BallinaTEZKIJEMëkatët dhe PendimiPesë gjërat që e shkatërrojnë zemrën

Pesë gjërat që e shkatërrojnë zemrën

Pesë gjërat që e shkatërrojnë zemrën

Pesë gjërat që e shkatërrojnë zemrën janë:
1. Ndejat e shumta me njerëz, 2. Shpresa, 3. Të lidhurit ngushtë me dikë tjetër, pos Allahut, 4. Të ngopurit nga ushqimi dhe 5. Gjumi.

Këto pesë gjëra janë prej gjërave më shkatërruese të zemrës.

1.Ndejat e shumta me njerëz

Pasojat që i lë të ndenjurit e shumtë me njerëz, janë mbushja e zemrës me avullin e frymëmarrjeve të njerëzve, derisa ajo të nxihet. Kështu ajo e obligon personin e tillë në ndonjë ndasi, përçarje, brengë, hall, dobësim si dhe bartjen e ndonjë gjëje, që është i paaftë ta bartë prej lodhjes që ka nga shoqëria e keqe. Obligon, poashtu, në humbjen e interesave të tij dhe nuk do të ketë kohë të mirret me to, për shkak të angazhimit të tij me ta dhe me problemet e tyre. Kështu që ideali i tij do të ndahet në kërkesat dhe në dëshirat e tyre. Atëherë i tilli, çka do të mbetet të veprojë për Allahun dhe botën e Ahiretit?!

Përveç kësaj, sa të ligën e ka sjellë, ndeja e shumtë me njerëz, dhe sa dhuntinë e ka larguar? Sa sprova ka sjellë e sa të mira ka zhvlerësuar? Sa goditje ka sjellë dhe në sa sprova ka hedhur? Athua, kush është epidemia e njerëzve përveç njerëzve?

Ndejat që bëhen në formë të dashurisë reciproke në këtë botë, dhe në formë të plotësimit të nevojave njëri me tjetrin, kur të dalin në shesh të vërtetat Ditën e Gjykimit, shndërrohen në armiqësi, dhe nga ndjenja e madhe për pendim, personi i tillë do t’i kafshojë duart e tij, ashtu siç paralajmëron Allahu i Madhërishëm: “Atë ditë zullumqari do t’i kafshojë duart e veta dhe do të thotë: “I mjeri unë, ta kisha marrë rrugën e Pejgamberit!” O shkatërrimi im, ah të mos e kisha bërë filanin mik! Në të vërtetë, pasi e gjeta rrugën e drejtë, ai më largoi mua prej asaj, e djalli është ai që njeriun e humb dhe e lë të vetmuar.” (El Furkan, 27,28 dhe 29)

Allahu po ashtu thotë: “Atë ditë shokët e ngushtë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç atyre që ishin të sinqertë në miqësi.” (Ez Zuhruf, 67)

Ibrahimi, alejhis selam, i tha popullit të vet: “Ju përqafuat, veç All-llahut, idhuj vetëm sa për bashkëjetesë mes jush në jetën e kësaj bote, e në ditën e kijametit (ndryshon gjendja) ju do të refuzoni njëri-tjetrin dhe do të mallkoni njëri-tjetrin; fundi juaj është zjarri, për ju nuk do të ketë ndihmëtarë.” (Elankebut, 25)

Kështu qëndron çështja me të gjithë ata që marrin pjesë me ty në një çështje apo interes. Kanë dashuri reciproke përderisa ndihmojnë njëri-tjetrin në realizimin e atij interesi. Me të përfunduar të procesit të atij interesi, vije pendimi, dëshpërimi, dhembja etj. , dhe dashuria e mëhershme shndërrohet në urrejtje, mallkim, dhe përçmim të njërit ndaj tjetrit.

Kriteri i dobishëm në çështjen e ndejave është të rrish me njerëz në çështje mirësie si në namazin e xhumasë, namazet me xhematë , nëpër bajrame, në Haxh, në tubimet e kërkimit të diturisë, në xhihad, në këshillime etj. dhe duhet të distancohet nga njerëzit në çështje të këqija si dhe kureshtje të panevojshme.

Nëse e kërkon nevoja që patjetër të përzihesh me njerëz në çështje të pandershme dhe nuk ke fare mundësi që të distancohesh, të keshë shumë kujdes e të mos pajtohesh me ta dhe të keshë durim për mundimin që ta bëjnë, sepse ata patjetër do të mundojnë pasi që ti nuk ke fuqi dhe ndihmues. Mirëpo ky mundim do të sjell pas veti krenari dhe dashuri për ty. Do të madhërojnë dhe do të keshë lëvdata prej tyre, prej besimtarëve dhe prej Zotit të botëve. Në të kundërtën, pëlqimi yt me ta do të sjellë përulje dhe urrejtje për ty. Do t’i humbin vlerat dhe do të keshë përçmim prej tyre, prej besimtarëve dhe prej Zotit të botëve. Pra durimi në mundimet e tyre është më i mirë, ka të ardhme më të mirë dhe pasuri më të lavdëruar.

