PËRMIRËSIMI I IMAZHIT TË ISLAMIT NËPËRMJET PËRMIRËSIMIT TË SJELLJEVE SHOQËRORE
All-llahu i Madhëruar e shpalli Islamin si fenë e fundit për njerëzimit, me të cilën përmbylli të gjitha fetë (ligjet) e mëparshme hyjnore. Kjo, siç edhe ka thënë All-llahu i Madhëruar në Kur’an (Al Imran, 19), nënkupton se Islami është feja e vetme që pranohet për njerëzimin.
Për këtë shkak, ithtarët e kësaj feje, janë të obliguar që t’i thërrasin njerëzit në Islam, sepse kështu i shpëtojnë në këtë dhe botën tjetër. Për ta realizuar një gjë të tillë, duhet që, para së gjithash, ithtarët e kësaj feje të respektojnë rregullat dhe mësimet e fesë së tyre, që të jenë shembull dhe model për të tjerët. I këtillë ishte mësuesi i parë i kësaj feje, Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]. Kur Aisheja [radijAll-llahu anha] u pyet për moralin e tij, e përkufizoi me një fjali të vetme: “Morali i tij ishte Kur’ani!”[1]
Pra, ishte përkthim praktik i Kur’anit:
– nëse doje të dije për edukatën kur’anore, shikoje në Muhammedin [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]
– nëse doje të dije për mëshirën kur’anore, shikoje në Muhammedin [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]
– nëse doje të dije për drejtësinë, korrektësinë, amanetin, shikoje në Muhammedin [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]
– nëse doje të dije për përkushtimin shpirtëror dhe adhurimin, shikoje në Muhammedin [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]
– nëse doje të mësoje për çfarëdo tipari apo virtyti kur’anor, mjaftoje të shikoje në Muhamemdin [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] dhe atë do ta gjeje në të.
Si rezultat i këtij morali, pranuan Islamin me dhjetëra mijëra njerëz, në mesin e tyre edhe prijës e ithtarë të flaktë të feve tjera. Ishte mishërim i rrallë i sjelljes dhe veprimeve të tij me mësimet që predikonte.
A reflektojmë ne sot moralin dhe kulturën kur’anore?
A jemi ne mishërim i mësimeve dhe porosive kur’anore?
A guxojmë të themi se një të huaji për ta mësuar Kur’anin i mjafton të shikojë në moralin dhe sjelljet tona?
Natyrisht se jo. Është pikërisht e kundërta. Ne nuk përfaqësojmë moralin dhe mirësjelljen e kërkuar islame. Të huajt kanë krijuar bindjet e tyre karshi fesë pikërisht për shkak të sjelljeve tona të këqija. Andaj, për ta përmirësuar këtë imazh ne duhet t’i kthehemi mësimeve dhe porosive islame. Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] na ka përshkruar një mënyrë perfekte të përmirësimit të këtij imazhi nëpërmjet sjelljeve tona shoqërore.
Transmeton Ibni Omeri [radijAllahu anhuma] se Pejgamberi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:
“أحبُّ الناسِ إلى اللهِ أنْفَعُهُمْ لِلنَّاسِ ، و أحبُّ الأعمالِ إلى اللهِ عزَّ وجلَّ سُرُورٌ يدْخِلُهُ على مسلمٍ ، أوْ يكْشِفُ عنهُ كُرْبَةً ، أوْ يقْضِي عنهُ دَيْنًا، أوْ تَطْرُدُ عنهُ جُوعًا ، و لأنْ أَمْشِي مع أَخٍ لي في حاجَةٍ أحبُّ إِلَيَّ من أنْ اعْتَكِفَ في هذا المسجدِ ، يعني مسجدَ المدينةِ شهرًا ، و مَنْ كَفَّ غضبَهُ سترَ اللهُ عَوْرَتَهُ ، و مَنْ كَظَمَ غَيْظَهُ ، و لَوْ شاءَ أنْ يُمْضِيَهُ أَمْضَاهُ مَلأَ اللهُ قلبَهُ رَجَاءً يومَ القيامةِ ، و مَنْ مَشَى مع أَخِيهِ في حاجَةٍ حتى تتَهَيَّأَ لهُ أَثْبَتَ اللهُ قَدَمَهُ يومَ تَزُولُ الأَقْدَامِ ، [و إِنَّ سُوءَ الخُلُقِ يُفْسِدُ العَمَلَ ، كما يُفْسِدُ الخَلُّ العَسَلَ ]
