Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi, radijallahu anhu, se ka thënë:
“I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ishte njeriu më bujar e i shtohej edhe më shumë bujaria në muajin Ramazan kur e takonte Xhibrilin. Ai me të në këtë muaj takohej çdo natë dhe para tij mësonte Kuranin. Andaj i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ishte më bujarë se era e dërguar me mirësi të shumta”.
Zingjiri i transmetimit:
Hadithi është i saktë dhe përmendet në disa libra bazë të kësaj shkence. Ndër dijetarët në të shquar që e kanë shënuar nëpër librat e tyre janë këta:
– Imam Buhariu e shënon në pesë vende në sahihun e tij me nr. 6, 1902, 3220, 3554, dhe 4997. Po ashtu në librin Edebul mufred, , nr, 224.
– Imam Muslimi në sahihun e tij, nr, 5964, 5965.
– Imam Ahmedi në musnedin e tij, 5/143, 5/180
– Imam Tirmidhiu në librin e tij; Shemail Muhamedije, nr,303.
– Imam Nesaiu në sunenin e tij, nr, 2094.
– Imam Ibën Maxhe, nr, 1610, 2254.
Rëndësia e hadithit:
Hadithi tregon për gjendjen dhe cilësitë e Profetit, salallahu alejhi ve selem, në përgjithësi, por veçon gjendjen e tij në muajin e shenjtë të Ramazanit. Gjendje kjo e cila është më se e ngritur përmes të cilave vërehet qartë ngritja e tij shpirtërore dhe rëndësia të cilën ai ja jepte muajit të shenjtë duke i shtuar adhurimet në të si dhe duke mësuar Kuranin librin e Zotit, libër ky i cili edhe pse i zbriste këtij njeriu ai prapë nuk mjaftohej me aq por vazhdonte ta mësonte me mësuesin e tij Xhibrilin, alejhi selam.
Komentimi i hadithit:
Fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem:
“I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ishte njeriu më bujarë”
Nuk ka dyshim se i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ishte një njeri i tillë dhe kishte cilësi të tilla, kur dihet se Allahu i Lartësuar e zgjodhi njeriun më të mirë në fytyrë të tokës për t’ia shpallur mesazhin hyjnorë e edhe më tepër se kjo Zoti më Mëshirën e Tij ja plotësoi edukatën e mirë dhe ja kompletoi të gjitha cilësitë e mira të cilat duhet ti posedonte një i dashur i Tij. Si mos të ishte njeri Bujar kur këtë cilësi e kishte edhe Zori i tij si dhe e donte ta kenë edhe robërit e Tij. Transmeton Tirmidhiu nga S’adi, radijallahu anhu se i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Allahu është Bujarë dhe e do bujarinë”. Gjithashtu transmetohet të ketë thënë: “Unë jamë njeriu më bujarë”. Një gjë të tillë e tregojnë për të edhe shokët e tij, tregon Enesi, radijallahu anhu, siç e shënon Buhariu, se: “i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ishte njeriu më trim si dhe më bujari”.
“I shtohej edhe më shumë bujaria në muajin Ramazan kur e takonte Xhibrilin”
Më lartë cekëm se i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ishte shumë bujarë, e në këtë pjesë të hadithit tregohet qartë se ai e shtonte këtë cilësi të tij edhe më tepër në këtë muaj. Kjo për shkak se muaji i Ramazanit është muaji i mirësive i zbritjes së mëshirës së Zotit më shumë se çdo herë tjetër, mëshirë kjo e cila i kaplon njerëzit dhe i shtytë kah devotshmëria e cila e shtynte edhe Profetin, salallahu alejhi ve selem, kah veprat më të mira. Gjithashtu për arsye se pasi Allahu në këtë muaj i shton mirësitë e Tij edhe i Dërguari i Tij, salallahu alejhi ve selem, dëshironte ta pasonte rrugën e Zotit të tij t’i shtonte vetitë e tij të mira këtë muaj ndër të cilat ishte edhe bujaria.
