cilin qe veçuar Pejgamberi [alejhisselam]:
«ومن الليل فتهجد به نافلة لك عسى أن يبعثك ربك مقاماً محموداً»
Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kur’anin – namazin), është e sigurt se Zoti yt do të ngrejë ty në një vend të lavdishëm”[76].
Konteksti i ajetit tregon për vlerën e namazit të natës ngase pas saj u citua se Muhammedi [alejhisselam] arriti pozitën e lartë, ndërmjetësimin.
Namazi i natës është vepër e përmendur nga Allahu i Madhëruar në kuadër të veprave të njerëzve – robërve të sinqertë:
﴿ إنما يؤمن يآياتنا الذين إذا ذكروا بها خروا سجداً وسبحوا بحمد ربهم وهم لايستكبرون * تتجافى جنوبهم عن المضاجع يدعون ربهم خوفاً وطمعاً ومما رزقناهم ينفقون﴾
Argumentet tona i besojnë, në të vërtetë, ata që kur këshillohen me to, bien në fytyra (bëjnë sexhde), që madhërojnë Zotin e tyre në shenjë falënderimi dhe ata nuk bëjnë kryelartësi, 16. I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe nga shpresa dhe nga ajo që Ne ua kemi dhënë (pasuria) atyre, ata japin”[77].
﴿ كانوا قليلاً من الليل ما يهجعون * وبالأسحار هم يستغفرون ﴾
Ata qenë të cilët pak flinin natën. 18. Dhe në syfyr (kah mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkatet“[78].
﴿ والذين يبيتون لربهم سجداً وقياماً ﴾
Dhe që për hir të Zotit të tyre natën e kalojnë duke i bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë (falen)”[79].
Namazi i natës është shkollë besimi dhe devotshmërie, është burim pastrimi dhe dëlirësie, me të jetojnë zemrat dhe nderohen, me të lartësohen shpirtrat dhe përmallohen, me të sytë shijojnë lotët e frikës dhe pendimit, me të gjuha lëshon lutje përulësie dhe kthimi, me të balli prek dheun e tokës në sexhde si nënshtrim dhe qetësim shpirtëror.
Namazi i natës është çast ku shpresohet përmbushja e duasë, siç thotë Muhammedi [alejhisselam]:
“Gjatë natës është një çast që nuk ndodhë myslimani të përputhet me të e ta lus Allahu e Madhëruar për ndonjë të mirë të kësaj bote dhe Ahiretit e të mos ia jep atë Allahu. Kjo shanse është për çdo natë ”[80].
Është po kështu edhe prej shkaqeve të hyrjes në Xhennet, siç thotë Pejgamberi [alejhisselam]:
“O ju njerëz! Përhapeni selamin, jepni ushqim dhe faluni natën kur njerëzit flenë të hyni kështu në Xhennet me selam (paqe e lehtësim)”[81].
Ndoshta më thua siç thonë shumë njerëz se nuk e kemi bërë shprehi të ngrihemi e të falim namaz natën, nuk kemi fuqi për të, vullneti na ka rënë, vendosmëria është dobësuar, trupat tanë janë rënduar, pasuria dhe familja na kanë preokupuar…Edhe pse unë e thërras veten time dhe ju, dhe çdo musliman tjetër që të mos lëshojë namaz nate pa falur, megjithatë ky fitim realizohet duke falur namazin e sabahut në xhami dhe llogaritet sikur je falur tërë natën. Po, sikur je falur tërë natën e jo në një pjesë të saj. Këtë nuk po e them pse po kam dëshirë por kjo kështu është transmetuar në hadithin e Uthman b. Affanit nga i dërguari i Allahut të Madhëruar:
“Kush fal Jacinë me xhemat është sikur ta jetë falur gjysmën e natës kurse kush fal sabahun në xhemat është sikur të jetë falur tërë natën”[82].
Ti, kështu, po realizon një fitim të sigurt, andaj mos e lë anash.
Përfitimi i dhjetë: E mira e përgjithshme
E mirë e pafund, mirësi e pa skaj, dhunti të panumërta, begati e papërshkruar, dhuratë e shumëfishuar, dhe mos gabo të thuash se këto fjalë janë hiperbolizime. Assesi, kjo është bujaria e Zotit të qiejve dhe tokës, bujari e Atij që depot e Tij nuk harxhohen kurrë, pasuria e Tij nuk pakësohet edhe nëse çdokujt ia përmbush kërkesën. Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ ولله ملك السماوات والأرض وما بينهما ﴾
… Vetëm Atij i takon pushteti i qiejve, i tokës dhe ç’ka në mes tyre…”[83].