Njeriu më i dashur tek All-llahu është njeriu më i dobishëm për njerëzit ndërsa vepra më e dashur tek All-llahu është kënaqësia të cilën ia dhuron një besimtari, apo brengën të cilën ia largon, apo borxhin që ia kryen, apo urinë që ia shuan. Personalisht, që të jam në shërbim (plotësim të ndonjë nevoje) të vëllait tim, është më e dashur për mua se sa të qëndroj një muaj në i’tikaf në këtë xhami (xhaminë time). Kush vetëpërmbahet nga hidhërimi, All-llahu do t’ia mbulojë të metën. Kush përmbahet nga shfryrja e mllefit, që po të donte ta bënte do ta bënte, All-llahu do t’ia mbush zemrën me plot shpresë në Ditën e Kiametit. Kush angazhohet derisa t’ia plotëson vëllait të tij një kërkesë-nevojë, All-llahu do t’ia forcojë këmbët ditën (e llogarisë) kur këmbët sforcohen. Morali i keq e prish veprën, ashtu sikur uthulla e prish mjaltin.”[2]
Kriteri për të qenë më i dashuri tek All-llahu
Për të qenë i mirë, ka një kriter: të jesh i dobishëm. Besimtari i mirë është ai që është i dobishëm për të tjerët. Kjo dobi është konkrete dhe kuptimore:
Konkrete, në kuptim të mbulimit të nevojave materiale, siç do ta shpjegojmë pak më vonë.
Kuptimore, në kuptim të dëshirimit të së mirës shpirtërisht për tjetrin. Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Nuk ka besuar ndonjëri prej jush me besim të plotë përderisa të mos e dëshirojë për vëllanë atë që e do për vete.”[3]
Pra, nëse për vete dëshiron të jesh i edukuar, duaje edhe për tjetrin: nëse për vete dëshiron të kesh fëmijë të edukuar, duaje këtë dhe për tjetrin, nëse dëshiron të shpëtosh e të shkosh në Xhennet për vete, duaje këtë edhe për tjetrin. Ibn El Imadi thotë se do të ishte mirë që ky hadith të interpretohej më gjerësisht, gjegjësisht ta përfshinte edhe vëllazërinë humane, ose më qartë, ta përfshijë edhe jomyslimanin, duke ia dëshiruar atij Islamin ashtu siç e dëshiron për vete.[4] Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] lutej që All-llahu t’i udhëzonte jobesimtarët.[5]
Madje edhe vet hadith bazë dobinë e besimtarit e përshkruan si dobi për njerëzit “…më i dobishmi për njerëzit…”, duke mos bërë dallim ndërmjet tyre.
Kriteri i veprës së mirë shoqërore
Në këtë hadith të Muhammedit [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] kemi një kriter për vlerësimin e veprave shoqërore: cila është vepra më e mirë dhe më e dobishme? A është ndihma materiale apo ndihma dhe përkrahja shpirtërore. Në hadith vepra më e mirë përshkruhet gëzimi që i dhuron një besimtari. Pra, nuk mjafton të mbulosh nevojat materiale, por krahas kësaj duhet edhe të sillesh mirë me fjalë dhe me sjellje. Për këtë shkak, Pejgamberi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] kur u pyet për një grua që falej, agjëronte dhe jepte sadaka por që me gjuhën e saj i shqetësonte të tjerët, tha se fati i saj do të ishte në zjarr. Kjo për shkak se nuk ka reflektuar aty ku është dashur ose aty ku testohet efekti i adhurimeve paraprake (namazit, agjërimit dhe sadakasë).
Fusha të angazhimit shoqëror
Në çka ta fokusojmë angazhimin tonë për të qenë të dobishëm për njerëzimin?
Janë disa pika me rëndësi të veçantë, veçmas për kohën tonë, të cilat na i ka përshkruar Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem].
Gëzimi, për të cilin folëm.
Largimi i brengës, veçmas atyre shpirtërore, që janë bërë sëmundje të pashërueshme të kohës: depresioni, stresi, ankthi, e të cilat fatkeqësisht po përfundojnë shpesh edhe me vetëvrasje. Kjo është formë prej formave të gëzimit që i dhurohet besimtarit.