Nuk ka dyshim se ndikim tek ai për shtimin e kësaj vetie të mirë kishte takimi me mësuesin e tij, Xhibrilin, alejhi selam, nga i cili mësonte dhe edukohej. Shkak i së cilës ishte shtimi i bujarisë ndaj të tjerëve si falënderim ndaj Allahut që t’ia shtojë mirësitë e Tij edhe më shumë. Por nuk mund të fshihet fakt se i Dërguari, salalllahu alejhi ve selem, ndikohej shumë nga mësimet e mësuesit të tij Xhibrilit, siç ndikohet çdo nxënës i mirë nga dersi i mësuesit të mirë e pastaj ai ders e shtytë t’i shtojë veprat e mira.
Përveç kësaj ndikim kishte edhe shpeshtimi i leximit të Kuranit i cili kur lexohet ndikon pa masë në ngritjen morale dhe fetarë të njeriut pas të cilit pasojnë punët e mira në të cilat nxitë ai.
“Ai me të (Xhibrilin) në këtë muaj takohej çdo natë dhe para tij mësonte Kuranin”
Xhibrili, alejhi selam, nuk zbriste tek i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, vetëm për t’ia sjellë shpalljen, por edhe për shumë gjëra tjera ndër të cilat ishte edhe përsëritja dhe mësimi i asaj që kishin mësuar më herët. Në këtë transmetim ceket se i Dërguari, salallahu alejhi veselem, mësonte Kuran para Xhibrilit, kurse në disa tjera ceket se e lexonte Kuranin para tij. Që të dy transmetimet janë të sakta si dhe kanë të njëjtin kuptim por edhe mund të themi se i Dërguari disa vite mësoi Kuranin dhe shkencat e tij para Xhibrilit, e pastaj kur i përfunduan ato atëherë vetëm e përsëriste atë para mësuesit të vet që mos ta harrojë, edhe pse Allahu e di më së miri.
Pra, Xhibrili, alejhi selam, që kur u obligua agjërimi i Ramazanit çdo vit zbriste tek profeti, salallahu alejhi ve selem, dhe ja mësonte Kuranin, pra atë pjesë që i kishte zbritur atë vit ja mësonte si dhe ja përsëriste pjesët që i kishin zbritur para tij që mos t’i harronte.
Në një transmetim qëndron se Xhibrili, alejhi selam, vitin e fundit ja dëgjoi të Dërguarit, salallahu alejhi ve selem, Kuranin dy herë gjatë një Ramazani. Kjo është e saktë sipas transmetimeve të haditheve nëpër librat burimore të dijetarëve të hadithit. Ata e komentuan këtë ngjarje se Xhibrili herën e parë e mësoi si çdo vit që vepronte me të kurse herën e dytë ja bëri një përmbledhje të përgjithshme të mësimeve uranore dhe gjithashtu përsëritje të asaj që e mbante në mend i Dërguari, salallahu alëejhi ve selem, si dhe përgatitje nga ana e mësuesit që kur ta gjejë vdekja të jetë sa më i freskët me mësimet e Kuranit dhe shkencave të tij. Por kjo nuk nënkupton se Profeti apo Xhibrili e dinin se atë vit i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, do të vdiste, mirëpo ata e përsëritën Kuranin dy herë atë vit me urdhër të Atij i Cili i vetmi i di fshehtësitë e qiejve dhe të tokës, pra me urdhër të Allahut.
“Andaj i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ishte më bujarë se era e dërguar me mirësi të shumta”.
Me këtë pjesë të fundit të hadithit, ibën Abasi, radijallahu anhu, kthehet tek ajo që tha në fillim, pra, për të treguar bujarinë e Profetit, salallahu alejhi ve selem, bëri një krahasim me erën. Kjo erë është për qëllim era e cila sjellë me vete retë me shi të bollshëm e pastaj ai shi bie mbi tokën e vdekur nga thatësia dhe e ngjallë atë por edhe mbi tokën e njomë. Pra, kjo erë nuk bën dallim me asnjërën tokë mirëpo i kaplon me mirësitë e saj çdo gjë që gjen para vete, dhe ngase nuk sjellë furtuna e as breshër është e mirëpritur nga secili njeri dhe secila tokë. E i Dërguari i Allahut, Muhamedi salallahu alejhi ve selem, ishte jo vetëm si kjo erë me bujarinë dhe mirësitë e tij të shumta por Ibën Abasi thotë se ishte edhe më bujarë se kjo erë e pritur kohë të gjatë. Dhe ai vërtetë ishte i tillë, bujaria e tij kaploi çdo gjë njerëzit dhe kafshët, insektet dhe bimët… Tek a gjenin mirësi secili dhe për çdo kë kishte diçka nga e cila ai person do të përfitonte. E gjëja më e madhe nga e cila të tjerët përfitonin ishte thirrja e tij në Islam dhe garantimi i xhenetit atij i cili do t’i përgjigjej kërkesave të tij.
