Disa këshilla nga Sufjan Eth Thevri, Allahu e mëshiroftë
Puno për këtë botë aq sa do të jetosh në të dhe për botën tjetër aq sa do të qëndrosh në të.
Sa e mirë është përulja e të pasurve para të varfërve dhe sa e keqe është përulja e të varfërve para të pasurve.
I është thënë Sufjanit: “A mund të jetë njeriu asket duke qenë i pasur? Tha: “Po. Nëse sprovohet, duron dhe nëse i jepet, falënderon.”
Tri gjëra janë prej durimit: Mos flit për fatkeqësinë tënde, për vuajtjen tënde dhe mos e lavdëro veten.
Kur të viziton vëllai yt, mos i thuaj: “A do të hash? Apo a të të jap? Por jepi. Nëse ha, mirë. Nëse jo, largoje ushqimin.”
Mos flit me gjuhën tënde atë që do të t’i thyejë dhëmbët e tu.
Nuk po ju ndaloj nga ushqimi, mirëpo shikoni nga po hani. Si t’ju ndaloj nga ushqimi kur Allahu i Lartësuar thotë: “O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni! Hani e pini.” (Araf, 31)
Ta takosh Allahun me shtatëdhjetë mëkate që kanë të bëjnë ndërmjet teje dhe Atij është më e lehtë për ty sesa me një mëkat që ka të bëjë ndërmjet teje dhe robërve.
Mos u bëj shpifës, do të shpëtosh nga gjuhët e njerëzve dhe bëhu i mëshirshëm, do të jesh i dashur në mesin e tyre.
Kënaqu me atë që të ka ndarë Allahu, do të jesh i pasur dhe mbështetu Atij, do të jesh i fuqishëm.
Nëse e njeh veten, nuk të dëmton ajo që thuhet për ty.
Ruaju hidhërimit të Allahut në tri gjëra: ruaju të neglizhosh atë që të ka urdhëruar, ruaju të të sheh e ti nuk je i kënaqur me atë që të ka caktuar dhe ruaju të kërkosh diçka nga kjo botë e nuk të jepet e ti të hidhërohesh me Zotin tënd.
Përgatiti: Almedin Ejupi