BallinaTEZKIJELidhja me All-llahunPse të jetë All-llahu qëllimi i vetëm?!?

Pse të jetë All-llahu qëllimi i vetëm?!?

Pse të jetë All-llahu qëllimi i vetëm?

Orientimi kah All-llahu dhe të synuarit vetëm All-llahun me të gjitha veprat nuk është diçka e palogjikshme.
Në vijim do të cekim disa arsye të cilat na bëjnë që ta kufizojmë pikësynimin në Krijuesin tonë sa i përket adhurimit.

1. Qëllimi pas të cilit nuk ka qëllim tjetër (qëllimi i fundit)
Të gjithë njerëzit ose janë besimtarë ose jobesimtarë, të cilët gjithsesi kanë dëshira që i synojnë dhe orientohen kah ato. Kështu i ka krijuar All-llahu. Prandaj, njeriu vazhdimisht synon dhe dëshiron diçka, gjithnjë punon dhe lëviz. Për këtë “emrat më real janë Harith (lëvrues, bujk, kultivues) dhe Hemmamë (dëshirëmadh, dëshirplotë, ambicioz, energjik, aktiv, veprues)”, siç qëndron në hadith, ngase çdo njeri është njëlloj kultivuesi, d.m.th. që fiton diçka si dhe çdo njeri është aktiv, do të thotë ka shumë synime dhe dëshira. Njeriu pra, është i dedikuar të synojë diçka, ta dëshirojë atë, të kërkojë ndihmë nga ai dhe t`i mbështetet dhe t`i besojë atij në mënyrë që ta arrijë atë që e do. E ajo “gjë” mund të jetë All-llahu dhe mund të jetë dikush apo diçka tjetër. Sidoqoftë, njeriu nuk mund të jetë ndryshe, pra ai ka një dëshirë të cilën e synon dhe orientohet kah ajo. Shkaku i gjithë kësaj, pse njeriu s`mundet pa dikë tjetër, pra ka nevojë për dikë tjetër për t`ia plotësuar mangësitë dhe pamundësitë e veta, si dhe për t`i kryer nevojat e veta. Kjo është varfëri e përhershme tek ai që asnjëherë nuk i largohet.
Nga dobësitë e njeriut është se ai kur të dojë diçka nga krijesat e Zotit dhe ta përvetëson atë, më vonë lodhet nga ajo dhe i bëhet e mërzitshme, e më pastaj kërkon diçka më shumë. Në lidhje me këtë thotë i Dërguari i All-llahut, Muhammedi (paqja e All-llahut qoftë mbi të) thotë: “Sikur t`i kishte biri i Ademit dy lugina me ari do ta dëshironte të tretën”. Shpirti i njeriut vazhdimisht e kërkon atë që nuk e ka dhe atë që se ka arritur. E asgjë s`mund ta ndërpresë këtë varfëri dhe nevojë të tij nëse nuk arrin te Zoti i vet, Krijuesi dhe i Adhuruari i vet, ashtu që ta njohë vetëm Atë dhe vetëm Atë ta marrë për qëllim. Vetëm atëherë zemra e gjen atë që e dëshiron dhe shpirti e arrin qëllimin e vet, e pastaj kësaj i pason një qetësi, siguri, rehati, gëzim dhe lumturi. Me këtë kuptim Zoti i Madh thotë: “Vërtet, me të përmendurit e All-llahut zemrat qetësohen.” (Er-Ra`d, 28). Së këndejmi, nuk ka gjë që na e siguron qetësinë e zemrës, pos arritja te Zoti i Adhuruar: adhurimi, synimi dhe drejtimi kah Ai.
