Allahu ka premtuar në Kur’an se Ai do ta marrë në përgjegjësi ruajtjen e fjalës së Tij të fundit prej humbjes.
Allahu thotë: “Vërtet, Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.” (Kur’an, 15: 9)
Në këtë mënyrë, Kur’ani është ruajtur në të dy format: në formën orale dhe në atë të shkruar në mënyrën që asnjë libër fetar nuk ka qenë në histori.
Përse Allahu e ruan Kur’anin dhe lejoi që librat e Tij të shpallura më herët të ndryshohen ose të humben?
Përgjigja në këtë pyetje gjendet në tri faktet vijuese:
1. Profetët e mëhershëm dhe librat e tyre ishin dërguar te njerëz të veçantë dhe në një periudhë të veçantë të historisë. Kur përfundonte një periudhë, profeti i ri është dërguar me libër të ri për ta zëvendësuar librin e mëparshëm. Kështu që nuk ishte e domosdoshme që këto libra të ruheshin nga Allahu. Ruajtja e librave të mëhershëm iu kishte lënë njerëzve për t’i testuar ata. Kështu, kur njerëzit humbnin rrugën ata e ndryshonin atë që ishte e shkruar në libër të cilën e sollën profetët e tyre me qëllim për t’i bërë të lejueshme gjërat që ishin të ndaluara për ta. Në këtë mënyrë, të gjithë librat e shpallura më herët u ndryshuan ose humbën.
2. Profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selam) është profeti i fundit të cilin e dërgoi Allahu dhe ai nuk është dërguar te njerëz të caktuar në një kohë të caktuar. Ai është dërguar te të gjithë njerëzit deri në fund të botës. Allahu thotë në Kur’an:
“Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (34: 28)
Pra, libri i shpallur i tij, Kur’ani, do të ruhet posaçërisht prej çdo forme të ndryshimit ose humbjes kështu që ai do të jetë në dispozicion të të gjithë brezave të njerëzve deri në ditën e fundit të kësaj bote.
3. Kur’ani ishte mrekullia kryesore dhënë Profetit Muhamed (salallahu alejhi ue selam) për të vërtetuar se ai ishte profet i vërtetë i Allahut dhe jo i vetëquajtur. Kështu, Kur’ani duhet të jetë i ruajtur për t’ua vërtetuar brezve të mëvonshëm se Muhamedi (salallahu alejhi ue selam) ishte vërtet profeti i fundit i Allahut. Të gjithë profetët e rremë që erdhën pas Profetit Muhamed (salallahu alejhi ue selam) sollën libra për të cilët ata pohuan se janë të shpallur nga Allahu, por asnjë prej tyre nuk kishte aftësi të mrekullueshme të mësohen përmendësh prej mijërave, as nuk ndikuan në mesazhin e Kur’anit.
Rëndësia e ruajtjes së Kur’anit është se Islami është mbajtur në pastërtinë origjinale për shkak të saj. Njerëzimi mund të kthehet gjithnjë në burimin e Islamit pa marrë parasysh se çfarë njerëzit mund të kenë shtuar ose harruar ndërkohë. Të gjitha parimet themelore të Islamit gjenden në Kur’an. Si pasojë, ruajtja e Kur’anit nënkupton ruajtjen e Islamit në formë të pandryshueshme. Humbja e Inxhillit të Isës a.s. përjashtohet me pranimin e Kur’anit. Në mënyrë të ngjashme, Tevrati origjinal kishte humbur kur Tempulli i Sulejmanit në Jerusalem ishte shkatërruar nga Babilonasit. Kështu, hebrenjtë nuk mund të kthehen në mësimet e pastra të Profetit Musë përveç duke pasuar Islamin. Vetëm në Islam mësimet e pastra të profetit janë ruajtur pa asnjë ndryshim. Kjo është pse Allahu thotë në Kur’an:
“Vërtet, feja e pranueshme tek All-llahu është Islami…” (Kur’an, 3: 19)
Dr. Bilal Philips
Marrë nga: www.bilalphilips.com
Përktheu: Fexhrie Kaçiu