Vëlla! Ky fitim nuk është i tërë namazit të sabahut. Ai është fitim i vetëm dy rekateve sunnet të tij, dhe ty tash, moralisht, të takon të pyesësh se nëse puna qenka kështu vetëm me faljen e sunnetit atëherë si është puna me faljen e tërë namazit të sabahut?
Ta lexojmë së bashku hadithin e Aishes nga Pejgamberi [alejhisselam]:
“Dy rekate të sabahut janë më të mira se dynjaja dhe çka ka në të”[84].
Në një version tjetër:
“Për Zotin, ato dy rekate më janë më të dashura se dynjaja dhe çfarë ka në të”.
I madhëruar qofsh o Allah! Dy rekate më të mira se tërë dynjaja me ar e argjend, me bukuri e gra, me kënaqësi e dëfrime…
﴿ زين للناس حب الشهوات من النساء والبنين والقناطير المقنطرة من الذهب والفضة والخيل المسومة والأنعام والحرث ﴾
Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të këndshmeve, ndaj grave, djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë…”[85].
Jo vetëm kaq, por edhe më të mira se këto. Këtë e vërtetoi hadithi i dytë që cituam.
Përsërit prapë me mua se si qëndron shpërblimi për tërë namazin e sabahut? Është begati e pakufishme, dhe dëgjoje këtë e mos harro: Aisheja transmeton se:
“Pejgamberi [alejhisselam] nuk i kushtonte kujdes më të madh ndonjë namazi fakultativ sikur që i kushtonte dy rekateve të sabahut”[86].
Përfitimi i njëmbëdhjetë: Haxh i plotë
Padyshim se ti e di që haxhi është shtyllë e fesë islame dhe se shpërblimi i tij është: Pastrimi total i njeriut nga mëkatet. Është obligim një herë në jetë…
Fitimet e sabahut shtrihen aq gjerë saqë përfshijnë edhe Haxhin dhe Umren dhe shpërblimet e tyre së bashku. Nëse fitimi paraprak bënte fjalë për një vepër para farzit të sabahut, kjo bën fjalë për një vepër pas farzit. Se cila është kjo vepër na mëson Enesi nga Pejgamberi [alejhisselam]:
“Ai që fal sabahun me xhemat, pastaj ulet dhe e përkujton Allahu e Madhëruar derisa të lind dielli e më pas ngritët dhe fal dy rekate, ai ka shpërblimin e një Haxhi dhe Umreje të plotë, të plotë, të plotë”[87].
“Ai që fal sabahun me xhemat, pastaj ulet dhe e përkujton Allahu e Madhëruar derisa të lind dielli e më pas ngritët dhe fal dy rekate, ai kthehet me shpërblimin e një Haxhi dhe Umreje”[88].
Se vlerë të madhe ka kjo gjë dëshmon edhe hadithi i Ebu Dherrit nga Pejgamberi [alejhisselam]:
“Kush thotë 10 herë pas namazit të sabahut pas lëvizur këmbët (pa u ngritur) dhe pa folur me të tjerët: “La ilahe il-la Allahu vahdehu la sherike leh, lehu’l mulku juaji ve jumit ve huve ala kul-li shej[in kadir”, Allahu i Madhëruar ia shkruan 10 të mira, ia fshin 10 të këqija, e ngrit 10 gradë, tërë dita e tij është e mbrojtur nga çdo e ligë, e ruajtur nga djalli, dhe asnjë mëkat, përveç pabesimit (të bërit shok Allahut), nuk mund t’ia shkatërrojë veprën”[89].
A nuk sheh sa madhështore janë këto shpërblime pas kryerjes se farzit në kohën kur qetësia dhe pa zhurmëria mbretërojnë ndërsa ti e fillon ditën tënde me përkujtim të Allahut të Madhëruar që të shpërblehesh kaq shumë.
A do ta braktis këtë të mirë me gjithë të mirat tjera që ka për një sy gjumë apo një lodhje të improvizuar? Po të meditoje shpërblimin, vështirë se do ta braktisje atë.
Përfitimi i dymbëdhjetë: Bereqeti i hershëm
Xhabiri transmeton se Pejgamberi [alejhisselam] ka thënë:
“O Allahu im! Bekoja ummetit tim mëngjesin e hershëm”[90].