Shpirti duke e kërkuar qëllimin e vet, e kërkon atë që është e lartë dhe madhështorre, e kërkon më të përsosurën dhe më të mirën. E, përsosmëria dhe e gjithë e mira është e deponuar në qenien hyjnore. Ibën Halduni thotë: “Instinkti i trurit kërkon atë që i përgjigjet natyrshmërisë së tij: njohurinë dhe diturinë, pastaj mendja fillon të lëvizë kah ato dhe pasionohet kah përsosmëria më e lartë – njohja e Krijuesit të Vet, pasiqë nuk gjen në ekzistencë më të përsosur se Ai dhe vazhdon ta njohë dhe të mësojë sa më shumë për Të. Lloj-lloj botëkuptime dhe ide të cilat e përcjellin mendjen, bën që edhe truri të merr pjesë aktive në to pa munguar në asnjë moment, pa u lodhur dhe mërzitur, siç u ndodhë kjo gjymtyrëve…”
Shkaku që i bën shumicën e njerëzve të kërkojnë diçka shumë të utlë dhe ta synojnë atë që as nuk mund t’u bëjë dëme as dobi është padituria, injoranca dhe dobësimi i ambicieve. Në të kundërtën, sa herë që nuk mungon dituria, zhduket injoranca dhe ngriten ambiciet, ndërsa njeriu i kërkon gjërat më të larta. Te disa njerëz, ambicia dhe synimi i tij më i lartë është një kafshatë që ta shuajë urinë, pak ujë që të shuajë etjen dhe një rrobë me të cilën do të mbulohet. Këtë ulje të ambicieve e kanë kritikuar edhe njerëzit injorantë në periudhën paraislamike. Poeti Hatim Ti`ë (vdiq në vitin 46 para hixhrës) thotë:
All-llahu e ka fyer të vobektin,
Shpresa e vetme e të cilit nga jeta është
Të gjejë rroba dhe ushqim.
E konsideron urinë dhembje,
E nëse ngopet nga ambiciet e pakta
Zemra e tij mbetet e errët.
Te disa njerëz ambicia e tyre e vetme është të kënaqet me kënaqësitë e kësaj bote: alkool, femra, etj. Mirëpo, ka njerëz që përpiqen të arrijnë diç të lartë. Këta janë ambiciozë. Për shembull, poeti më i madh arab paraislamik, Imri El-Kajs (vdiq 130 para hixhrës), pasiqë babait të tij i humbi mbretëria, seriozisht iu qas ta kthejë atë përsëri:
Sikur të përpiqeshja për një jetë të ulët
Do të më kishte mjaftuar
Dhe s`kisha kërkuar më shumë se pak pasuri.
Por unë jam nisur kah madhështia ideale.
E atë madhështi ideale do ta gjejë një njeri siç jam unë.
Kështu gjatë gjithë jetës e ka kërkuar mbretërinë, madje në atë gjendje vdiq:
Qau shoku im pasi e kuptoi se e humbi betejën,
Dhe u bind se do të shkojmë tek Mbreti i Romës
I thashë: mos të qajnë sytë e tu,
Por të përpiqemi ta kthejmë mbretërinë
E të vdesim të arsyetuar.
E ka humbur jetën e vet së pari me kënaqësi të kësaj bote dhe epshe, e pjesën tjetër të jetës së vet e ka kaluar duke kërkuar mbretërinë e humbur dhe nuk e ka arritur atë që ka dashur. Kështu ka vdekur edhe El-Mutenebbiu pas tij, duke kërkuar mbretëri dhe sundim, e kjo i ka lodhur dhe shpenzuar.
Sa i përket ambicies së muslimanit, ajo nuk ndalet deri sa të arrijë qëllimin pas të cilit nuk ka qëllim tjetër dhe dëshirën, pas së cilës nuk ka dëshirë tjetër. I është thënë një muslimani të devotshëm: “Filani ka ambicie të lartë”. Ai tha: “Atëherë i tilli nuk kënaqet me më pak se xhenneti”. Me një rast Omer ibën Abdul-Azizit i erdhi Dekini, e Omeri i tha atij: “O Dekin, unë kam shpirt dëshirëmadh”. Së pari kishte dëshirë të arrijë në pozitë të emirit (princit), e kur e arriti atë dëshironte halifatin, e kur e arriti edhe atë, dëshironte ta arrijë Xhennetin.”