Pagimi i borxheve, që sot po ngufasin shoqërinë. All-llahu i Madhëruar i ndihmon atij që i jep borxh vëllait dhe ia lehtëson llogarinë. Për këtë, Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] nxit që borxhi të trajtohet, jo si problem, por si mënyrë e zgjidhjes së probleme: duke iu ndihmuar atyre që kanë borxh nëpërmjet dhënies së zekatit, duke shtyrë afatet e atyre që kanë borxhe dhe duke ua falur tërësisht ato. Kështu mund të gjesh vetëm në Islam, për këtë shkak edhe po kërkojmë që Islamin me këto bukuri tua paraqesim njerëzve.
Ikja nga konfliktet shoqërore ose vetëpërmbajtja nga hidhërimi. Është tipar që reflekton fuqinë e besimtarit, i cili fal atëherë kur ka të gjitha mundësitë për tu hakmarrë.
Shuarja e urisë, ose ndihma konkrete. Nuk mund të jesh mysliman i mirë nëse nuk i ndihmon të tjerët materialisht, veçmas të afërmit. “Nuk ka besuar në mua ai që fle i ngopur ndërsa e di se fqinji i tij afër është i uritur!”- ka thënë Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]. [6]
Ajo që vërehet në hadith është angazhimi konkret: “…derisa t’ia plotësojë…” Pra, kërkohet që angazhimi të jetë serioz, jo debat dhe qarje dertesh, por punë dhe angazhim konkret. Duke qenë se këtu i flitet besimtarit në njëjës por synohet secili veç e veç, atëherë do të ishte mirë që këto porosi profetike të shndërrohen në nisma qytetare dhe shoqërore, p.sh. të kemi sa më shumë shoqata bamirëse, të cilat do të interesoheshin për çdo qytet e fshat, në mënyrë që askush nga shoqëria të mos ngelte pa plotësimin e të patën nevojave elementare për jetë.
Shpërblimi për veprën shoqërore
1) Më i madh se veprat fakultative
Shpërblimi për veprat e këtilla shoqërore është më i madh se sa adhurimet fakultative.
2) Shpërblimi nga lloji i veprës
Gëzim për gëzim, lehtësim për lehtësim, mbulim për mbulim, largim të brengave për largim të brengave. All-llahu ka thënë:
هَلْ جَزَاءُ الْإِحْسَانِ إِلَّا الْإِحْسَانُ
Vallë, për veprën e mirë ka shpërblim tjetër por të mirës?!” [Err Rrahman, 60]
Shembulli i moralit të keq
Morali i keq nuk i ka hije besimtarit. Ai e zymtëson imazhin e tij mu ashtu sikur që uthulla ia prish shijen mjaltit. Atij i ngel emri mjaltë por pa shije. Edhe besimtarit, i ngel emri, por pa shije. Kështu, të dashur vëllezër, që t’ia kthejmë shoqërisë myslimane madhështinë, na duhet të fillojmë me pastrimin e karakterit dhe sjelljeve tona. Ne duhet të jemi të mirë, të reflektojmë mirësi dhe humanitet, të jemi të dashur dhe produktiv, të tregojmë pjekuri dhe burrëri, të shfaqim moralin si imazh identifikues.
[1] Albani në Sahihu-l-xhamii, 4811, e vlerëson autentik.
[2] Albani në Silsiletu-s-sahihah, 906, e vlerëson hasen.
[3] Transmetim unanim.
[4] Shih: Ibn Al-lan, Muhammed bib Ali bin Muhammed. (2004) Delil el falihin li turuki Rijadi-s-Salihin. Bejrut: Dar el ma’rifeh li-t-tibaati ve-n-neshr. 3/26.
[5] Shih: Kasim, Hamza Muhammed. (1990) Menaru-l-karii sherhu Sahihi el-Buhari. Kontrolloi: Abdul Kadir Arnauti. Verifikoi: Beshir Muhammed Ujun. Damask – Taif: Mektebetu Dar el Bejan – Mektebetu el-Muejjed. 1/91.
[6] Albani në Sahihu-l-xhami, 5505, e vlerëson autentik.
Burimi:
http://sedatislami.com