Qëndrimi pozitiv në edukimin e të Dërguarit Muhamed, paqja e Allahut qoftë mbi të
Çdo ditë shkenca zbulon diçka të re për herë të parë, mirëpo menjëherë mësohet se ky zbulim është përmendur në Librin e Allahut ose në Sunetin e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të. Prej këtyre zbulimeve është edhe ajo që shkencëtarët e Programit Neurolinguistik (Neuro Linguistic Programming NLP) e quajnë mesazhe pozitive dhe mesazhe negative dhe ndikimi i tyre gjatë edukimit…
Një prej shkencëtarëve të programit neurolinguistik duke folur rreth ndikimit të mesazheve negative gjatë edukimit të fëmijëve shprehet duke thënë: “Ti nga prindërit e tu merr më shumë se njëqind mijë mesazhe negative në forma “Jo”, ose “Mos vepro këtë”, ose “Pse e bëre këtë”, dhe kjo gjatë dhjetë viteve të para të jetës tënde.”
Medito lexues i nderuar sa ndikon kjo sasi e madhe udhëzimesh negative që merr fëmija gjatë periudhës së fëmijërisë së tij dhe sa ndikim negativ lë në personalitetin dhe inteligjencën e tij.
Shkencëtarët konsiderojnë se fjala “Jo” nga prindi krahasohet me një mesazh negativ i cili do të ndikojë kur të rritet sepse ky mesazh do të ruhet në mendjen e fëmijës dhe do ta shoqërojë gjatë tërë jetës.
Shkencëtarët pohojnë se numri i madh i këtyre mesazheve çon herë në izolim të fëmijës e herë të tjera në nervozizëm ashtu siç mund të ndikojnë edhe në inteligjencën dhe të ardhmen e tij. Kësisoj, shkencëtarët kanë filluar të kujdesen sot për metodologjinë moderne gjatë edukimit e cila bazohet mbi qëndrimin pozitiv tek fëmija që nga lindja e tij. Kjo metodologji pozitive nuk i thotë fëmijës “Mos vepro” ose “Pse e bëre” ose “Pse nuk e bëre”, por gjithnjë e inkurajon drejt eksperimenteve dhe e mëson se si të veprojë në formë që drejtë.
Kjo metodologji konsiderohet e re për sa i përket shkencëtarëve, por nuk është e tillë sa i përket mësuesit dhe pedagogut të shkencëtarëve, zotërisë sonë Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të. I Dërguari i Allahut gjithnjë drejtonte mesazhe pozitive gjatë edukimit dhe arsimimit të fëmijëve.
Enes b. Maliku, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, na flet rreth metodologjisë profetike gjatë edukimit. Ai thotë: “I kam shërbyer të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, për dhjetë vite të plota dhe nuk di që ndonjëherë për ndonjë gjë që kam bërë të më ketë thënë: Pse e ke bërë këtë vepër, ose për ndonjë gjë që e kam lërë: Pse nuk e ke bërë kështu” (Shënon Muslimi)
I Lartësuar qoftë Allahu! Dhjetë vite të plota nuk ka dalë asnjëherë asnjë mesazh negativ nga ky i Dërguar! Kjo na jep të kuptojmë se i pari i cili e ka përdorur metodologjinë e qëndrimit pozitiv ka qenë Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të. Çfarë dëshmon kjo? Kjo argumenton për mëshirën dhe dhembshurinë e këtij të Dërguari për ata që janë rreth tij dhe për vërtetësinë e fjalës së Allahut të Lartësuar për të kur e portretizon me fjalët: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët” (Tevbe, 128)
I Dërguari i Allahut kujdesej për sigurinë e fëmijëve dhe edukimin e tyre dhe mosdëmtimin e tyre me fjalë. Dijetarët thonë se fjalët dhe udhëzimet që merr fëmija i vogël kanë ndikim të madh në personalitetin e tij në të ardhmen. Truri i fëmijës ndikohet më tepër sesa truri i të rriturit. Lexues të nderuar! Ky është i Dërguari i Allahut. Kjo është madhështia e Islamit, mirëpo ne tregohemi neglizhues ndaj këtij të Dërguari, paqja e Zotit qoftë mbi të, i cili na ofroi çdo gjë, mirëpo fatkeqësisht ne nuk i ofruam atij diçka që vlen të theksohet. Sigurisht që Allahu e nderoi, e ngriti dhe mjafton që Allahu, Krijues i Gjithësisë dhe Zot i njerëzve, emrin e Tij e ka shoqëruar me emrin e të dashurit “La I lahe il-la Allah”
Me këtë rast dëshiroj që t’i drejtoj thirrje çdokujt që e do këtë të Dërguar që të kontribuojë në përhapjen e mrekullive të tij dhe nuk mjafton që të pretendojmë dashurinë e tij kur qëndrojmë larg Sunetit të tij. E nga Suneti i tij është edhe përhapja e dijes së dobishme, madje ai thoshte: “Dijetarët janë trashëgimtarët e Pejgamberëve”. Bashkohu dhe kontribuo me ne në përhapjen e mrekullive profetike, me shpresë se do të të bëjnë dobi para Allahut të Lartësuar ditën e takimit me Të.
Abdudaim el Kehil
Përshtati: Almedin Ejupi