Vërtetë, Allahu i Madhëruar e bëri të bereqetshëm këtë kohë. Çdokush që nxiton në të, e sheh të ketë përfituar. Nëse kërkon dituri, e sheh të ketë kuptuar me lehtësi…Nëse fillon me mbamendje të Kur’anit, gjen lehtësi…Nëse nxiton për punë, do të përfitojë…Nëse niset për ndonjë çështje, do t’i lehtësohen shkaqet…
Kjo kohë disponon me të gjitha shkaqet e suksesit ngase trupi është i pushuar, mendja e kthjellur, qetësia është në nivel për shkak se tollovitë ende nuk kanë filluar, koha, numerikisht me orë, është në mundësi të tij kështu që kryen punë më shumë se të tjerët.
Ata që falin namazin e sabahut me kohë, ata shijojnë këtë mirësi dhe vjelin frytet e tij, andaj vëlla nxito edhe ti që të mos jesh prej humbësve.
O të që braktis namazin e sabahut!
Pas këtij tubimi dhe radhitje të këtyre fitimeve që në vete ngërthejnë shpërblime, vlera, dobi dhe të mira tjera të shumta të kësaj dhe botës tjetër, si hyrja në Xhennet, shikimi në Allahun e Madhëruar, etj, a mendon se për shkak të një gjumi duhet privuar veten prej tyre?
A është logjike që për shkak të një rehatie të vogël apo për shkak të mos përballimit të një dobësie të vogël, t’i humbasësh këto të mira? A dëshiron të jesh i privuar? A nuk sheh gjurmët negative të braktisjes së namazit të sabahut? A nuk i sheh këto pasoja në zhdukjen e bereqetit, dembelinë dhe vrazhdësinë shpirtërore? Si qëndron karshi ezanin që çanë errësirën e natës me thirrjen e Njëshmërisë dhe Shpëtimit (Esh’hedu en la ilahe il-la Allah dhe Hajje alel felah!)? Si e trajton Kur’anin e sabahut dhe melaiket që në mijëra grupe zbresin e ngritën? A nuk të zgjojnë këto gjëra dhe nuk lëvizin ndjenjat tua? A nuk ndikojnë që ta braktisësh shtratin dhe t’i përgjigjesh thirrjes për namaz dhe shpëtim që të shkruhesh prej robërve të sinqertë dhe të përgëzohesh e priveligjohesh me dhurata?
Unë e thërras besimin tënd në Zotin që ka zënë vend në zemrën tënde dhe ka mbushur sipërfaqen e saj!
I drejtohem besimit tënd në Muhammedi, dashuria për të cilin ka pushtuar zemrën!
Te ftoj ty në hajr të cilin e kërkon!..
Andaj mos u bë neglizhent dhe gjumash!
Mjere për ty o gjumash që për mirësitë e kësaj bote, edhe pse nuk janë asgjë në krahasim me ato të botës tjetër, përgatitesh çdo here, derdh mund e jep energji, sakrifikon qetësinë e rehatinë tënde…A nuk je ti ai që po u lajmërove për diç se ndikon në rritjen e pagës do të derdhje edhe më shumë mund dhe do të sakrifikoje edhe me gjumin tënd deri në mesnate? E tërë kjo për një dobi të një shansi që të ka ardhur. Po përse lëshon shansin ditor për përfitime të vazhdueshme dhe për fisnikëri, bujari e dhunti që nuk ndërrojnë dhe nuk shuhen kurrë?
O gjumash, ngrihu dhe nxito tek fitimet!
Burimi:
Dr. Ali bin Umer Badehdah
Përktheu: Dr. Sedat Islami
http://sedatislami.com
[1] Muslimi.
[2] Kur’ani: El Felek, 4.
[3] Kur’ani: El-Fet’h, 3/25.
[4] Kur’ani: El-Fet’h, 3/26.
[5] El-Mufhim, 2/140.
[6] Kur’ani: El-Fet’h, 3/26.
[7] El-Mufhim, 2/409.
[8] Ikmalu’l mual-lim, 3/142.
[9] Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu ndërsa Albani në Mishkatu’l mesabih, 33, e ka cilësuar autentik.
[10] Kur’ani: Err Rrahman, 60.
[11] Kur’ani: Et Tahrim, 8.
[12] Fejdu’l Kadir, 3/201.
[13] Kur’ani: El Hadid, 12-13.
[14] Kur’ani: El Hadid, 12.
[15] Kur’ani: El Hadid, 13.
[16] Kur’ani: El Hadid, 13.
[17] Kur’ani: El Hadid, 13.
[18] Tefsiru’s Sa’dijj, 7/290.
[19] Kur’ani: El Hadid, 13.
[20] Transmeton Ahmedi kurse Albani në Mishkatu’l mesabih, 19, e ka cilësuar autentik.
