BallinaTEZKIJELidhja me All-llahunPËRSE NË KOHË KRIZASH ADHURIMI ËSHTË ZGJIDHJA MË E MIRË?

PËRSE NË KOHË KRIZASH ADHURIMI ËSHTË ZGJIDHJA MË E MIRË?

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËRSE NË KOHË KRIZASH ADHURIMI ËSHTË ZGJIDHJA MË E MIRË?

Njeriu patjetër se do të sprovohet. Është ligj i Allahut, veçmas për besimtarët. Sprovat janë të natyrave të ndryshme. Kjo i bën të dallojnë edhe në rreziqet që paraqesin por edhe mënyrat se si trajtohen. Këtij elementit të fundit (trajtimit), për shkak të atij të parit (rreziqeve), duhet t’i kushtojmë rëndësi sidomos në kohën tonë dhe kohët që vijnë. Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], duke përshkruar sprovat, thotë se ‘nuk ka kohë që vjen e që mos të jetë më me sprova dhe të liga se koha paraprake.’[1]

 

Ky përshkrim i përgjithshëm i sprovave krijon hapësirën e mundshme për sprova të shumta dhe të ndryshme, imazhe prej të cilave ka sjellë vet Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], apo edhe ato që mund t’i përfshijë fjala ‘më e ligë, më me të këqija’ e përmendur në hadithin që cituam.

 

Por, pavarësisht pasojave që mund të kenë, Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka përshkruar mënyrën se si i sfidojmë sprovat. Na ka mësuar madje edhe gradualisht si t’i trajtojmë ato, varësisht nga koha dhe rrethanat, por, një nga këto mënyra e ka dalluar me diç që e bën më të rëndësishme dhe me më efekt. Fjala është për adhurimin. E ka paraparë këtë zgjidhje për kohën kur shtohen vrasjet dhe mbytjet si dhe përmbysen botëkuptimet, vlerat dhe tiparet, gjë që mund të thuhet se është edhe janë të pranishme edhe në kohën tonë, ndonëse diku më shumë e diku më pak. Thotë Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]: “Adhurimi në kohë sprovash është sikurse migrimi tek unë!” (Muslimi)

 

Pra, adhurimi qenka një zgjidhje shumë me rëndësi dhe se efekti këshillues dhe drejtues i tij na qenkësh deri diku sikur efekti i dëgjimit të këshillave drejtpërdrejt nga Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem].

 

Atëherë, përse adhurimi ka këtë efekt në shpirtin e besimtarit?

Cila është esenca dhe thelbi i adhurimit?

Çfarë e bën të dallojë atë nga zgjidhjet tjera?

Të bëjmë në fillim një përshkrim të përgjithshëm të adhurimit dhe rëndësisë së tij, që pastaj ta kuptojmë drejt çështjen shtruar në këtë temë.

Për adhurimin, në përgjithësi

 

Adhurimi është qëllimi përse jemi krijuar. Në Kur’an, Allahu i Madhëruar na tregon për këtë qëllim. “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.“ (Edh-Dharijat, 56)

 

Përderisa adhurimi është qëllimi kryesor për të cilin është krijuar njeriu, atëherë ai edhe luan rolin kryesor në jetën e njeriut, qoftë për të mirë –nëse praktikohet, qoftë për të keq-nëse anashkalohet apo mohohet fare. Allahu na ka urdhëruar që adhurimin ta marrim si mjet me të cilin sfidojmë problemet e jetës. “Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, vërtet, ajo është e madhe (vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin).“ (El-Bekare, 45)

Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] e gjente ngushëllimin për problemet e tij në namaz. Madje, jo vetëm ngushëllimin, sikur në raste fatkeqësish e sprovash, por edhe gëzimin dhe kënaqësinë. Siç transmeton Enes ibn Malik [radijAllahu anhu], Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “…dhe qetësia shpirtërore më është bërë në namaz!”[2] Në anën tjetër, ata që nuk jetojnë për këtë qëllim, bëjnë jetë të rëndë dhe të vështirë. Thotë Allahu: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër.“ (Taha, 124)

 

Pra, adhurimi është determinues për mënyrës se si do të jetojë njeriu.