2. Ai meriton të mirret si qëllim dhe të adhurohet
Vetëm All-llahu meriton të mirret për qëllim e askush tjetër, ngase Ai është Hyjni i Cili cilësohet me cilësi madhështore dhe të përsosura, qenia dhe cilësitë e Tij janë të përsosura dhe patëmeta. Ai është që jep të mira dhe begaton. Në dorën e Tij është e mira dhe e keqja, ulja dhe ngritja, dhënia dhe mosdhënia, fitorja dhe humbja, krenaria e poshtërimi: “Thuaj: O All-llah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq pushtetin prej dore atij që do, e lartëson atë që do dhe e përulë atë që do. Çdo e mirë është vetëm në Dorën tënde. Vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë! Ti e fute natën në ditë dhe Ti e fute ditën në natë, Ti nxjerrë nga i vdekuri të gjallin e nga i gjalli të vdekurin dhe Ti e begaton pa masë atë që do.” (Ali Imran: 26-27)
Prandaj, Ai është i Cili meriton të adhurohet me frikë e shpresë, me mbështetje e besim, namaz e agjërim, me zekat e haxh, me zotim e lutje. . . Ai, i Madhërishmi edhe po të mos kishte krijuar xhennetin dhe xhehennemin, edhe po të mos shpërblente dhe dënonte do të kishte merituar të adhurohej, siç përcillet një e thënë: “Po të mos e kisha krijuar xhennetin e xhehennemin a s`do të kisha merituar të adhurohem?!“. All-llahu e ka thënë të vërtetën në Kur`an: “Ai është i denjë për t`iu ruajtur dhe i denjë për falje mëkatesh…” (El-Muddeththir: 56) Poeti e ka shprehur këtë me fjalët:
Supozojmë se të Dërguarit e Tij s`na erdhën,
E zjarri i ferrit nuk u ndez,
A s`është obligim që e meriton
T’i nënshtrohemi Zotit të Krijesave, Bujarit?!

3. Lumturia qëndron në të synuarit e Tij, kurse fatkeqësia në të drejtuarit e zemrave kah tjetërkush
Poqese qëllimi i njeriut prej veprës së tij nuk kufizohet në All-llahun e Lartësuar, atëherë njeriu është në humbje sikurse edhe vepra e tij, e jeta e tij bëhet një copë fatkeqësie e tij. Njeriut nuk i duhet ta posedojë botën dhe ta sundojë atë, sepse burimi i lumturisë është atje në thellësitë e shpirtit të tij. Njeriu është i krijuar të drejtohet vetëm kah Zoti me adhurime dhe me kërkim ndihme, e kur t`i ikë njeriu këtij drejtimi, atëherë asgjë nuk e zëvendëson atë drejtim, kjo sepse shpirtrat gjithnjë e kërkojnë të Adhuruarin e tyre, Krijuesin dhe Hyjninë e tyre. Drejtimi kah një qëllim tjetër, pos All-llahut, bie ndesh me natyrshmërinë njerëzore dhe ai që drejtohet tjetërkah i përngjanë njeriut që e përdorë orën e dorës së vet si çekan çeliku. Me këtë rast ai i bën padrejtësi orës, meqë ajo nuk është prodhuar për atë punë. Ngjashëm edhe shpirti i njeriut është i krijuar ta adhurojë All-llahun dhe t`i drejtohet Atij, e nëse drejtohet dikah tjetër atëherë i bëhet padrejtësi atij. Në Kur`an thuhet: “Idhujtaria (shirku) është padrejtësia e madhe.” (Lukman, 13). Po ashtu, drejtimi kah dikush tjetër, pos All-llahut, është shkatërrim i shpirtërave: “E ka humbur kush e prish vetveten (largohet nga rruga e drejtë dhe futet në mëkate).” (Esh-Shems, 10). Të drejtuarit vetëm kah Ai me adhurim është pastrim dhe përmirësim: “Ka shpëtuar kush e pastroi atë…” (Esh-Shems, 9).