Ndërsa nëse e kërkon nevoja që të rrish me njerëz për çështje asnjanëse të lira, të orvatesh me zell, që tubimin ta shndërrosh, nëse ke mundësi, në tubim ku respektohet Allahu.

2. Shkatërruesi i dytë, udhëtimi nëpër detin e shpresës

Deti i shpresës është një det pa bregdet. Det, në të cilin udhëtojnë njerëzit e dështuar. Siç thuhet, shpresa padyshim është kapitali i të falimentuarve.

Vazhdimisht valët e shpresave të rrejshme dhe iluzioneve të kota luajnë me lundruesin e tyre ashtu siç luan qeni me cofëtinën. Shpresa është malli i çdo shpirti të ligë dhe të ulur, i cili nuk ka vendosje të saktë që me te t’i arrijë realitetet e jashtme. Përkundrazi, e ka zëvendësuar atë vendosje me shpresa iluzioni. Dhe secili sipas gjendjes, të cilën e shpreson. Dikush shpreson forcën dhe pushtetin, dikush shpreson të shëtis dhe të bëj turizëm nëpër vende të ndryshme, dikush shpreson pasuri dhe gjëra të vlefshme, dikush në femra etj. dhe kështu shpresuesi krijon një pamje që e kërkon në veten e tij, dhe e arrin atë ta realizojë duke ndier kënaqësi me fitimin e saj. Përderisa ai është në këtë gjendje, kur të gdhihet (nga gjumi i mashtrimit), e gjen dorën e tij me kashtë (kot).

Ndërsa ai që ka determinim (vendosjen) të lartë, shpresat e tij qëndrojnë rreth diturisë, besimit dhe veprës që të afron te Allahu.

Shpresat e këtij të fundit janë besim, dritë dhe urtësi, kurse shpresat e atyre të tjerëve janë tradhti dhe mashtrim.

Pejgamberi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të, i ka lavdëruar shpresuesit e gjërave të mira, e në disa raste e ka krahasuar shpërblimin e tyre me shpërblimin e praktikuesve të atyre shpresave.

3. Shkatërruesi i tretë, të lidhurit ngushtë me dikë tjetër, pos Allahut

Ky është shkatërruesi më i madh i zemrës absolutisht. Nuk ka për zemrën diç më i dëmshëm se ky dhe asgjë nuk e shkëput më shumë nga interesat dhe kënaqësia më shumë se ky shkatërrues. Kur njeriu lidhet ngushtë me dikë tjetër pos Allahut, Allahu e dorëzon atë njeri te ai, me të cilin është lidhur dhe ia nënshtron atij. Në këtë mënyrë, njeriu i tillë, me lidhjen e tij dhe me përqendrimin e tij me dikë tjetër pos Allahut, e ka humbur arritjen e synimit të tij prej Allahut. I tilli as fatin e tij prej Allahut e as shpresën e tij prej atij, me të cilin është lidhur, nuk i ka arritur. Allahu ka thënë: “Dhe ata në vend të All-llahut adhuruan zota të tjerë për t’u krenuar me ta. Përkundrazi, ata (idhujt) do të tërhiqen prej adhurimit të atyre dhe do të bëhen armiq të tyre.” (Merjem, 81 dhe 82) Allahu po ashtu thotë: “Po, shkojnë e në vend të All-llahut adhurojnë zota të tjerë me shpresë se do të ndihmohen prej tyre. Ata nuk mund t’u ndihmojnë atyre, por këta (idhujtarët) u janë bërë ushtri e gatshme e tyre.” (Jasinë, 74 dhe 75)

Pra, njerëzit më të poshtëruar janë ata që lidhen me dikë tjetër pos Allahut.

Ajo që humbi njeriu i tillë prej interesave, lumturisë dhe shpëtimit të tij është më shumë se sa atë që e ka arritur prej atij, që është lidhur me te. Ajo që e ka arritur bile, është e pambrojtur nga zhdukja dhe shkatërrimi. Ai që lidhet me dikë tjetër pos Allahut, i ngjason shembullit të atij që mbrohet nga vapa apo acari nën hijen e shtëpisë së merimangës, e cila është shtëpia më e dobët.

Në përgjithësi, duhet ditur se baza e shirkut (rivalitetit të Allahut) dhe fondamenti i tij, mbi të cilin ndërtohet, është të lidhurit me dikë tjetër pos Allahut. Qortimi dhe poshtërimi, i takojnë pastaj personit të tillë, siç thotë Allahu: “E mos shoqëro me All-llahun ndonjë zot tjetër, e të bëhesh i qortuar i pa përkrahur.” (El Israë, 22) I qortuar, pra d.m.th. të mos ketë kush që të lavdëron, ndërsa i pa përkrahur d.m.th. të mos ketë ndihmës për ty.

Dikush nga njerëzit mund të jetë i mospërkrahur, por i lavdëruar, si p.sh. ai që është shtypur padrejtësisht. Dikush mund të jetë i qortuar, por i ndihmuar, si p.sh. ai që mbizotërohet mizorisht. Dikush pra, mund të jetë edhe i lavdëruar, po edhe i ndihmuar, si ai që ka arritur dhe posedon vlera në mënyrë të ligjshme. Ndërsa, shirkbërësi, që lidhet me dikë tjetër pos Allahut, është në grupin e katërt, i cili është më i ulëti nga këta grupe, pra as i lavdëruar e as i ndihmuar.

