BallinaARTIKUJKëshilla dhe UrtësiPOROSI NË SHTRATIN E VDEKJES

POROSI NË SHTRATIN E VDEKJES

NË SHTRATIN E VDEKJES

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Ibnul Kajim ka përmendur se dikujt që ishte i shkujdesur dhe gjynahqar i erdhi momenti i vdekjes. Nuk qëndroi shumë dhe ja vdekja zbriti mbi të. Ata që ishin praënë tij dhe po e ruanin u frikësuan shumë për të. Po i kujtonin Allahun dhe i thoshin fjalën La ilahe il Allah dhe ai derdhte lotët e tij.

Kur filloi t’i dilte shpirti bërtiti me zë të lartë dhe tha: “Të them la ilahe il Allah?!! E çfarë më bënë dobi mua La ilahe il Allah?!! Nuk di të kem falur ndonjëherë namaz për Allahun që kur jam rritur” dhe filloi të merrte frymë derisa vdiq.

Kur i zbriti vdekja adhuruesit të thjeshtë, Abdullah bin Idriz iu shtuan dhimbjet dhe filloi të merrte frymë thellë. Vajza e tij filloi të qante, ndërsa ai iu drejtua asaj dhe i tha: “O vajza ime, mos qaj, e kam mbaruar së lexuari Kuranin në këtë shtëpi katër mijë herë dhe gjithë kjo për këtë moment”.

Ndërsa Amar bin Abdullah bin Zubejr kur ishte në shtratin e vdekjes numëronte frymëmarjet e jetës dhe të afërmit përreth tij po qanin. Kur ai po ndeshej me vdekjen dëgjoi muezinin që po thërriste për namazin e akshmit. Shpirti i tij po arrinte në fyt, u vështirësua dalja e tij dhe u shtuan dhimbjet, por e dëgjoi thirrjen dhe i tha atyre që ishin përreth: “Më merrni për dore”. Thanë: “Për ku?” Tha: “Për në xhami”. Duke qënë në këtë gjëndje, i thanë ata?! Tha: “I Madhëruar është Allahu, të dëgjoj thirrësin e namazit dhe të mos i përgjigjem! Më merrni për dore”. E mbajtën midis këmbëve. Fali një rekat me imamin dhe vdiq në sexhden e tij. Po, vdiq dhe ai ishte në sexhde.

Ka thënë Ata bin Saib: “Kur iu shtua sëmundja Abdurrahman Eselmi, i shkuam për vizitë dhe ai ishte i ulur në xhami në vendin e faljes së tij. Kur ja vuajtjet iu shtuan dhe filloi shpirti t’i dilte. Na erdhi keq për të. I thamë: “Sikur të kthehesh në shtrat se ai është më i rehatshëm për ty. Duroi në veten e tij dhe tha: “Më ka thënë filani se Profeti (paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), ka thënë se çdo njeri prej jush konsiderohet në namaz përderisa qëndron në xhami duke pritur namazin, ndaj unë dua që t’ja arrij kësaj”.

Enes bin Malik, Zoti qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: “Kaluan pranë një xhenazeje dhe folën mirë për të, Profeti tha: ‘U realizua’. Më pas kaluan tek një tjetër dhe folën keq për të. Tha: ‘U realizua’. Umer bin Hatabi, Zoti qoftë i kënaqur me të, i habitur e pyeti: ‘Çfarë u realizua?’ Tha: ‘Për këtë që ju folët mirë u bë realitet për të xheneti, ndërsa për këtë folët keq u bë realitet për të zjarri, ju jeni dëshmitarët e Allahut në tokë’. Buhari.

Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur prej tij, ka transmetuar se i Profeti (paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush prezanton një xhenaze, derisa ta falë namazin e saj ka shpërblim një kirat, kush prezanton derisa të varroset shpërblehet sa dy kirat. Thanë: ‘Çfarë janë dy kirate?’ Tha: ‘Sa dy male të mëdhenj me shpërblim’.” Buhari.

Burimi:
Përgatiti: Bledar Haxhiu
Burimijetes.info

Must Read