Vërtet, natyra e njeriut e shtyn atë të orientohet kah Hyjnia edhe pse ndoshta vetë ajo natyrë nuk e njeh Hyjninë e Vërtetë, megjithatë vazhdimisht e kërkon. Për këtë, All-llahu i ka dërguar të dërguarit e Tij (pejgamberët) që t`i udhëzojnë njerëzit kah Hyjnia e tyre e Vërtetë. Atëherë njeriu arrinë te kërkesa dhe Hyjnia e tij, pa të cilën s`mundet dhe s`është kurrë i qetë. Kështu e kërkon natyra e tij dhe kjo është nevoja e shpirtit të tij: “Pra, përqëndrohu në fenë monoteiste. (Ajo është) natyrshmëri (fitre) në të cilën All-llahu e krijoi njerëzimin. Nuk ka ndryshim (mos e ndryshoni) të asaj natyrshmërie të krijuar nga All-llahu (monoteizmi, feja). Ajo është feja e drejtë. . . “ (Er-Rum: 30) Njeriu pra, dështon nëse drejtohet dhe preokupohet me dikë jashtë Krijuesit të tij dhe së dyti dështon sepse preokupimet dhe qëllimet e tij shumëfishohen. E nëse preokupimi i njeriut nuk është një, atëherë preokupimi i tij shpërndahet në dëshirat e kësaj bote, e me atë rast as vetë ai nuk e di kah të shkojë, e as kah të drejtohet. Ai bëhet i tillë që vazhdimisht sa kthehet kah lindja, sa kah perëndimi, sa e adhuron një idhull, sa diellin e hënën, sa përpiqet ta kënaqë atë, sa këtë, e ai që kënaqet me të mund një ditë të zemërohet, e ai të cilit i pëlqen puna e tij më vonë e urren… Kështu njeriun e kaplon, siç e quajnë psikologët, konflikti, brenga, ankthi, një nyjë psikike dhe sëmundje tjera, bile njeriu i tillë mund të gjendet edhe para vetëvrasjes.
E sa i përket muslimanit, qëllimi i tij është një, edhe mënyra si e arrin këtë qëllim është një. Ai ka fuqi ta bëjë All-llahun të kënaqur dhe të ecë nëpër udhëzimin e Tij. Në këtë mënyrë, njeriut i bëhet qëllimi (nijjeti) një qëllim dhe dëshira e tij një dëshirë. Këtë e thotë Pejgamberi (paqja e Zotit qoftë mbi të): “Kush e synon botën tjetër (ahiretin), Zoti ia pasuron zemrën, ia mbledh çështjet , kurse dynjallëku i vie vullnetarisht. E kush e synon dynjallëkun, All-llahu ia bën pasurinë para syve, ia shpërndan çështjet, e prej dynjallëkut s’i vie tjetër veç asaj që i është shkruar (caktuar)”.
Shpërndarja e qëllimit e bën njeriun të dështojë, sepse njeriu e ka vetëm një zemër andaj s’mundet t’i adhurojë dy “hyjni” e as të drejtohet kah dy qëllime, meqë në këtë mënyrë punët e tij kundërshtohen mes vete: “All-llahu nuk ia bëri dy zemra njeriut në gjoksin e tij.“ (El ahzab 4). E pasiqë njeriu e ka vetëm një zemër duhet ta orientojë atë kah Krijuesi dhe sunduesi i botëve, përndryshe ta orientojë atë kah dy të adhuruar bën që njeriu i tillë të shkatërrohet dhe të ketë fat të keq.
Shkurt, të orientohet kah një cak tjetër pos All-llahut është krejtësisht fatkeqësi, shkatërrim i zemrës dhe i shpirtit, e kjo gjithashtu është devijim nga “Rruga e vërtetë” dhe largim nga “Udha e drejtë”. Lumturia fshihet në të drejtuarit sinqerisht kah All-llahu dhe kah askush tjetër pos Tij.