 

Urtësi të adhurimit në kohë sprovash

 

1. Adhurimi tregon për lidhjen me Allahun

Në koment të hadithit është thënë se adhurimi në këtë kohë është shenjë se zemra e besimtarit është e lidhur me Allahun.[3] Është ngushëllim i madh shpirtëror, sepse njerëzit e mirë dhe mbajtja e fesë do të jenë gjithnjë e më pak prezente në shoqëri. Munaviu në krahasimin e adhurimit me hixhretin, përveç tjerash, përmend edhe një çështje numerike: ashtu sikur që kanë qenë të paktë ata që kanë migruar, kështu janë të paktë ata që e adhurojnë Allahun.[4]

Është koha kur –siç thotë Imam Neveviu- për shkak të problemeve të shumta, njerëzit disi janë neglizhent ndaj adhurimit dhe se nuk i kushtojnë rëndësi atij vetëm se disa individë.[5] Kurtubiu, siç citohet nga Ibni Haxheri, kësaj kohe i kushton dhe një imazh tjetër: koha e angazhimit për dynjanë dhe dhënia pas interesit personal -individualizmi.[6]

 

Pra, kemi njerëz të mirë gjithnjë e më pak, e për pasojë edhe reflektim të tipareve të mira në shoqëri gjithnjë e më të zbehur. Solidariteti ka mbetur vetëm për reklama. Kështu, në këtë kohë kur nuk gjen njerëz me të cilët derton një hall, një brengë, një problem, në këtë kohë kur sheh një shthurje të madhe shpirtërore, ta gjesh veten në mesin e atyre që bëjnë ibadet është një shenjë e lidhjes me Allahun, të Cilit i ankohesh për padrejtësitë, për zullumin, për anashkalimin…

Hafidh Ibni Rexhebi, duke bërë një përshkrim të kohës së sprovave, thotë: “…njerëzit i pasojnë epshet dhe nuk i kthehen fesë. Gjendja e tyre është e ngjashme me atë të injorancës, kështu, nëse prej tyre veçohet dikush që mbahet për feje dhe e adhuron Zotin e tij, vepron sipas kënaqësisë së Tij dhe i shmanget hidhërimit të Tij, atëherë ai është sikur besimtari që ka ikur nga injorantët për tek i Dërguari i Allahut [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], si besimtar në të, si pasues – respektues i urdhëresave të tij dhe i larguar nga ndalesat e tij.”[7]

Pra, është një ngushëllim i madh shpirtëror dhe një forcë që sfidon problemet, ngase je në rrugën e Allahut, ende ke ruajtur fenë, ende kujdesesh për të. pikërisht për këtë të fundit ka ardhur edhe krahasimi ndërmjet hixhretit dhe ibadetit, sepse, ashtu siç kanë ikur besimtarët nga Mekkeja për në Medinë për ta ruajtur besimin, po kështu iket nga problemet dhe turbullirat duke e adhuruar Allahun.[8]

Kur njeriu vepron kështu, atëherë atij do t’i del në ndihmë Allahu. “A nuk i mjafton All-llahu robit të Vet?“ (Ez-Zumer, 36)

 

Disa nga të parët kanë thënë: Allahu di t’i mjaftojë robit të Tij aq sa robi do të jetë i përkushtuar në adhurim!

Adhurimi, për shumëfishim shpërblimi

 

Nëse adhurimi në kohë sprovash i ngjason hixhretit, atëherë ai, siç kanë përmendur shumë dijetarë, i ngjason edhe në shpërblim. [9] Pra, ashtu sikur që muhaxhirët që kanë patur shpërblim dhe një vlerësim me gradë çdoherë, po kështu dhe besimtarët që migrojnë tek Allahu, kanë shpërblim të madh. Duke folur për vlerën e besimtarëve që migruan për fe dhe që përjetuan mundime e torturime, Allahu thotë: “… por ata që u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe emigruan, u munduan vetëm pse ishin në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, atyre patjetër do t’ua shlyej mëkatet e tyre dhe do t’i vejë në xhennete në të cilët burojnë lumenj. Ai është shpërblim nga ana e All-llahut, se më i miri i shpërblimeve është tek All-llahu.“ (Ali Imran, 195)

Adhurimi, pasimi hap për hap i Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]

 

Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ishte i kujdesshëm ndaj adhurimit në përgjithësi, pavarësisht rrethanave. Një prej arsyeve pse e bënte këtë ishte edhe neglizhimi i disa adhurimeve të rëndësishme nga disa njerëz. Ai nuk dëshironte të ishte i tillë. Kur u pyet se përse agjëronte në muajin Sha’ban, dha këtë përgjigje: “(ngase) Është një muaj ndaj (vlerës dhe rëndësisë së) të cilit janë të shkujdesur njerëzit.” [10]

 

Adhurimi, shpëtim nga sprovat

 

Sprovat janë të rrezikshme për shkak të pasojave të paparashikuara të tyre. Ato dinë të marrin më së shumti të pafajshmit. Për këtë, Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka nxitur që t’i shmanget sprovave në çfarëdo mënyre. Adhurimi bëhet dhe më i rëndësishëm dhe nevojshëm veçmas në kohën kur sprovat ashpërsohen dhe kur xhematit – kolektivit i humb kontrolli. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] kishte këshilluar Hudhejfen që në këtë kohë kur shoqëria myslimane vuan nga mungesa e një lideri, të izolohemi tërësisht nga sprovat, madje, të ikim prej tyre qoftë edhe ‘duke u kapur me dhëmbë për rrënjëve të pemës.’[11]

