Pse e lexojmë kaptinën Kehf?
Çdo herë e lexojmë kaptinën Kehf ditën e xhuma, por për fat të keq shumica nuk e dinë urtësinë dhe mirësinë e leximit të saj. Realiteti është se shumë është folur për këtë sure të Kuranit dhe unë kam zgjedhur t’ju sjell shkurtimisht diçka të bukur rreth saj…
Kurani është fjalë e Allahut të Lartësuar që i ka zbritur Muhamedit alejhi selam dhe ajo është një mrekulli e përjetshme. Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Më i mirë prej jush është ai që mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve.”
Të mësojmë më shumë rreth kësaj sureje.
Surja Kehf është sure mekase dhe është njëra nga pesë suret që fillojnë me Elhamdulilah – falënderimi i takon Allahut, e ato janë: Fatiha, En’am, Kehf, Sebe dhe Fatir.
Në këtë sure janë përmendur katër tregime kuranore e ato janë:
a) Banorët e shpellës;
b) Pronari i dy kopshteve;
c) Musai dhe Hidri alejhima selam; dhe
d) Dhulkarnejni.
Kjo sure ka mirësi të cilat na i ka treguar Muhamedi alejhi selam në një hadith, ku thotë:
a) “Kush e lexon suren Kehf natën e xhuma, i bëhet dritë (në një distancë) prej tij deri në Qabe”. (Transmeton Darimiu )
b) “Kush e lexon suren Kehf ditën e xhuma, i bëhet dritë atij ndërmjet dy xhumave.” (Transmetojnë Hakimi dhe Bejhekiu)
Katër tregimet e surës Kehf i lidh një bosht kryesor, që janë katër sprovat në këtë botë:
a) Sprova në fe (tregimi i banorëve të shpellës).
b) Sprova në pasuri (tregimi i pronarit të dy kopshteve).
c) Sprova në dituri (tregimi i Musait dhe Hidrit).
d) Sprova në pushtet (tregimi i Dhulkarnejnit).
Këto sprova janë të rënda mbi njerëzit dhe lëvizësi kryesor i tyre është djalli, i cili i zbukuron këto sprova. Për këtë ka ardhur ajeti kuranor:
“Dhe kur u thamë engjëjve “përuluni Ademit, e ata iu përulën përpos Iblisit. Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhrin e Zotit të vet. Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiq tuaj?”
Për këtë Muhamedi alejhi selam ka thënë se kush e lexon këtë e ka mbrojtur Allahu nga sprova e Dexhallit sepse ai vjen me këto katër sprova tek njerëzit.
Muhamedi alejhi selam në namaz kërkonte mbrojtje nga këto katër gjëra, e njëra nga këto ishte edhe mbrojtja nga Dexhalli.
Të gjitha tregimet e kaptinës Kehf flasin për njërën nga këto katër sprova, e pas saj vjen mbrojtja nga ato:
1- Sprova në fe: tregimi i djelmoshave që kanë ikur nga mbreti i padrejtë për të ruajtur fenë e tyre dhe kështu ia mësynë shpellës, ku u ndodhi mrekullia, djelmoshat qëndruan 309 vite.
Allahu ka thënë:
“Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, pse puna e tij ka mbaruar. E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai.” (Sure Kehf, 28-29)
Mbrojtja nga sprova në fe arrihet me shoqëri të shëndoshë dhe përkujtim të botës tjetër.
2- Sprova në pasuri: tregimi i pronarit të dy kopshteve të cilit Allahu i kishte dhënë çdo gjë, mirëpo ai mohoi dhuntitë e Allahut dhe ringjalljen, kështu që Allahu ia shkatërroi ato.
Pastaj vjen mbrojtja nga kjo sprovë…:
“E ti (Muhamed) paraqitja atyre shembullin e kësaj bote që është si një ujë (shi) që Ne e lëshojmë nga qielli, e prej tij bima e tokës zhvillohet e shpeshtohet sa që përzihet mes vete, e pas pak ajo bëhet byk (pas tharjes) që e shpërndajnë erërat. Allahu ka fuqi për çdo send. Pasuria dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.” Kehf 45-46
Mbrojtja nga sprova në pasuri arrihet me kuptimin e realitetit të kësaj bote dhe përkujtimin e botës tjetër.
3- Sprova në dituri: tregimi i Musait me Hidrin. Musai alejhi selam mendonte se është më i dituri në tokë e Allahu e inspiroi se dikush është më i ditur se ai, pastaj shkoi ta takojë dhe të mësojë prej tij, por nuk mundi të bëjë durim në atë që Hidri vepronte sepse nuk e kuptonte urtësinë e veprimeve të tij, sepse ai shikonte vetëm anën e jashtme.
Vjen ajeti i mbrojtjes nga kjo sprovë:
“(Musai) Tha: “Në dashtë Allahu, do të shohësh se do të jem i durueshëm dhe nuk do të kundërshtoj ty asgjë!” (Kehf, 69)
Mbrojtja nga sprova në dituri është modestia dhe të mos biesh në kurthin e vetëpëlqimit.
4- Sprova në pushtet: tregimi i Dhulkarnejnit i cili ishte mbret i drejtë dhe që posedonte dituri, lëvizte prej lindjes në perëndim thërriste në rrugën e Allahut dhe përhapte të mirën, derisa arriti tek një popull i cili frikohej nga sulmi i Jexhuxhëve dhe mexhuxhëve, i ndihmoi në ndërtimin e pengesës për t’i parandaluar ata dhe ajo ende vazhdon të jetë e ngritur edhe sot.
Vjen ajeti i mbrojtjes:
“Thuaj: “A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre?” Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë.” (Kehf, 103-104)
Mbrojtja nga sprova në pushtet është me sinqeritet për Allahun në punë dhe duke përkujtuar botën tjetër.
Përfundimi i kaptinës: ajeti i fundit nga kaptina Kehf i kushton rëndësi mbrojtjes së plotë nga sprovat duke përkujtuar botën tjetër:
“Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos përziejë askë.” (Kehf, 110)
Atëherë të punojmë punë të mira dhe të sinqerta për Allahun ashtu që të na pranohen.
Përshtati: Valdet Kamberi