Kjo që u tha deri më tani vlen vetëm për këtë botë, por gjithashtu edhe në botën tjetër, atë të ardhmen ka lumturi dhe fatkeqësi, të cilat varen nga rruga e njeriut të cilën e ka zgjedhur në botën e parë (dunja). Prandaj ai që në këtë botë është orientuar vetëm kah All-llahu dhe ka punuar për qëllimin e amshuar, i tilli në botën tjetër është fitues dhe i lumtur. Ajo lumturi është, siç e përshkruan Gazaliu: “Përhershmëri pa mbarim, lezet pa mundim, gëzim pa pikëllim, pasuri pa varfëri, përsosmëri pa të meta dhe krenari pa poshtërim”. Kjo është lumturia e vërtetë, e qëndrueshme, e amshuar, e të tjerat janë të shuara dhe kalimtare. Ibën Hazmi për këtë thotë: “Nëse vrapon pas dynjallëkut, ajo do të të prish, e në fund pasiqë krejt dynjallëku do të të shuhet, do të kuptosh se e vërteta është të punuarit vetëm për botën tjetër! Se çdo gjë që e ke ëndërruar dhe e ke arritur në këtë botë, fundi i saj është pikëllim, ose sepse ajo të le ty, ose sepse ti e le atë, pra patjetër njëra do të ndodhë. Kurse fundi i punës për All-llahun e Madh në çdo rast është gëzim i menjëhershëm, apo i mëvonshëm. I menjëhershëm, sepse pak do të preokupohesh me atë që njerëzit preokupohen dhe vuajnë e pikëllohen, kurse i mëvonshëm-Xhenneti. Zoti i madhështisë thotë: “Kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në dynja) e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër). E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në Ditën e kijametit do ta ringjallim të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?! Ai (All-llahu) thotë: Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je i harruar sot. Po kështu Ne e shpërblejmë edhe atë që zhytet në mëkate dhe nuk i beson argumentet e Zotit të vet, por dënimi në botën tjetër është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm.” (Ta ha: 123-127)

4. S’ka mundësi të çlirohet shpirti i njeriut, pos nëse orientohet kah Ai.
Kuptimi i adhurimit (ibadetit) të Zotit në Islam do të thotë liri në formën më të përsosur të saj dhe në gradën më të lartë të saj. Adhurimi i Zotit nëse është adhurim i sinqertë do të thotë çlirim nga sundimi i krijesave dhe nga adhurimi i tyre. Muslimani e shikon ekzistencën (gjithësinë) si një mbret mbretërinë e tij, ngase All-llahu krijoi gjithçka në gjithësi për ne, dhe atë na e nënshtroi neve: “Dhe për ju nënshtroi gjith’ ç‘ka në qiej e në tokë.” (El-Xhathije, 13). E pasiqë puna qëndron kështu, muslimani nuk do t’ i nënshtrohet këtyre krijesave, e as që ato do të jenë pikësynim i tij, sepse ato vlejnë më pak se vet ai dhe ato janë krijuar për interes dhe për mirëqenien e tij. Prandaj, muslimani kurrë s’do t’i robërohet një njeriu siç është ai vet. Njerëzit të gjithë janë robër të All-llahut. E nëse ndonjë rebel nga njerëzit tenton t’i kalojë kufinjtë, muslimani në fytyrë ia thotë fjalën e vërtetë dhe të tillët i përkujton me origjinën prej së cilës janë krijuar dhe atë që i pret, prej së cilës s’mund të ikin; i përkujton me dobësinë dhe pamundësinë e tyre, e ndoshta ata do të heqin dorë dhe do të kthehen. Po me këtë adhurim të Zotit, njeriu çlirohet edhe nga epshet e tij, ngase epshi (heva) është idhulli më i keq që adhurohet: “A e ke parë atë që hevanë (epshin, dëshirën) e vet e bëri zot të vetin…?!” (El-Furkanë: 43). Hevaja pra mund të bëhet zot i adhuruar e të dominojë në njeriun, pastaj burimi i veprave të tij bëhen vetëm dëshirat dhe pëlqimet e tij. Së këndejmi njeriu krejt mundin e orienton kah realizimi i asaj që ia do qejfi dhe epshi i tij. Sipas ajetit të lartëpërmendur kur’anor kuptohet se nënshtrimi i njeriut hevasë së tij e cila çon në harame dhe mëkate, në Islam konsiderohet adhurim i saj. Ndërsa, largimi nga haramet të cilat shpirti i do dhe i pasionon, në Islam paraqet lirinë e vërtetë, ngase edhe pse në një anë kufizohet liria e shpirtit (pasiqë pengohet nga disa gjëra që i pasionon), kjo në anën tjetër është çlirim nga sundimi i hevasë (epshit, pasionit dhe pëlqimeve).