 

Është kjo koha e izolimit, kur duhet shmangur pjesëmarrjes në sprova, veçmas ata që kanë personalitet më të dobët. Adhurimi në këtë kohë është shpëtimi. Ibni el-Arabiu, duke folur për hadithin e hixhretit në kohë të sprovave, thotë se kur të arrihet ky nivel i çrregullimit në shoqëri, atëherë distancimi, izolimi, vetmia, bëhen obligative. [12] Kjo mbase është edhe domethënia e haditheve ë flasin për izolimin nga sprovat. Thotë Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]: “Vërtetë, do të ketë sprova, në të cilat i uluri (mospjesëmarrësi) është më i mirë se ai që ec (përfshihet qoftë edhe pak), ai që ec është më i mirë se ai që nxiton (është aktiv) në to.” [13] Po kështu thotë: “Ka gjasa që pasuria më e mirë e njeriut të jetë kopeja me dele, me të cilat ndjek bregoret dhe luginat, duke ikur me fenë e tij nga sprovat.” [14]

Ndonëse hadithet, në shikim të parë, lënë të kuptosh se bëhet fjalë për sprovat e kohës së fundit, megjithëkëtë, siç thotë Kadi Ijjadi, mundësia që kjo të përfshijë të gjitha kohët nuk përjashtohet.[15]

 

Adhurimi është ngushëllimi i vetmisë, është zgjidhja e zgjidhjes

 

Izolimi nga sprovat bëhet duke ikur fizikisht prej tyre. Kjo nënkupton se njeriu që nuk përfshihet në sprova, vetmohet në shtëpi. Vetmia nuk është zgjidhja. Është mjeti. Zgjidhja është adhurimi. Kalimi i kohës me Allahun, duke u falur, agjëruar, lexuar Kur’an, përkujtuar – bërë dhikr, etj. Kështu, adhurimi luan dhe një rol shtesë, atë të luftimit të vetmisë dhe presionit të izolimit nga njerëzit.

Allahu na bëftë prej atyre që e adhurojnë përherë dhe që gjejnë kënaqësi në adhurim!

 

Hoxhe Sedat Islami

 

[1] Hadithin e transmeton Buhariu, nr. 7068.

[2] Hadithin e transmeton Nesaiu ndërsa Albani e vlerëson për autentik.

[3] Shih: Ibn El-Xheuziij, Xhemaluddin Ebu-l-Ferexh AbduRrahman ibn Ali ibn Muhammed. (1997) Keshfu el-mushkil min hadithi-s-Sahihajn. Rijad: Dar el-vatan. 2/42.

[4] Shih: El-Munavi, Zejnuddin Muhammed. (1356 h.) Fejdu-l-Kadir sherhu el-xhamii-s-sagir. Egjipt: El-mektebetu et-tixharijjetu el-kubra. 4/373.

[5] Shih: En-Nevevi, Jahja ibn Sheref. (1392 h.) El-Minhaxh sherhu Sahihi Muslim ibn el-Haxh-xhaxh. Ed. 2. Bejrut: Dar et-turath el-arabijj. 18/89.

[6] Shih: Ibni Haxher el-Askalani, Ahmed ibn Ali. (1379 h.) Fet’hu-l-Bari sherhu Sahihi-l-Buhari. Bejrut: Dar el-ma’rifeh. 13/75.

[7] Shih: Tuvejxheri, Hamud ibn Abdullah ibn Hamud ibn AbduRrahman. (1414 h.) It’haful xhemaah bima xhae fi-l-fiten vel melahim ve eshrati-s-saah. Rijad: Dar Es-Sumejijj li-n-neshri ve-t-teuzië. 1/94.

[8] Shih: El-Emir, Muhammed ibn Ismail ibn Salah ibn Muhammed El-Hasenijj. (2011) Et-tenviru sherhu el-xhamii-s-sagir. Rijad: Mektebetu Dar Es-Selam. 7/369.

[9] Shih: Ibn El-Xheuziij. (1997) Keshfu el-mushkil min hadithi-s-Sahihajn. 2/42.

[10] Hadithin e transmeton Nesaiu ndërsa Albani e vlerëson për autentik.

[11] Hadithin e transmetojnë Buhariu nr. 3606 dhe Muslimi nr. 1847.

[12] Shih: El-Emir. (2011) Et-tenviru sherhu el-xhamii-s-sagir. 7/369.

[13] Hadithin e transmetojnë Buhariu nr. 3602 dhe Muslimi nr. 2886.

[14] Hadithin e transmetojnë Buhariu nr. 19.

[15] Shih: Ijjad, El-Kadi. (1998) Ikmalu el-mu’lim bi fevaidi Muslim. Egjipt: Dar el-Vefa li-t-tibaati ve-n-neshri ve-t-teuzië. 8/509.

Must Read