[21] Kur’ani: El Isra, 78.
[22] Buhariu dhe Muslimi.
[23] Kur’ani: Et Tahrim, 6.
[24] Kur’ani: El Enbija, 27.
[25] Kur’ani: El Fet’h, 2/35.
[26] Kur’ani: El Bekare, 30.
[27] Kur’ani: El Fet’h, 2/37.
[28] Kur’ani: El Isra, 78.
[29] Albani këtë hadith në Sahihu ve Daifu Suneni’t Tirmidhijj, 3135, e ka cilësuar autentik.
[30] Muslimi.
[31] El Mufhim, 2/282.
[32] Hashijetu ikmali’l mual-lim, 2/630.
[33] Ibid.
[34] Përkthyesi.
[35] Muslimi.
[36] Kur’ani: Ali Imran, 16.
[37] Kur’ani: Ali Imran, 191.
[38] Kur’ani: El Furkan, 65-66.
[39] El Mufhim, 2/262.
[40] Kur’ani: Et Tahrim, 6.
[41] Kur’ani: El Murselat, 31.
[42] Kur’ani: Ed Duhan, 43-46.
[43] Kur’ani: El Muzzemmil, 12-13.
[44] Kur’ani: El Vakiah, 54-55.
[45] Kur’ani: El Kehf, 29.
[46] Kur’ani: Ibrahim, 17.
[47] Kur’ani: El Mearixh, 11-14.
[48] Kur’ani: En Nisa, 56.
[49] Kur’ani: Muhammed, 15.
[50] Kur’ani: En Neml, 90.
[51] Kur’ani: El Kamer, 48.
[52] Kur’ani: Ali Imran, 106.
[53] Kur’ani: El Haxh, 19-21.
[54] Kur’ani: Ali Imran, 185.
[55] Kur’ani: Et Teube, 111.
[56] Kur’ani: El Bekare, 214.
[57] Kur’ani: Ali Imran, 142.
[58] Kur’ani: Fussilet, 35.
[59] Kur’ani: Muhammed, 15.
[60] Kur’ani: Ez Zumer, 20.
[61] Kur’ani: El Vakiah, 20-21.
[62] Kur’ani: Fatir, 33.
[63] Kur’ani: El Vakiah, 17.
[64] Kur’ani: Ez Zuhruf, 71.
[65] Kur’ani: Err Rrahman, 54.
[66] Kur’ani: El Vakiah, 22-23.
[67] Kur’ani: El Bekare, 25.
[68] Kur’ani: Es Sexhde, 17.
[69] Transmetim unanim.
[70] Për qëllim siç shënuam sipër janë këto dy namaze porse emërtimi me këtë emër sipas asaj që përmendën dijetarët, e Allahu i Madhëruar e di më së miri, është: Janë quajtur kështu ngase falen në dy pjesë të ditës (agim e pasdite) kur koha është më e freskët, më fllad, dhe kur më vapa e madhe ka shkuar. Shih për këtë komentin e Sahihut të Buhariut nga Askalani.
[71] Kur’ani: Junus, 26.
[72] Shënim: Nëse fjala “Tudamûne” është pa dyfishim të mim-it, atëherë fjala është për mos vështirësi në shikim nga kallaballëku, ndryshe, nëse është me dyfishim, kuptimi mbetet “pa dyshim” ngase njerëzit mund të kenë dyshime në fillim të muajit kur ta shohin hënën se është apo jo ajo porse në natën e 14-të të gjithë e shohin qartë pa asnjë dyshim se ajo është hëna.
[73] Transmetim unanim.
[74] Muslimi.
[75] Këtë hadith e transmetojnë Nesaiu dhe Ibni Hibbani. Albani në Sahihu ve daifu xhamii’s sagir, 2181, e ka cilësuar autentik.
[76] Kur’ani: El Isra, 79.
[77] Kur’ani: Es Sexhde, 15-16.
[78] Kur’ani: Edh Dharijat, 17-18.
[79] Kur’ani: El Furkan, 64.
[80] Muslimi.
[81] Tirmidhiu.
[82] Muslimi.
[83] Kur’ani: El Maide, 17.
[84] Muslimi.
[85] Kur’ani: Ali Imran, 14.
[86] Transmetim unanim.
[87] Transmeton Tirmidhiu të cilin e ka cilësuar hasen sahih.
[88] Transmeton Taberaniu ndërsa senedi i tij është i mirë – xhejjid. Et tergib ve’t terhib, 1/296.
[89] Hadithin e transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[90] Transmeton Taberaniu në el-Eusat.