E ata që pretendojnë se mund ta realizojnë lirinë larg nga All-llahu dhe rruga (feja) e Tij gabojnë, sepse njeriu, bile çdo krijesë është dhe do të mbetet rob deshti apo nuk deshti ai. Por, nëse refuzon t’i nënshtrohet All-llahut, ai do t’i nënshtrohet një krijese siç është vetë ai, e cila as mund t’i bëjë dobi e as dëm, e edhe më keq mund t’i nënshtrohet dikujt a diçkahit që është edhe më i ulët se vetë ai. Në këtë mënyrë e ka zëvendësuar një robërim me një robërim tjetër, e me këtë nuk ka dalë nga robëria në liri, por ka dalë nga robëria e All-llahut në robëri të tagutit, qoftë ai idhull, njeri, diell, hënë, etj. All-llahu i ka poshtëruar dhe qortuar njerëzit e tillë: “…disa prej tyre i shëndërroi në majmunë e në derra, e i bëri adhurues (robër) të tagutit.” ( El maide, 60), do të thotë All-llahu i ka bërë robër të tagutit pasiqë ishin robër të All-llahut, si dënim për atë që e përgënjeshtronin.
Në shekullin tonë shpesh e dëgjojmë fjalën “liri” dhe njerëzit mendojnë se “Revolucioni francez” e ka deklaruar këtë parim, dhe se “Organizata e kombeve të bashkuara” e ka aprovuar lirinë si parim. Mirëpo, puna nuk qëndron kështu, sepse këta s’kanë bërë gjë tjetër pos i kanë nxjerrë njerëzit nga robëria e një sistemi, ligji dhe grupi e i kanë futur në robëri të një sistemi tjetër, ligji tjetër dhe grupi tjetër, edhe pse ata mendojnë se janë të lirë. E, asgjë tjetër nuk do t’i çlirojë ata nga sundimi i njerëzve dhe nuk do t’i nxjerrë nga robëria e verbër, pos nëse bëhen robër të Zotit, vetëm nëse Atë e marrin si qëllim të vetin. Vetëm atëherë çlirohen nga sundimi prej të tjerëve e edhe nga animet dhe epshet e shpirtit që qarkullojnë në trupat e tyre.
Njerëzit sa më larg që gjenden nga robëria dhe adhurimi i Zotit, ata aq janë më afër robërimit të dikujt tjetër pos Tij. Komunistët, për shembull, janë më së largëti nga Zoti saqë edhe ekzistencën e Tij e mohojnë, por ata janë më të robëruarit e dikujt tjetër. Grupi qeverisës në Rusi dhe Kinë e kontrollojnë dhe e komandojnë njeriun deri në atë masë saqë ai gati nuk e shijon fare jetën. Liria atje, edhe pse janë shumë, është vegim mashtrues. Komunistët deshën të çlirohen nga sundimi i All-llahut dhe e bënë shtetin zot i cili e konfiskon lirinë individuale, i ndalon ata nga shprehja e mendimeve, manipulon me pasurinë e tyre, me miliona njerëz i internojnë në shkretëtirën e Siberisë dhe në burgjet të cilat edhe ashtu të shumta dhe të gjera u ngopën me banuesit e tyre, e në festa me dhjetra miliona njerëz me koka të zbuluara kalojnë pranë kufomës së balsamuar të themeluesit të këtij drejtimi në “Sheshin e kuq” në Moskë!!! Pra i kanë nxjerrë njerëzit nga errësirat e akumuluara në errësira më të mëdha, nga robëria në robëri, dhe asgjë s’do t’i nxjerrë ato nga robëria e krijesave, përveç Islamit. Të vërtetën e ka thënë i dërguari i muslimanëve kur u takua me udhëheqësin persian: “All-llahu na ka dërguar t’i nxjerrim njerëzit nga robëria (adhurimi) e njerëzve në robëri (adhurim) të All-llahut, nga padrejtësia fetare në drejtësi të Islamit dhe nga jeta e vështirë e kësaj bote në jetën e lehtë të kësaj bote dhe tjetrës (ahiretit): “E kushdo që nuk është i kënaqur me Islamin si fe dhe me gjykimin e tij si ligj ai është zhytur në mbeturinat e injorancës.” (El maide, 50). Ata që nuk pranojnë të jetë All-llahu i adhuruari i tyre dhe poshtërojnë vetveten duke iu robëruar krijesave më të vogla dhe më të ulëta se ata, me këtë i intrigojnë shpirtërat e tyre. Islami atë që ambicia e tij më e madhe dhe fundi i qëllimit të tij është dinari, dirhemi, veshja, ushqimi dhe pija, e konsideron rob të atyre që ia sundojnë shpirtin: “U shkatërroftë robi i dinarit! U shkatërroftë robi i dirhemit! U shkatërroftë robi i rrobës! U shkatërroftë dhe i poshtëruar qoftë, e kur t’i hyjë therra kurrë mos i daltë!”