Në këtë pjesë të hadithit ceket se Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ishte kaq bujarë në jetën e tij në përgjithësi e jo vetëm në muajin e mëshirës në atë të Ramazanit. Lind pyetja; a thua si ishte ai në këtë muaj, pasi që ngrihej shumë më tepër në devotshmëri dhe cilësi të mira Ibën Abasi, radijallahu anhu, pasi nuk kishte me çka ta krahasonte bujarinë e tij në këtë muaj sepse nuk kishte diç e cila mund të krahasohej me Profetin, salallahu alejhi ve selem, atëherë e krahasoi me këtë erë gjatë gjendjes së tij jashtë këtij muaji, e sa i përket muajit Ramazan s’ke me çka ta krahasosh bujarinë e tij, salallahu alejhi ve selem.
Nga dobitë e hadidhit:
1- Bujaria është cilësi e Allahut të cilën Ai e dëshiron tek robërit e Tij.
2- Profeti, salallahu alejhi ve selem, ishte njeriu më bujarë, e i shtohej kjo veti në muajin e shenjtë të Ramazanit, kur takohej me mësuesin e tij, Xhibrilin, alejhi selam.
3- Hadithi tregon se besimtari në këtë muaj duhet të mundohet t’i shtojë punët e tij të mira, siç janë: bujaria, devotshmëria, namaza, etj. Pra çdo cilësi dhe adhurim që e do Allahu dhe shpërblen për të.
4- Kuptojmë se Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, takohej me Xhebrailin, alejhi selam, në Ramazan dhe jashtë tij, e shihnin njëri tjetrin dhe bisedonin mes vete.
5- Xhibrili, alejhi selam, zbriste çdo natë ta Ramazanit për t’ia mësuar Kuranin, pra atë pjesë që pat zbritur prej tij atë vit dhe pjesët e zbritura më herët që mos t’i harronte.
6- Muaji i Ramazanit përveç që është muaj i adhurimeve ai është edhe muaj i leximit të Kuranit dhe i studimit të tij, andaj çdo besimtarë këtë duhet ta ketë parasysh.
7- I Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ishte më bujarë se era,që tregon se me të nuk krahasohej askush dhe asgjë nga krijesat e Allahut, kur janë në pyetje vetitë pozitive dhe ato të mirat për të cilat robi shpërblehet.
8- Njeriu duhet të mësojë fenë e tij edhe nëse ka kaluar nga jeta e tij disa vite. Sepse gjithmonë besimtari duhet të ketë qëllim të tij ngritjen psikike dhe fetare të tij deri në vdekje. Thotë fjala e urtë: “Kërkoje diturinë nga djepi deri në varr”.
9- Pas Profetit, salallahu alejhi ve selem, askush nuk duhet të ngurojë të ketë mësues të vetin, duke pretenduar se mjafton për të vetëm leximi i librave dhe nuk ka nevojë për mësues. Nëse i Dërguari i Allahut, mësonte nga krijesat atë që Allahu ja pat zbritur atëherë a ka kush pas tij i cili nuk do të ketë nevojë për mësues.
10- Kurani ka nevojë për përsëritje e nëse jo atëherë ikë sikurse të mos ekzistonte fare. Kjo për arsye së nxënia e tij përmendësh, dhe mos harrimi janë adhurime të cilat Zoti nuk ja jep atyre që i ikin këtij adhurimi një kohë të gjatë pasi kanë qenë në të.
11- Hadithi tregon se besimtari duhet të ndikohet nga derset e hoxhës tek i cili merr pjesë në ligjërata, një gjë të tillë e vërenë njeriu atëherë kur sheh në vete se është duke u ndikuar pozitivisht nga ato ligjërata, siç ndikohej profeti, salallahu alejhi ve selem.
Ky ishte Profeti juaj, salallahu aleji ve selem, në këtë muaj andaj pasojeni atë o besimtarë të sinqertë nëse jeni vërtetë të tillë !!!
Shkruan: Lulzim Susuri