4. Shkatërruesi i katërt prej shkatërruesve të zemrës, ushqimi

Ky shkatërrues është dy llojesh:

1. Ushqim që shkatërron vetvetiu, siç janë gjërat e ndaluara haram. Të tillat po ashtu janë dy lloje:

a) të ndaluarat për të drejtën e Allahut siç janë; cofëtina, gjaku, mishi i derrit, mishi i shtazëve dhëmbëshkyese etj. dhe

b) të ndaluarat për të drejtat e njerëzve si p.sh. ushqimi i vjedhur, i uzurpuar, i plaçkitur, i marrë pa dëshirën e pronarit etj.

2. Ushqim[1] që shkatërron kur konsumohet me masë të tepruar, të ngopurit e tepërt etj. Ky ushqim i tepërt e pasivizon konsumuesin nga adhurimet dhe e angazhon në praktikën e konservimit të ushqimit në stomak derisa të “triumfojë”. Kur të triumfojë, do të angazhohet me shërimin e lëvizjes së asaj rezerve, me të mbrojturit nga dëmi i saj dhe me mundimin nga pesha e saj. Kjo gjë do t’ia forcojë materiet e pasioneve dhe rrugët e qarkullimit të shejtanit dhe do t’i zgjerojë ato, sepse shejtani qarkullon në njeriun nëpër kapilarët e gjakut. Agjërimi ia ngushton rrugët shejtanit, e edhe ia mbyll, kurse të ngopurit ia shtron rrugët dhe ia zgjeron. Ai që ha shumë, ai edhe pi shumë. Ai që pi shumë pastaj edhe fle shumë. I tilli edhe humb më tej shumë. Në hadithin e njohur Pejgamberi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të, ka thënë: “Njeriu nuk mbush ndonjë enë më keq se e mbush barkun e tij. Do t’i mjaftonin njeriut disa kafshata që ta mbajë kurrizin (trupin) e tij. E nëse duhet që patjetër të hajë më shumë, atëherë 1/3 le të jetë për ushqim, 1/3 për pije dhe 1/3 për frymëmarrjen e tij.”[2]

5. Shkatërruesi i pestë, gjumi i shumtë

Gjumi i tepërt e vdes zemrën, e rëndon trupin, e humb kohën dhe sjell pakujdesi dhe përtaci të shumtë. Ka gjumë që është i rrejtur shumë dhe ka që është i dëmshëm pa kurrfarë dobie. Gjumi më i dobishëm është kur nevoja për te është e madhe. Gjumi i fillimit të natës është më i lavdëruar dhe më i dobishëm se ai i fundit të saj. Gjumi i mesit të ditës është më i dobishëm se ai i dy skajeve të saj. Sa më afër mëngjesit apo mbrëmjes të bëhet gjumi, pakësohet dobia e tij dhe shtohet dëmi e sidomos gjumi në kohën e ikindisë dhe në fillim të ditës, përveç ai që nuk ka fjet natën.

Urrehet gjumi në mes të namazit të sabahut dhe lindjes së diellit, sepse ajo është kohë e fitimeve. Sipas vlerësuesve të mirëfilltë të adhurimit, të bëhet adhurim në këtë kohë ka vlerë të madhe edhe ata që tërë natën e kanë kaluar me adhurim, nuk do t’i lejonin vetes të ulen deri sa të lind dielli. Për shkak se kjo kohë është fillimi i ditës dhe çelësi i saj. Si dhe koha e zbritjes së rrizkut, arritjes së hises sate si dhe ardhja e begatisë. Aty ndërtohet dita dhe me gjykimin e asaj pjese do të gjykohet e tërë dita. Andaj gjumi në atë kohë duhet të jetë si gjumi i të detyruarit.

Në përgjithësi gjumi më i drejtë dhe më i dobishëm është gjumi i gjysmës së parë të natës dhe pjesa 1/6 e fundit prej natës. Ky është gjumi më i drejtë sipas mjekëve. Çka shtohet mbi këtë masë apo mungohet, shkakton sipas tyre në natyrë devijime sipas ndryshimeve të bëra.

Prej gjumit që gjithashtu nuk bën dobi është gjumi në fillim të natës, menjëherë pas perëndimit të diellit (pas namazit të akshamit) e deri sa të largohet e zeza e natës së plotë (pas jacisë). Pejgamberi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të, e ka rrejtur gjumin në këtë kohë. Pra ky gjumë është i urryer sheriatisht dhe natyrisht. Allahut i kërkohet ndihmë!

Ibn Kajjim EL XHEVUZIJEH
Përktheu dhe përshtati:Muhamed Dërmaku

[1] Që në esencë është i lejuar hallall.
[2] trans. Ahmedi, Termidhiu dhe Hakimi. Sahih Albani

Must Read