5. All-llahu nuk ka nevojë për njerëzit dhe Ai është Bëmirës ndaj tyre
Një nga arsyet që njerëzit t’i drejtohen vetëm Zotit të tyre është se Ai i Lartëmadhëruari është Bëmirës ndaj robërve të Tij, kurse Ai vet nuk ka nevojë për ta, por Ai i begaton ata, iu jep të mira dhe u largon atyre të këqiat, jo që pastaj robërit t’ia kthejnë atij këto të mira e as t’ia largojnë ndonjë të keqe, por thjeshtë Ai këtë e bën nga mëshira dhe bëmirësia e Tij. Kurse njerëzit, nuk paramendohet të punojnë diçka nëse nuk përfitojnë nga ajo punë: ta dojnë të tjerët, ta madhërojnë, t`i bëjnë ndonjë të mirë ose ta shpëtojnë nga një gjendje e keqe, edhe pse fundja atë punë që ai e ka bërë e ka bërë me lehtësim nga All-llahu. Pra, nëse punët nuk bëhen për All-llahun, njerëzit kërkojnë “meritën” e tyre nga puna përkatëse prej njerëzve. Do të thotë se, nëse njeriu e do dikë, ai do që ta arrijë qëllimin e vet nga ajo dashuri, qoftë ajo dashuri për shkak të bukurisë së brendshme apo të jashtme. Për shembull, nëse i do pejgamberët apo njerëzit e mirë ai kërkon të takohet me ta, sepse do të kënaqet me pamjen e tyre, me fjalët e tyre apo me diç tjetër. Po ashtu kush e don një njeri për shkak të trimërisë, pozitës apo bukurisë së tij, ai dëshiron të përfitojë nga ajo dashuri, se po të mos ishte kënaqësia me ato cilësi nuk do ta donte. Njeriu edhe nëse bën mirë, ndonjë shërbim apo ndihmë materiale, apo ndihmë në vështirësi, kur të sëmuret apo kur të ballafaqohet me armikun, së paku një lutje, një lavdatë apo falendërim ai menjëherë kërkon zëvendësim për një punë të tillë, kuptohet nëse nuk e ka bërë për All-llahun. Ushtarët e mbretit dhe robërit e tij, punëtorët e shefit, ndihmësat e kryetarit, të gjithë këta vrapojnë pas qëllimeve të tyre nga ai profesion. Shumica nuk i bëjnë këto punë me qëllim që t`i bëjnë dobi dikujt, por thjeshtë pa arsye. Kështu ndodhë nëse ai nuk është mësuar apo edukuar nga ana tjetër, nga ana fetare, apo nëse vetë njeriu nga natyra e tij nuk është i drejtë, bëmirës dhe i mëshirshëm. Përndryshe, nëse ky edukim apo natyrë që u cek nuk ekziston, atëherë qëllimi i parë është t`i bëjë vetes dobi. Kjo natyrshmëri në njeriun është urtësia e All-llahut me të cilën plotësohen (sigurohen) interesat e njerëzve dhe kështu ia ndan secilit pjesën e tij në këtë botë, e disa Ai i ka ngritur më lart se të tjerët.
Njerëzit e kanë për qëllim t’i bëjnë dobi vetvetes, kurse Zoti don të të bëjë dobi ty për të mirën tënde, e jo që t’ia kthesh këtë të mirë Atij, prandaj ajo është dobi e qindpërqindshme për ty pa aspak dëm në të.

Burimi:
albislam.com
(Përkthyer nga libri: El-Ihlas, Omer Oshkar). Përktheu: Gëzim Selaci,

Must Read