Prandaj besoni, se kjo është më mirë për ju!”
Allahu i lartësuar thotë: “O njerëz! Juve ju ka ardhur i Dërguari me të vërtetën nga Zoti juaj. Prandaj besoni, se kjo është më mirë për ju! Por, nëse ju nuk e besoni, ta dini se vetëm Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë. Allahu është i Gjithëditur e i Urtë.” En-nisa, 170.
Shpjegimi i ajetit
“O njerëz! Juve ju ka ardhur i Dërguari me të vërtetën nga Zoti juaj. Prandaj besoni, se kjo është më mirë për ju!”
Allahu i Lartësuar urdhëron të gjithë njerëzit që ta besojnë Atë dhe Profetin e Tij, Muhamedin (alejhi selam). Ai tregon edhe shkakun që duhet të na shtyjë për ta besuar Atë, dobinë e këtij besimi dhe dëmin e shpërfilljes dhe të mosbesimit tek Ai. Shkaku që duhet të na shtyjë ta besojmë Profetin është fakti se ai erdhi me të vërtetën e sigurt nga Zoti i tij. Vetë ardhja e tij ishte e drejtë, ligji që ai solli prej Zotit të tij është i drejtë. Çdo njeri i logjikshëm e di se lënia e krijesave në injorancë dhe në kufër, pa u sjellë atyre një shpallje si udhëzim për ta, bie ndesh me urtësinë dhe mëshirën e Allahut të Lartësuar.
Kështu, dërgimi i Profetit është shenjë e urtësisë dhe mëshirës së madhe të Allahut të Lartësuar, sepse nëpërmjet atij, krijesat arrijnë të dallojnë udhëzimin e drejtë nga humbja, të vërtetën nga e kota. Mjafton të shohësh në përmbajtjen e Shpalljes që ai solli nga Zoti i tij, për të gjykuar se ai ishte vërtet profet nga Zoti. Kjo siguri shtohet akoma më shumë nëse meditojmë thellë rreth Sheriatit dhe porosive të mrekullueshme të Profetit për njerëzimin.
Në Shpalljen që ai solli prej Zotit të tij gjenden rrëfime të panjohura të së kaluarës dhe të së ardhmes, përshkrime rreth Allahut të Lartësuar dhe Ditës së Gjykimit etj., të cilat mund të njihen veçse nëpërmjet shpalljeve hyjnore. Ky Profet ka urdhëruar për çdo të mirë, për ndjekjen e rrugës së drejtë, për mbajtjen e drejtësisë, për sinqeritet dhe vërtetësi, për ruajtjen e lidhjeve që duhen ruajtur, për moral të mirë, fisnikëri dhe bujari. Ai ka ndaluar nga çdo e keqe, nga kalimi i kufijve dhe padrejtësia, nga morali i keq, nga gënjeshtrat dhe mashtrimet, nga shpërfillja dhe nëpërkëmbja e të drejtave të krijesave etj. Të tilla porosi të mrekullueshme dhe të domosdoshme për shoqërinë njerëzore, sidomos në atë kohë, nuk të lenë asnjë dyshim, por të japin bindjen e plotë se me të vërtetë ai ishte profet i dërguar nga Zoti. Sa më shumë ta njohë njeriu këtë Shpallje, aq më shumë i shtohet besimi dhe siguria për vërtetësinë e Profetit. Këto që përmendëm janë të gjitha shkaqe që duhet të na shtyjnë ta besojmë këtë Profet.
Për sa i përket dobisë dhe mirësisë që sjell besimi në profetin Muhamed (alejhi selam), Allahu i Lartësuar ka thënë se besimi tek ai është më mirë për ne. Kështu besimi është më mirë për besimtarët, është më i mirë për trupin, për zemrat dhe shpirtrat e tyre, më i mirë për dynjanë dhe ahiretin e tyre. Besimi te ky Profet është më i mirë për besimtarët, për shkak të mirësive dhe dobive që lidhen ngushtë me këtë besim. Çdo shpërblim, qoftë ai në këtë botë apo i premtuar për në ahiret, është fryt i imanit, fitore dhe ndihmë nga Zoti. Udhëzimi në rrugën e drejtë, dija e vërtetë, e sigurt dhe e dobishme, veprat e mira sipas kësaj dijeje, çdo lumturi dhe gëzim, madje edhe Xheneti e gjithçka që ai përmban, të gjitha këto vijnë nga besimi i drejtë dhe i saktë te profeti Muhamed (alejhi selam).
Nga ana e kundërt, çdo vuajtje dhe dëshpërim i kësaj dynjaje dhe i ahiretit vjen nga mungesa e këtij imani ose nga mangësia e tij. Dëmet që sjell mosbesimi te profeti Muhamed (alejhi selam) janë pikërisht të kundërtat e mirësive që sjell ky besim. Por le ta dijë çdokush se robi dëmton veçse veten e vet dhe se Allahu i Lartësuar është jonevojtar për të. Atë nuk e dëmton aspak mosbindja dhe mosbesimi i krijesave. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë:
“Por, nëse ju nuk e besoni, ta dini se vetëm Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë. Allahu është i Gjithëditur e i Urtë.”
Gjithçka është krijesë dhe pronë e Tij dhe është e nënshtruar nën pushtetin dhe mbretërimin e Tij. Allahu i Lartësuar është i Gjithëdijshëm për çdo gjë që e ka krijuar dhe e sundon. Ai është i Urtë për çdo gjë që e ka krijuar dhe çdo urdhër që ka lëshuar. Ai është më i Dituri, si për ata që meritojnë udhëzimin, edhe për ata që meritojnë humbjen. Me urtësinë e Tij, Ai udhëzon ose lë në humbje ata që e meritojnë atë.
Tefsiri i Sa’dit
Përktheu: Uthman Agolli
burimijetes.info