Poezia që e ka bërë të qajë Imam Ahmed ibn Hanbelin (Allahu e mëshiroftë)
Nëse mua Zoti im do të më thosh
A nuk pate turp të më kundërshtosh?
Nga krijesat e Mia gjynahet i fshihje
ndërsa tek Unë me mëkate t’më vije?
Si do t’i përgjigjesha o unë i mjeri
e kush do më shpëtonte mua prej Tij?
Veten mbështes me shpresa gjithmonë
hajt edhe tani dhe hajt edhe më vonë
ndërsa ato që vijnë pas vdekjes i harroj
nga veprat dhe ato që do të kem nevojë
Sikur mua të më ishte e siguruar jeta
thua se s’është argument për mua vdekja
Dhe agonia e vdekjes më erdhi egër
Po tani kush do më mbrojë në jetën tjetër
Në fytyrat përreth fillova të vështroj
A do kishte prej tyre dikë t’më shpengojë
Do pyetem, në dynja çfarë kam punuar
që në këtë Ditë për të më shpëtuar
E si do të jetë vallë përgjigjia ime
pasi në fenë time unë bëra lëshime
O i mjeri unë, a nuk e kam dëgjuar
Fjalën e Allahut mua duke më ftuar?
A s’e kam dëgjuar Fjalën e Zotit tim
ndodhur në suren Kaf e suren Jasin?
A s’e kam dëgjuar përkujtuesin e vdekjes
të më ftojë që unë t’i thërras mendjes?
O Ti o Zot i robit që është penduar
tek kush tjetër kam për t’u strehuar
përveç Një Zoti Falës që Mëshiron
e që për tek e vërteta mua më udhëzon!
Erdha për tek Ti, pra të lutem më fal
m’i rëndo n’peshore veprat që janë pak
e të cilat janë të lehta për shpërblim
se Ti je më Shpresëdhënës o Zoti im.
Përktheu e përshtati: Bashkim Selmani
www.islamifejaevertete.com